Bachelor në “Filozofi dhe Etikë Sociale”
Diplomë Bachelor në “Filozofi dhe Etikë Sociale” (180 kredite, 3 vjet)
Bachelor në “Filozofi dhe Etikë Sociale”
Bachelor në “Filozofi dhe Etikë Sociale” është një program ndërdisiplinor, që ofron një formim akademik e praktik bashkëkohor në fushat e filozofisë, etikës dhe shoqërisë. Programi ndërthur disiplina të ndryshme, që përfshin: filozofi, psikologji, sociologji, qytetari, etikë dhe lidership, të cilat reflektohen në trajtimin dhe zhvillimin e lëndëve të specializuara si: Hyrje ne etikë, Debati dhe argumentimi, Filozofia e edukimit dhe lidershipit, Parime të konceptimeve etike, Etika dhe komunikimi, Filozofi politike, Etika publike, Sfera publike dhe media, Filozofia e së drejtës, Etika digjitale, etj. Në program një përparësi të veçantë merr zhvillimi i aftësive praktike që lidhen me analizimin dhe vlerësimin e politikave publike nga këndvështrimi etik, si dhe promovimi i përgjegjësisë, solidaritetit dhe veprimit qytetar.
Bachelor në “Filozofi dhe Etikë Sociale” synon të zhvillojë aftësitë mendore dhe intelektuale të studentëve përmes një përqasjeje të balancuar të mendimit kritik, analizës teorike dhe diskutimit aktiv në çështje të rëndësishme shoqërore. Programi përfshin përgatitjen dhe pjesëmarrjen e studentëve në projektet kërkimore, në praktikat e institucioneve të ndryshme publike dhe private për t'u aftësuar dhe shndërruar në zëra të rëndësishëm të jetës publike dhe profesionale. Programi formon profesionistë dhe intelekualë të ndërgjegjshëm, mendimtarë të lirë, të aftë për t'iu përgjigjur tregut të punës dhe problemeve të kohës.
Misioni i programit është të ofrojë një formim cilësor dhe ndërdisiplinor, që ndërthur thellësinë teorike të filozofisë me aplikimin praktik të etikës në kontekste shoqërore, institucionale dhe profesionale. Ai synon të përgatisë studentë me aftësitë e duhura në fushën e mendimit kritik, analizën konceptuale dhe vlerësimin etik, në përputhje me kërkesat e tregut të punës. Jo vetëm sfidat social-politike, arsimore dhe teknologjike të kohës, por edhe procesi gjithëpërfshirës i integrimit në BE kërkon një reflektim dhe përgjegjshmëri më të thelluar, të bazuar në vlerat konkuruese bashkëkohere.
Programi synon të formojë specialistë (profesionistë):
- Të aftë të analizojnë dhe trajtojnë probleme me ndjeshmëri etike dhe mendim të kualifikuar, në fushat e politikave sociale, drejtësisë, edukimit, medias, institucioneve publike dhe private.
- Të jenë të përgatitur për zbatimin e procesit të vendimmarrjes profesionale, duke promovuar transparencën, drejtësinë dhe respektin për të drejtat e njeriut.
- Të jenë të aftë të veprojnë në mënyrë etike në situate komplekse, ku sfidat morale, sociale dhe teknologjike kërkojnë reflektim të vazhdueshëm.
- Të zhvillojnë kapacitetet vetiake për një kontribut cilësor në ndërtimin e një shoqërie më të mirë, reflektuese dhe të orientuar drejtë vlerave morale dhe të drejtave të njeriut.
Diploma Bachelor në “Filozofi dhe Etikë Sociale” synon të përgatisë specialistë të kualifikuar, me një formim të përshtatshëm etik, të aftë të reflektojnë mbi sfidat e kohës dhe ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, të ndershme dhe të vetëdijshme. Programi është hartuar për të zhvilluar kapacitete intelektuale dhe praktike në përputhje me nevojat e shoqërisë bashkëkohore dhe tregut të punës.
Veprimtaria formuese e programit Bachelor në “Filozofi dhe Etikë Sociale” ka në qendër formimin e një intelektuali të integruar, ku ndërthuren në mënyrë të balancuar zhvillimi akademik, formimi personal dhe përgatitja profesionale. Ai synon të formojë specialistë që jo vetëm zotërojnë njohuritë e nevojshme teorike, por edhe aftësitë për të vepruar me integritet në çdo aspekt të jetës dhe punës. Diploma në “Filozofi dhe Etikë Sociale” nuk përgatit vetëm profesionistë të aftë, por edhe qytetarë aktivë që kontribuojnë në mënyrë të vetëdijshme në zhvillimin e shoqërisë. Formimi i gjithanshëm siguron kushte që studentët të ndjekin një karrierë të suksesshme në fusha të ndryshme, si dhe të marrin pjesë në mënyrë aktive në debatet publike dhe zgjidhjen e çështjeve etike e sociale me të cilat përballet shoqëria bashkëkohore.
Përfundimi i programit Bachelor në “Filozofi dhe Etikë Sociale” u hap rrugën studentëve për studime të nivelit të dytë të arsimit të lartë. Falë përgatitjes së gjerë ndërdisiplinore dhe kompetencave të zhvilluara gjatë programit, studentët mund të ndjekin:
- Master i Shkencave në “Etika në Institucione dhe Lidership”
- Master i Shkencave në “Filozofi Sociale”
- Master i Shkencave në “Mësuesi në Shkenca Sociale për Arsimin e Mesëm dhe të Lartë” ofruar nga Departamenti i Psikologji-Pedagogji, për ata që synojnë të ndjekin karrierë në arsimin parauniversitar.
Diploma Bachelor në “Filozofi dhe Etikë Sociale” u jep studentëve edhe të drejtën për të aplikuar në programe të tjera të ciklit të dytë, si Master i Shkencave ose Master Profesional në disiplina të tjera.
Mundësi punësimi dhe karriere
Diploma Bachelor në “Filozofi dhe Etikë Sociale” i përgatit studentët për një gamë të gjerë profesionesh në sektorë të ndryshëm, falë zhvillimit të aftësive të përparuara në analizën kritike, mendimin etik, komunikimin efektiv në situata të ndërlikuara sociale dhe institucionale.
Fushat dhe institucionet ku mund të punojnë:
- Administratë qendrore dhe vendore
- Institucione publike dhe private
- Sistemi arsimor, përfshirë arsimin parauniversitar dhe atë universitar
- Institucione joqeveritare dhe ndërkombëtare
- Qendra kërkimore dhe institute studimore
- Biznese, korporata dhe sektorë të ndryshëm të shërbimeve publike
- Shtypi dhe media elektronike, ku mund të kontribuojnë si analistë, gazetarë apo komentatorë të çështjeve etike e filozofike si dhe portale të medias së shkruar dhe asaj vizive, duke ndikuar në opinionin publik.
- Organizata joqeveritare të përqendruara në çështje të etikës sociale, drejtësisë, mirëqenies së popullatës dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
- Kordinator shërbimesh në institucionet shëndetësore publike dhe private.