Bachelor në Psikologji

Programi i studimit

Bachelor në “Psikologji” është një program studimi, i cili ofron udhëkryqet e disa disiplinave njëherazi me një gamë të përgjithshme dhe karakterizuese (histori e psikologjisë, psikologjia sociale, teoritë e personalitetit, sociologjia, psikologjia e zhvillimit, psikologjia anormale, ajo kognitive, psikologjia e shëndetit, psikologjia e punës, psikofiziologjia, psikologjia shkollore, këshillimi e psikoterapia, etj.) integruese duke i lidhur të gjitha këto me shumë disiplina të tjera (kërkimi në psikologji, përpunim statistikor i të dhënave, hyrje në ekonomi, psikologji gjinore, psikologji sportive, komunikim, biologji e anatomi e sistemit nervor, menaxhim stresi), apo edhe disiplina që formojnë aftësim (shkrim akademik, metodat e kërkimit shkencor, gjuhë e huaj) dhe praktikë.

Kurrikula e Studimeve në Ciklin Bachelor “Psikologji” kombinon dhe harmonizon dimensionin teorik në fushën e psikologjisë botërore me konteksin Shqiptar. Ky program i mundëson studentit që të njihet me fushat e thelluara të studimit pasuniversitar, duke bërë të mundur një zgjedhje më të informuar në të ardhmen.

Kryesisht të gjitha lëndët e kurrikulës në Psikologji në nivel universitar janë të pajisura me tekste apo cikël leksionesh, materiale ku studentët gjejnë teoritë themelore për lëndën. Përveç teksteve apo ciklit të leksioneve, studentëve iu referohet literaturë ndihmëse në të gjitha lëndët përkatëse.

Lëndët që realizojnë programet në Psikologji janë të klasifikuar në bazë të rëndësisë që kanë në formimin e studentit dhe realizimit të fokusit të çdo semestri dhe viti akademik. Një pjesë e konsiderueshme e lëndëve zhvillohen gjatë një semestri dhe janë të organizuara kryesisht në raportet 2 orë leksione /1 orë seminar, 2 orë leksione/2 orë seminare ose 3 orë leksione/1 orë seminar në planin mësimor.

Organizimi i planit mësimor është bërë në bazë të sistemit të Bolonjës. Çdo vit akademik ka 60 kredite dhe i gjithë cikli i studimeve të nivelit të parë në Psikologji përmban 180 kredite.

Misioni
  • Të stimulojë e të çojë në një nivel edhe më të lartë mendimin kritik nëpërmjet krijimit, zhvillimit dhe përcjelljes së dijeve, duke kontribuar në profilizimin gjithnjë e më të dallueshëm e profesional të profesionit të psikologut në shoqërinë shqiptare
  • Të lidhë fuqishëm e qartazi anën teorike me aftësimin praktik për të formuar studiues, psikologë dhe specialistë të lartë në fushën e psikologjisë, në përputhje me prioritetet e zhvillimit të vendit
  • Të ofrojë një proces koherent edukues e arsimor për studentët, të cilët do të vazhdojnë kualifikimin në nivelet e tjera të studimit të profilizuar në fushën e psikologjisë.