Doktoraturë në “Psikologji - Pedagogji”
Doktoraturë në Shkenca Sociale nënfusha “Psikologji - Pedagogji” (60 kredite)
Doktoraturë në “Psikologji - Pedagogji”
Informacion rreth programit të studimit Doktoraturë në Psikologji - Pedagogji
Programet e studimeve të doktoratës janë programe të studimeve të ciklit të tretë, me karakter plotësisht akademik, që kanë në bazë hulumtimin shkencor dhe veprimtarinë krijuese. Studimet e doktoratës përfshijnë studimet e organizuara teorike (60 kredite ECTS) dhe përgatitjen e disertacionit. Në përfundim të programit të studimeve të doktoratës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor” (Dr).
Programi i Studimeve Doktorale është miratuar me urdhër të Ministrit të Arsimit dhe të Shkencë (MASH), nr. Nr.567, datë 23.11.2011.
Realizimi i këtij programi studimor ka filluar gjatë vitit akademik 2012-2013, sipas propozimit të miratuar dhe “Rregullores për Organizimin e Programeve të Studimit të Doktoratave”, të Universitetit të Tiranës.
Studimet e nivelit të tretë, të Doktoraturës në Psikologji, në Universitetin e Tiranës ofrohen në Fakultetin e Shkencav Sociale, krahas studimeve të Ciklit të Dytë dhe atyre të Ciklit të parë në Psikologji.
Fokusi i studimeve të nivelit të tretë në Psikologji është kërkimi shkencor i cili ofrohet në atë masë sa kërkohet edhe në praktikë. Grada e doktorit synon ta përgatisë Psikologun të funksionojë në mënyrë të pavarur si kërkues shkencor, si pedagog, si supervizor, si praktikant të avancuar dhe si drejtues në shërbimet psikologjike.
Programi i studimeve të doktoraturës është ndërtuar në varësi të faktit se ku do të punësohet doktori i ardhshëm i shkencave psikologjike, a do të jetë ai punonjës shkencor, administrator shërbimesh, pedagog, punonjës klinik, supervizor, këshillues etj.
Misioni i programit të studimeve të doktoraturës është ti përgatisë studentët të përparojnë në çështjet e mirëqënies individuale e sociale përmes luajtjes prej tyre të një roli të shënuar në kërkimin shkencor, mësimdhënien, trajtimet psikologjike dhe trajnimet.
Fokusi i studimeve të nivelit të tretë në Pedagogji është kërkimi shkencor i cili ofrohet në atë masë sa kërkohet edhe në praktikë. Grada e doktorit synon ta përgatisë specialistin e pedagogjisë të funksionojë në mënyrë të pavarur si kërkues shkencor, si supervizor, si praktikant të avancuar dhe si edukator.
Misioni i programit të studimeve të doktoraturës është ti përgatisë studentët të përparojnë çështjet e procesit të edukimit të brezit të ri me qëllimin e zhvillimit sa më të plotë të aftësive e të mundësive të tyre personale për progres përmes luajtjes prej tyre të një roli të shënuar në kërkimin shkencor dhe në trajnimet.