Bachelor në “Administrim dhe Politikë Sociale”
Diplomë Bachelor në “Administrim dhe Politikë Sociale” (180 kredite, 3 vjet)
Bachelor në “Administrim dhe Politikë Sociale”
Objektivi i programit është të përgatisë specialistë të përgjithshëm të nivelit të parë në Administrimit dhe Politikës Sociale. Në vitin 2008 për herë të parë u hap një degë e dytë në departamentin e Punës dhe Politikës Sociale, ajo e Administrimit dhe Politikës Sociale. Misioni i programit është të përgatisë specialistë të përgjithshëm të nivelit të parë në administrimin dhe politikën sociale.
Qëllimi i programit të studimit Baçelor në “Administrim dhe Politikë Sociale” është të përgatisë studentët si specialistë të përgjithshëm të fushës, me fokus të veçantë tek hartimi, planifikimi, zbatimi dhe vlerësimi i politikave në nivel qendror dhe vendor dhe në administrimin e shërbimeve sociale përmes një kurrikule që siguron ofrimin e bazave të profesionit të administrimit dhe politikës sociale.
- Të kualifikojë specialistë të administrimit me orientim nga administrimi social, të aftë për të planifikuar, zbatuar dhe vlerësuar programet e politikës sociale.
- Të përgatisë studentët të hartojnë dhe të vlerësojnë politika për grupe diverse të popullatës në rrezik, në nevojë dhe të marxhinalizuara.
- Të kontribuojë në përmirësimin e shërbimeve sociale.
- Të përgatisë studentët për një praktikë efektive, të përgjegjshme dhe krijuese të administrimit dhe politikës sociale që do të zhvillojë më tej profesionin e Administrimit dhe Politikës Sociale, do të humanizojë programet e mirëqenies sociale, dhe do të nxitë dhe inkurajojë drejtësinë sociale në shoqëri.
- Të pasurojë kurrikulën e programit duke ju ofruar mundësi studentëve të rrisin njohuritë dhe të kuptuarit e nevojave njerëzore, problemeve sociale, çështjeve të mirëqenies sociale dhe këndvështrimeve drejt zgjidhjes së problemeve.
- Të përgatisë studentët të praktikojnë në kuadrin e vlerave bazë dhe standarteve etike të profesionit të administrimit dhe politikës sociale.
- Të pajis studentët me njohuritë e nevojshme për një arsimim të plotë për karrierën e tyre shkencore dhe profesionale.
- Të ofrojë një bazë të qëndrueshme edukimi për studentët të cilët mund të jenë të interesuar për vazhdimin e studimeve në nivelet e tjera të studimit në fushën e administrimit dhe politikës, në programe të tjera të nivelit të dytë ose në programe studimi të integruara
Administratorët socialë analizojnë problemet sociale, planifikojnë dhe formulojnë alternativa dhe zgjedhje të politikave sociale, i zbatojnë me efektivitet dhe efiçensë ato, vëzhgojnë zbatimin e politikave, si dhe ndjekin e vlerësojnë realizimin e tyre. Ata janë të angazhuar në funksione të planifikimit dhe të menaxhimit në një nivel më të gjerë të përcaktimit të politikave. Gjithashtu, ata janë të përgatitur për vlerësuar dhe administruar shërbimet sociale për grupet vulnerabile të shoqërisë. Ata mund të jenë punonjësit që japin ekspertizën e tyre në realizimin e programit të ndihmës ekonomike në nivel lokal.
Pas përfundimit të programit të studimit Baçelor në “Administrim dhe Politikë Sociale” administratorët socialë mund të vazhdojnë studimet e ciklit të dytë: master shkencor dhe master profesional. Departamenti i Punës dhe Politikës Sociale ofron mundësi për vazhdimin e studimeve master me anë të gjashtë masterave shkencorë (2 vjet) dhe 2 masterave profesionalë (1 vit). Gjithashtu, ata mund të ndjekin këto studime dhe në universitete të tjera brenda dhe jashtë vendit.
Mundësitë e punësimit për administratorët socialë janë në institucionet e mëposhtme:
- në administratën vendore dhe qendrore;
- në shërbimet sociale;
- në hartimin dhe vlerësimin e shërbimeve, programeve dhe politikave sociale;
- në shtypin dhe median elektronike;
- në OJF që kanë në qendër çështjet sociale dhe mirëqenien e popullatës;
- në OJF rinore;
- në institucionet ndërkombëtare në vend;
- në qendrat publike dhe private që ofrojnë shërbime dhe mbështetje për fëmijët, gratë në nevojë, të moshuarit, të rriturit me probleme, me individët me probleme të shëndetit mendor, me individët me nevoja të veçanta;
- në institucionet e edukimit;
- në institucionet shëndetësore;
- në institucionet e drejtësisë;
- në qendrat e trajnimit;
- në sektorët e burimeve njerëzore;
- në shërbimet në komunitet etj.