Libri i Kujtimeve Dr Edlira Haxhiymeri
Prof. Dr. Edlira Haxhiymeri, njihet si personalitet i spikatur i botës akademike, i politikës dhe i shoqërisë civile shqiptare. Edlira ishte profesore në Departamentin e Punës dhe Politikës Sociale të Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës si dhe bashkëpunëtore e jashtme e Universitetit Clemson (SHBA). U diplomua në fushën e gjuhës angleze në Universitetin e Tiranës, në vitin 1982. Mbrojti doktoratën në fushën e studimeve psiko-sociale në Universitetin e Tiranës, në vitin 1995. Fitoi titullin akademik “profesor i asociuar” në vitin 2003, ndërsa titullin akademik “profesor” në vitin 2016. Kishte kryer specializime pasuniversitare në fushën e pedagogjisë dhe të psikologjisë në vend dhe në fushën e politikave dhe administrimit të arsimit në SHBA. Pati një përvojë prej 39 vitesh në mësimdhënie dhe kërkim në fushën e pedagogjisë, psikologjisë dhe të punës sociale, e përqendruar në nënfushat: sjellja njerëzore, mirëqenia e fëmijës, zhvillimi i fëmijës, të drejtat e fëmijëve, gjinia dhe barazia, të drejtat e grave, fuqizimi i grave. Ka kontribuar në themelimin dhe zhvillimin e shkollës së punës sociale në Shqipëri, si dhe në formimin, përgatitjen dhe diplomimin e dhjetëra brezave të punonjësve socialë dhe profesionistëve të tjerë të shërbimeve psikosociale në vend. Kishte përvojë të pasur në planifikimin, organizimin dhe drejtimin e projekteve të kërkimit në fushën e arsimit dhe të shkencave sociale.