Master i shkencave në “Diversiteti Mundësitë e Barabarta dhe Përfshirja Sociale”

Master i Shkencave Departamenti “Punë dhe Politika Sociale” - (120 kredite, 2 vjet)

Master i shkencave në “Diversiteti Mundësitë e Barabarta dhe Përfshirja Sociale”

Programi i studimit

Përse duhet të zgjedh studime mbi diversitetin, mundësitë e barabarta dhe përfshirjen sociale?

  • Respektimi i diversitetit, garantimi i mundësive të barabarta dhe përfshirja sociale e grupeve të cenueshme janë pranuar si parakushte për zhvillim të qëndrueshëm, si në nivel global ashtu edhe në nivel kombëtar dhe lokal.
  • Arritja e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara 2030, të tilla si ato për arsimim cilësor, për barazi gjinore, apo për uljen e pabarazive kërkon ekspertizë në çështjet e diversitetit, mundësive të barabarta dhe përfshirjes sociale.
  • Edhe kuadri ligjor dhe politik në vend konkretizojnë këtë nivel angazhimi si edhe nevojën e vazhdueshme për kapacitete njerëzore (specialistë) në këtë lëmi.
Qëllimi

Ky program studimesh do ti mundësojë studentëve të zhvillojnë njohuritë dhe aftësitë e nevojshme teorike dhe analitike në fushën e diversitetit dhe mundësive të barabarta për të kuptuar dhe analizuar realitetin dhe për të përfshirë këtë qasje në planifikim e realizim programesh, politikash dhe shërbimesh me pjesëmarrjen e grupeve vulnerabël për të synuar përfshirjen sociale dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Objektivi

Ky program i studimeve do ti mundësojë studentëve të zhvillojnë/zgjerojnë njohuritë dhe aftësitë e nevojshme teorike dhe analitike në fushën e diversitetit dhe mundësive të barabarta për të synuar përfshirjen sociale dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Ky program studimesh do të analizojë diversitetin në aspektin e gjinisë, racës, etnisë, fesë, kulturës, seksualitetit, aftësisë, statusit social dhe ekonomik si dhe moshës, për të vlerësuar se si këto konstruksione manifestojnë sisteme të pabarazisë dhe privilegjit.

Studentët do të jenë në gjendje të analizojnë se si një formë e pabarazisë (p.sh. seksizmi, aftësia, racizmi, klasizmi) mbizotëron globalisht, ndërkombëtarisht, ose ndër-kulturalisht dhe manifestohet në shumëllojshmëri formash diskriminuese duke limituar mundësitë. Duke pasur parasysh dinamikën e pushtetit midis shumicës dhe kulturave të pakicave, ku pushteti social, ekonomik dhe politik në mënyrë disproporcionale mbetet me anëtarët e kulturës dominuese, ky program do të shqyrtojë trajektoret e mundshme për të arritur barazinë dhe siguruar drejtësinë sociale.

Veprimtaria formuese

Në përfundim të studimeve studentët do të jenë të aftë:

  • Të njohin terminologjinë, trendet dhe konceptet e diversitetit dhe mundësive të barabarta në nivel kombëtar dhe nivel global;
  • Të njohin kornizat teorike dhe qasjet për përcaktimin, interpretimin, analizimin dhe vlerësimin e diversitetit dhe mundësitë e barabarta;
  • Të kuptojnë dhe interpretojnë teoritë e zhvillimit nën perspektivën e diversitetit dhe mundësive të barabarta si pjesë e integruar e sistemit aktual të politikave sociale në tërësi;
  • Të aplikojnë aftësi analitike dhe kritike në vlerësimin e programeve, politikave dhe shërbimeve në perspektivën e mundësive të barabarta, dhe përfshirjes sociale në Shqipëri;
  • Të jenë të ndërgjegjësuar lidhur me parimet e një shoqërie të mundësive të barabarta dhe rolin e profesionistëve të shkencave sociale në këtë proces.
  • Të demostrojnë njohuri, vlera dhe aftësi jo - diskriminuese në lidhje me gjininë, moshën, statusin socioekonomik, ngjyrën, kulturën, aftësinë ndryshe, etninë, strukturën familjare, statusin civil, racën, fenë dhe orientimin seksual të individëve;
  • Të identifikojnë, vlerësojnë dhe zbatojnë kërkime në lidhje me diversitetin, mundësitë e barabarta, dhe përfshirjen sociale.
Mundësi të mëtejshme

Studentët që përfundojnë këtë program mund të vazhdojnë studimet në programin e doktoraturës pranë Universitetit të Tiranës ose universitete të tjera brenda dhe jashtë vendit që janë të fokusuar në: çështje të diversitetit, mundësive të barabarta, shërbimet sociale, përfshirjen sociale, programe të ndryshme ndërhyrjeje, vlerësim politikash apo programesh, etj.

Vlefshmëria dhe punesimi

Ku mund të jem i/e vlefshme/punësohem me një diplomë MSh në Diversitet, Mundësi të Barabarta dhe Përfshirje Sociale?

  • Qeverisje Qendrore: Politika, strategji, plane & programe kombëtare.
  • Qeverisje Vendore: Plane të zhvillimit vendor, programe & projekte në nivel lokal.
  • Ligjvënie & Vendimmarrje që duhet të informohen nga evidenca mbi diversitetin & mundësitë e barabarta.
  • Kërkim Shkencor: Diversiteti, mundësitë e barabarta & përfshirja sociale janë thelbësore jo vetëm për studime të shkencave sociale, por gjithë studimet ndërdisiplinore.
  • Sektor Privat: Promovimi i diversitetit & mundësive të barabarta është tashmë pjesë e pandarë edhe e sektorit privat/biznesit.
  • Organizata të Shoqërisë Civile (OJF, etj.): Të cilat punojnë për dhe me diversitetin, mundësitë e barabarta dhe përfshirjen sociale.
  • Organizma Ndërkombëtarë & Donatorë. Në programet e të cilëve çështjet në fjalë janë prioritete madhore.

Studentët e diplomuar nga ky program do të shërbejnë si agjentë ndryshimi në fushën e mundësive të barabarta në Shqipëri dhe përfshirjen sociale. Ata/ato do të kontribuojnë në ndryshimin dhe përmirësimin e politikave, legjislacionit, praktikave institucionale në ofrimin e shërbimeve sociale në fushën e diversitetit dhe mundësive të barabarta.