Doktoraturë në “Sociologji”
Doktoraturë në Shkenca Sociale nënfusha “Sociologji” (3 - 5 vjet)
Doktoraturë në “Sociologji”
Programi “Doktor” në “Sociologji” është hapur me VKM Nr. 854, datë 05.08.2009 dhe VKM Nr.1169, datë 25.11.2009.
Programi i doktoratës është riorganizuar në “Doktor” në “Shkenca Sociale” nënfusha “Sociologji” me Urdhër Nr.151, datë 24.03.2022
a) Urdhëri i hapjes së institucionit:
- Vendim i hapjes së Universitetit të Tiranës - Nr. 207, 30.05.1957
- Vendim i hapjes së Fakultetit të Shkencave Sociale - Nr. 352, date 09.07.1993
- Vendimi i akreditimit institucional - Vendim Nr. 84, datë 27.10.2018.
b) - Vendimi i hapjes së programit të studimit të ciklit të parë në “Sociologji” - VKM Nr. 831, datë 04.06.2008
- Vendimi i hapjes së programit të studimit të ciklit të dytë në “Sociologji e zhvillimeve shoqërore” - VKM Nr. 1331, datë 01.10.2008
Studimi me kohë normale, shprehur në vite: 3-5
Studimi me kohë të zgjatur, shprehur në vite: 5
Një program studimi “Doktor” në “Shkenca Sociale” nënfusha “Sociologji” është dobiprurës në disa nivele analize për studentët e doktoraturës:
- Studentët doktorantë investohen në dhënien e kontributeve të tyre në një fushë të parapëlqyer të studimeve sociologjike. Studenti që ndjek programin e doktoraturës, është i apasionuar pas një fushe specifike studimi në sociologji dhe dëshiron të përdorë kohën e tij dhe aftësitë e tij për të hulumtuar dhe bërë zbulime të rëndësishme brenda kësaj fushe.
Gjetjet e hulumtimeve të studentëve doktoralë janë një kontribut i çmuar për ekspertë të tjerë të fushës dhe aktorë të interesuar, të cilët mund të konsultojnë dhe referojnë punën e tyre.
- Profesionistët e rinj orientojnë qëllimet afatgjata të karrierës së tyre. Ndjekja e një programi studimi doktorature në Sociologji ndihmon të gjithë ata profesionistë që kërkojnë të ndjekin një karrierë akademike. Sipas akteve ligjore në fuqi të zotëruarit e një diplome doktorate është një kualifikim thelbësor që ju mundëson sociologëve të vazhdojnë kërkimet e tyre dhe të kontribuojnë duke u angazhuar në mësimdhënie në Institucionet e Arsimit të Lartë.
- Studentët e doktoraturës përmirësojnë dhe sfidojnë veten në njohuritë e tyre mbi kërkimin empirik. Ndryshe nga kualifikimet e mëparshme universitare të ciklit të parë të studimeve dhe të ciklit të dytë të studimeve, programi i doktoraturës është më pak i strukturuar dhe kështu studentët do të inkurajohen të hulumtojnë tema që janë me interes të veçantë për ta.
- Studentët e programit të doktoraturës do të mund të demonstrojnë potencialin e tyre profesional dhe intelektual. Nëpërmjet studimeve doktorale doktoranti demonstron aftësinë e tij për të kryer kërkime të pavarura, por gjithashtu tregon njohuritë e thelluara në një fushë specifike sipas temës së studimit.
Qëllimi themelor i programit të doktoraturës në “Sociologji” të nxisë doktorantët të përparojnë në kërkimet e tyre, të diplomuarit e këtij programi të jenë të përgatitur mirë për kërkime akademike origjinale, karrierë mësimore - kërkimore, si dhe karrierë në sociologjinë e aplikuar dhe të komunitetit.
Në themel të filozofisë së programit të studimit “Doktor” në në nfushë n “Sociologji” qëndrojnë disa parime bazë:
- Ofrimi i ekspertizës shkencore empirike nëpërmjet studimeve origjinale për sektorë strategjikë të zhvillimit të Republikës së Shqipërisë
- Ofrimi i mundësisë për zhvillim dhe karrierë të studiuesve të rinj, të cilët duan të zhvillojnë talentet dhe aftësitë e tyre, të projektojnë karriera afatgjata si kërkues shkencorë në Sociologji.
- Edukimi me standarte të larta profesionale dhe etike të studentëve që do të ndjekin këtë cikël studimesh.
Në Strategjinë Kombëtare për Shkencën, Teknologjinë dhe Inovacionin, 2017-2022 përcaktohet qartë roli dhe përgjegjësia e Institucioneve të Arsimit të Lartë në kërkimin shkencor, më specifikisht për Institucionet e Arsimit të Lartë me fushë në shkencat sociale synohet nxitja dhe promovimi i veprimtarive kërkimore për të krijuar shkenca sociale aktive dhe të përgjgjeshme për komunitetin dhe shoqërinë si në nivel kombëtar edhe në atë ndërkombëtar. Si pjesë e korpusit të shkencave sociale studimet në fushën e Sociologjisë janë një premisë fondamentale për përgjigjen racionale ndaj ndryshimeve të kontekstit social, politik, kulturor dhe ekonomik.
Studimet e thelluara të nivelit të doktoratës janë të domsodoshme pasi ofrojnë informacion të detajuar bazuar në metodologji shkencore mbi sjelljen, nevojat, qëndrimet, mendimet dhe perceptimet e një popullate. Një dije e këtij niveli ju shërben:
- aktorëve qeveritarë në vivel qëndror dhe lokal, të përshtatin politikat dhe programet me nevojat e qytetarëve.
- aktorëve të ndryshëm të biznesit të jenë në gjendje të zhvillojnë produkte dhe shërbime për të përmbushur dëshirat e klientëve të tyre.
Në përgjigje të dobisë së studimeve të thelluara sociologjike për kontekstin social:
- Studimet e thelluara sociologjike duhet të jenë në bazë të ideimit, planifikimit, konkretizimit dhe vlerësimit të impaktit dhe ipmplikimeve të mundshme të çdo procesi reformues në kontekstin ligjor dhe institucional.
- Studimet sociologjike kontribuojnë në rritjen e efiçencës dhe efektivitetit, duke siguruar që përgjigjet organizative ndaj nevojave të evidentuaara të jenë adeguate dhe funksionale.
- Gjithashtu, nëpërmjet studimeve sociologjike mund të përcaktohen me besueshmëri statistikat e rëndësishme kombëtare për çështjet shoqërore, vlerësimet e prirjeve të zhvillimit dhe gatishmërisë për të integruar procese inovative të zhvillimit, lëvizjet e turizmit, faktorët e papunësisë etj. Tregues të cilët duhet të jenë në themel të planifikimit të strategjive afatgjata të proceseve të zhvillimit të vendit.
Aktorët e interesuar për kërkime sociologjike përfshijnë agjensitë qeveritare, ndërmarrjet dhe organizatat joqeveritare dhe çdo organizatë që ka nevojë të kuptojë më mirë komunitetin, shoqërisë dhe prirjet e zhvillimit dhe të nevojave.
Objektivi themelor, i ciklit të tretë të studimeve në “Sociologji” është thellimi i njohjes shkencore në fushat e prioritetit të zhvillimit strategjik të vendit dhe kërkimit shkencor në Republikën e Shqipërisë, dhe përvetësimi i metodave bashkëkohore të kërkimit shkencor nga kandidatët që vijojnë ciklin e studimeve doktoraturë.
Ky program synon krijimin e një gjenerate të re profesionistësh dhe studiuesish me përgjegjësi sociale, duke i kushtuar vëmendje të veçantë përfshirjes së strategjive bashkëkohore të kërkimit bazuar në kërkimin empirik, duke u angazhuar në projekte të ndryshme me rëndësi kombëtare dhe inkurajon bashkëveprimin ndërmjet departamenteve dhe fakulteteve të tjera të Universitetit të Tiranës e më gjerë, si dhe projekteve të përbashkëta me universitete të tjera rajonale e ndërkombëtare, institute kërkimore dhe partnerë të tjerë nga fushat e kërkimit sociologjik. Ky program, ka për objektiv kryesor t'u ofrojë kandidatëve mundësinë që të ndërtojnë kompetencat e nevojshme shkencore, për të ushtruar aktivitetin e kërkimit dhe strategjtë e kërkimit në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe strategjik pranë institucioneve të arsimit të lartë, institucioneve arsimore publike ose private, institucioneve të qeverisjes qëndrore dhe lokale, organizatave të shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare, etj.
Nënfushat kryesore në mbështetje të objektivave të studimeve të ciklit të tretë (2020-2024) në doktoraturë do të jenë:
1. Problematika e integrimit të emigrantëve shqiptarë në shoqëritë e vendeve ku kanë emigruar si dhe të riintegrimit të atyre që janë rikthyer në Shqipëri pas qëndrimit disavjeçar nga emigrimi.
Axhenda për Zhvillimin e Qëndrueshëm 2030 e ka konfirmuar migracionin si një prioritet të rëndësishëm global, i cili, nëse qeveriset siç duhet, mund të sjellë përfitime pozitive për migrantët dhe familjet e tyre, shoqëritë pritëse dhe dërguese dhe vendet në përgjithësi. Gjithashtu në Strategjinë Kombëtare për Migracionin (2019-2022), integrimi dhe mbrojtja e të drejtave të migrantëve, përbën një nga objektivat më të rëndësishëm (Objektivi strategjik D). Realizimi i projekteve kërkimore, të bazuar në metoda të avancuara shkencore në tematikën në fjalë, ndihmon në jetësimin e Marrëveshjes Globale për Migracionin të vitit 2018. Gjithashtu realizimi i projekteve kërkimore të mësipërme, i shërben vënies në jetë të Strategjisë Kombëtare për Diasporën dhe Planit të Veprimit (2018-2024), e cila e lidh integrimin e emigrantëve shqiptarë në vende të ndryshme të botës me krijimin e Diasporës shqiptare.
2. Problematikat shoqërore të migrimit të brendshëm të popullsisë në hapësirat shqiptare; sfidat komplekse të rishoqërizimit dhe integrimit.
Strategjia Kombëtare për Punësim dhe Aftësi 2019-2022, konsideron si një nga prioritetet e saj (prioriteti C) nxitjen e përfshrjes sociale dhe kohezionit territorial, prioritet ky i diktuar edhe nga proceset migruese të brendshme të ndodhura në Republikën e Shqipërisë pas vitit 1990. Gjithashtu Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2015-2020, parashtron rëndësinë e investimit në kapitalin njerëzor dhe të kohezionit social, si një nga çështjet më të rëndësishme të zhvillimit të shoqërisë shqiptare.
3. Probleme sociale të ristrukturimit të mjedisit dhe të zhvillimit të turizmit në hapësirat shqiptare.
Projektet kërkimore që do të realizohen me këtë nënfushë janë të harmonizuara me disa prioritete të Planit të Përgjithshëm Kombëtar 2015-2030, i cili përcakton orientimet kryesore të zhvillimit të turizmit bazuar në potencialet e territorit; me disa prioriete të Stratgjisë Kombëtare për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Turizmit 2019-2023, të Strategjisë Ndërsektoriale “Axhenda Dixhitale e Shqipërisë 2015-2020” ku eficenca e Bujqësisë, Turizmit dhe Industrisë synohet ë përmirësohet falë zhvillimit të TIK etj.
4. Konflikti dhe kohezioni shoqëror; sfida të zgjidhjes së konflikteve nëpërmjet metodave alternative të ndërmjetësimit dhe programeve restauruese
Projektet kërkimore që do të realizohen me këtë nënfushë janë të harmonizuara me disa prioritete të Axhendës për Zhvillim të Qëndrueshëm 2030 dhe më konkretisht me objektivin nr. 16 të saj, të fokusuar në nxitjen e shoqërive paqësore dhe gjithpërfshirëse për zhvillim të qëndrueshëm. Gjithashtu projekte të tilla kërkimore i vijnë në ndihmë zbatimit të objektivave të Strategjisë së Drejtësisë për të Miturit 2017-2020. Objektivi 3 dhe 4 i kësaj strategjie e vënë theksin tek parandalimi i ri-përfshirjes në krime të të miturve si dhe riintegrimi e përfshirja sociale e të miturve në konflikt me ligjin, objektiva këto që mund të realizohen me ndihmën e zbatimit të programeve restauruese dhe ndërmjetësimit.Gjithashtu projektet kërkimore në këtë nënfushë harmonizohen me vizionin e Strategjisë Kombëtare për Luftën ndaj Ekstremizimit të Dhunshëm, i cili synon kultivimin e një shoqërie që mbështetet mbi respektin për të drejtat e njeriut, shtetin e së drejtës, barazinë dhe liritë themelore.
5. Ristrukturimi ekonomik dhe ndryshimi i kulturës së jetesës së banorëve të zonave rurale
projektet kërkimore që do të realizohen në këtë nënfushë janë të harmonizuara me Strategjinë Ndërsektoriale për Bujqesinë dhe Zhvillimin Rural II 2014-2020 (SNBZHR II 2014-2020) që ështe dhe korniza aktuale politike dhe strategjike për bujqesine dhe zhvillim rural në Republikën e Shqipërsië. Që prej qershorit të vitit 2014, kur Shqipëria mori zyrtarisht statusin e vendit kandidatit nga Bashkimi Evropian, SNBZHR II 2014-2020 është perafruar me Politiken e Perbashket Bujqesore te BE-se 2014-2020. Projektet kërkimore në këtë fushë do të ndihmojnë në përafrimin e Modelit Europian të zhvillimit të zonave rurale si nga pikëpamja ekonomike edhe nga pikëpamja sociale.
6. Modelimi kulturor i shqiptarëve dhe profile të kombinimit ndërmjet tyre
Në studimet sociologjike është shumë i rëndësishëm konteksti sociokulturor. Për këtë arsye çdo perspektivë e zhvillimit kombëtar dhe për integrim në hapësirën e përbashkët europiane, ose edhe më gjerë, në hapësirën globale duhet të ketë në fokus premisat origjinale kulturore dhe strategjitë e integrimit të suksesshëm në një mjedis multikulturor. Projektet kërkimore mbi kulturën, subkulturat, diversitetin kulturor në funksion të përqasjeve integruese janë gjithmonë të rëndësishme në analizën shumëdimensionale sociologjike që mund të zhvillohet për njohjen e integruar të proceseve dhe dinamikave të zhvillimit në shoqërinë bashkëkohore të shoqërisë shqiptare.
7. Covid-19 dhe ristrukturimi i marrëdhënieve, i modeleve të sjelljes ndër shqiptarët.
Shoqëria shqiptare ashtu si edhe çdo shoqëri tjetër në rrafsh global përgjatë vitit 2020 dhe në vijim të vitit 2021 është ndikuar në një spektër të gjerë nga efektet e pandemisë COVID-19. Tani ka një nevojë urgjente që sociologët të angazhohen teorikisht dhe empirikisht në ndikimin shoqëror të çështjeve që lidhen me covid-19. Përgjatë vitit 2020 dhe në vijim të vitit 2021, qeveritë në të gjithë botën kanë vendosur lloje të ndryshme të kufizimeve në jetën shoqërore, në mënyrë që të qetësojnë përhapjen e covid-19 dhe të mbajnë nën kontroll kurbën e infektimeve. Këto kanë përfshirë imponimin e shkallëve të ndryshme të izolimit shoqëror dhe kufizimet në: tubimet shoqërore, udhëtimet, aktivitetet sportive dhe të kohës së lirë, dhe të shkuarit në punë / shkollë / universitet. Në këto kushte studimet sociologjike mund të hedhin dritë mbi implikimet e kufizimeve të COVID-19 për jetën shoqërore. Procesi i zhvillimit të axhendës kërkimore të drejtuar nga teoritë sociale ka filluar dhe është koha që dhe institucionet kërkimore të arsimit të lartë me seriozitet shkencor t'i përgjigjen nevojës për të hulumtuar mbi “realitetin e ri” shoqëror përgjatë dhe pas COVID-19 .
Ward, Paul R. (2020): “A sociology of the Covid-19 pandemic: A commentary and research agenda for sociologists”, Journal of Sociology, Vol. 56(4) 726-735
DOI: 10.1177/1440783320939682
https://journals.sagepub.com/doi/pdf/10.1177/1440783320939682