Master i shkencave “Drejtësi tranzitore”
Master i Shkencave Departamenti “Sociologji” - (120 kredite, 2 vjet)
Master i shkencave “Drejtësi tranzitore”
- Lloji i studimeve:
- “Master i shkencave” në “Drejtësi tranzitore”
- Niveli i studimeve:
- Niveli 7 i Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve
- Kohëzgjatja e studimeve:
- 2 (dy) vite akademike
- Forma e studimeve:
- Studime me kohë të plotë
- Numri i krediteve ECTS:
- 120 ECTS
- Profili profesional i pritshëm:
- Studiues në fushën e Drejtësisë Tranzitore
- Njësia akademike zbatuese:
- Njësia kryesore: Fakulteti i Shkencave Sociale. Njësia bazë: Departamenti i Sociologjisë.
- Institucioni i Arsimit të Lartë:
- Universiteti i Tiranës
- Gjuha e ofrimit të programit:
- Shqip/Anglisht
Pas 30 vitesh në tranzicion detyra akademike, shoqërore dhe njerëzore është ballafaqimi me të kaluarën. Përballja me të kaluarën, ndarja e përgjegjësisë dhe dhënia e drejtësisë ndaj keqbërjeve në historinë e një kombi mbetet një proces i tensionuar dhe i pasigurt. Por, nga ana tjetër në fillim të viteve '80 nisi të artikulohej e të merrte formë një proces i ri, i institucionalizuar dhe profesionalizuar gradualisht në termin “Drejtësi tranzitore”. Drejtësia tranzitore, siç e shohim të transformuar sot, është e lidhur me një sërë procesesh, duke përfshirë gjykimet penale, komisionet e të vërtetës, mekanizmat e mosmarrëveshjeve me bazë komunitare dhe dëmshpërblimet, dhe një sërë strukturash institucionale dhe regjimesh, duke përfshirë gjykatat, gjykatat ndërkombëtare dhe ligjin ndërkombëtar humanitar dhe penal. Por ajo është gjithashtu një fushë ndërdisiplinore e kërkimit shkencor, e cila ofron perspektiva nga shkenca politike, antropologjia, ligji, gjeografia, sociologjia dhe edukimi.
Drejtësia transitore trajtohet si proces në fushën e akademisë në formën e programeve bachelor, master dhe të doktoraturës. Në botë aktualisht, vetëm në programet master ofrohen 38 programe të drejtësisë transitore, të cilat e studiojnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë këtë proces, ose të lidhur me fushën e zgjidhjes së konfliktit, respektimit të të drejtave të njeriut, politikëbërjes, kërkimit shkencor etj.
Në rastin e Shqipërisë ofrimi i një programi të tillë Master i Shkencave ndërdisiplinar shihet si një investim i bërë në kohën dhe momentin e duhur për shkak të: (i) historisë sonë politike dhe sociale në diktaturë dhe pas saj, (ii) tranzicionit të gjatë që ende po kalojmë, (iii) zhvillimeve në fushën e së drejtës, (iv) zhvillimeve të fundit të politikës, arsimit dhe kulturës në drejtim të drejtësisë transitore, (v) ngritjes së institucioneve që po angazhohen me trajtimin e të kaluarës sonë nën diktaturë. Shqipëria sot ka nevojë për studiues dhe specialistë që të kenë edukimin e duhur në një fushë të tillë ndërdisiplinore, për të punuar dhe qenë profesionistët e ardhshëm që do të hulumtojnë, punojnë dhe angazhohen në këto institucione dhe ato të ndërkombëtare, të cilat do të merren me të kaluarën tonë.
Objektivat kryesorë të programit të Masterit Shkencor janë:
- T'i pajisë studentët me dije të avancuara në fushën e të drejtave të njeriut nga këndvështrimi shoqëror gjatë proceseve tranzitore.
- Të nxisë mendimin dhe kërkimin kritik për të kuptuar ndryshimet e mëdha shoqërore dhe veçanërisht asaj shqiptare si trashëgimi e regjimit komunist dhe si nevojë e demokratizimit europian.
- T'i përgatisë studentët me aftësitë e duhura në mënyrë që ata të jenë në gjendje të ndjekin karrierë në sektorin publik, privat, si dhe në sektorin jofitimprurës.
- Të pajisë studentët më një themel të fortë akademik, në mënyrë që ata të jenë të suksesshëm në ndjekjen e studimeve doktorale pasi ata të kenë mbaruar programin e masterit.
Programi i Ciklit të Dytë të Studimeve Master i Shkencave në Drejtësinë Transitore, ofruar nga Fakulteti i Shkencave Sociale, Departamenti i Sociologjisë, UT, është një program i ri që gërsheton arsimin akademik të nivelit të lartë dhe praktikën botërore të drejtësisë transitore, të drejtave të njeriut, historisë dhe sociologjisë. Ky Master është një nga programet e pakta në Shqipëri që përqëndrohet në forcimin e njohurive ndërdisiplinore dhe përgatitjen reale të studentëve për aktivitete të ardhshme profesionale ose akademike.
Përgatitja profesionale në këtë progam studimi është e integruar përveçse nëpërmjet disiplinave karakterizuese që mbajnë peshën më të madhe të programit, edhe me koncepte të disiplinave bazë siç janë Drejtësia Transitore dhe të Drejtat e Njeriut, dhe disiplina plotësuese siç janë lëndët me zgjedhje në fushat e sociologjisë, drejtësisë dhe historisë.
Programi Master i Shkencave në Drejtësi Tranzitore zgjat dy vite akademike dhe është i vlerësuar me 120 ECTS, bazuar në Nenin 75 të Ligjit nr. 80/2015, Për Arsimin e Lartë në Shqipëri. Ky program ka si mision t'i angazhojë studentët në një qasje ndërdisiplinore, në një proces që lidh hulumtimin e sociologisë, ligjit, historisë dhe të drejtave të njeriut.
Ky program studimor i nivelit të masterit shkencor (120 kredite) mundëson vijimin e karrierës në planin profesional dhe atë akademik, më konkretisht duke profilizuar formimin shkencor të studentit kundrejt studimeve doktorale.
- Institucione ndërkombëtare, në vend dhe jashtë, që trajtojnë çështje të drejtësisë transitore.
- Organizata të pavarura në vend, si psh. Avokati i Popullit, Qendra për Nisma Ligjore Falas, Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
- Institucione kërkimore në fushën e historisë, studimeve të memories, si psh. Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, etj.
- Firma juridike që specializohen në drejtësi tranzitore.
- Profesione jo-juridike që kërkojnë ekspertizë në ligj dhe zgjidhje konfliktesh, përfshirë gazetari, këshillim për politika sociale.
- Këshilltar politik pranë qeverive në fushën e drejtësisë transitore, pranë ministrive të ndryshme, si ajo e jashtme, e mbrojtjes, etj.
- Studiues dhe kërkues i pavarur në fushën e drejtësisë transitore, sigurisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
- Universitet ose institucione te tjera të arsimit të lartë, si profesor në fushën e drejtësisë transitore.