Programet e Studimit të Shkencave Politike
Informacion rreth programeve të studimit të Shkencave Politike
Programet e Studimit të Shkencave Politike
Departamenti i Shkencave Politike funksionon si njësi bazë e zhvillimit të mësimdhënies dhe të punës kërkimore-shkencore pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, UT, për disiplinat e Shkencave Politike. Fillesat e tij janë në vitin akademik 2000-2001, periudhë në të cilën ka funksionuar si seksion bashkëngjitur Departamentit Filozofi-Sociologji. Prej vitit 2008 nga statusi i seksionit, dega Shkenca Politike do të kalonte në statusin e departamentit pranë Fakultetit të Shkencave Sociale.
Stafi akademik i Departamentit kombinon nivele të ndryshme kualifikimi brenda dhe jashtë vendit. Në përbërje të tij janë 12 pedagogë me kohë të plotë, prej të cilëve 2 të katëgorisë Profesor dhe 10 të kategorisë Doktor. Gjithashtu, pranë Departamentit është atashuar një ekip prej rreth 30 pedagogësh të jashtëm, aftësitë profesionale dhe kualifikimet e të cilëve plotësojnë kuadrin e nevojave për cilësi dhe standarde të larta në mësimdhënie.
Gjatë funksionimit të tij, Departamenti i ka kushtuar fokus të veçantë përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë së mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor, si dhe ndërkombëtarizimit të programeve.
Në lidhje me rolin e departamentit për përgatitjen e specialistëve, Shkenca Politike është disiplinë që përdor një qasje të shumëfishtë, ndaj kurset e ofruara trajtojnë një numër të madh tematikash që ndihmojnë në përvetësimin e aftësive kritike të domosdoshme për një karrierë të suksesshme. Diploma në Shkenca Politike mbulon një gamë të gjerë profesionesh në institucione publike, në organizata ndërkombëtare, në parti politike, në sektorin privat, media etj. Më konkretisht, diploma në shkenca politike mundëson:
- zhvillimin e një karriere politike dhe aftësimin për të ofruar këshillim politik;
- punësim në administratën publike në nivelin politik të vendimmarrjes dhe në departamentet që hartojnë dhe zhvillojnë politikat qeverisëse;
- punësimin në administratën publike si nëpunës civil në strukturat e ngarkuara për marrëdhëniet me jashtë, integrimin europian, menaxhimin e projekteve, menaxhimin e burimeve njerëzore, komunikimin me publikun, shërbimet mbështetëse administrative etj.
- ndjekjen dhe avancimin në karrierën diplomatike.
- punësim në organizata ndërkombëtare dhe OSHC.
- zhvillimin e platformave të komunikimit politik për partitë e më gjërë.
- Mundësi karriere si analist politike në media.
- Punësim në kompani private të orientuara drejt tregtisë ndërkombëtare etj.
Vizioni misioni dhe drejtimet e zhvillimit strategjik
- Të nxisë e të zhvillojë mendimin kritik nëpërmjet krijimit, zhvillimit dhe përcjelljes së dijeve përmes mësimdhënies, duke kontribuar në rritjen e standardeve të demokracisë në vend;
- Të integrojë dijet teorike me aftësimin praktik për të formuar studiues, analistë dhe specialistë të lartë në fushën e shkencave politike, në përputhje me prioritetet e zhvillimit të vendit;
Veprimtaria kërkimore-shkencore e DSHP, në përputhje me politikat dhe kuadrin ligjor në fuqi, ka si mision:
- Të mbështesë zhvillimin e vendit dhe rritjen e cilësisë së arsimit, nëpërmjet veprimtarisë së kërkimit shkencor bazë dhe të zbatuar, si dhe duke integruar mësimdhënien me kërkimin shkencor.
Prioriteti strategjik 1: Zhvillimi i kurrikulës
Kurset e studimit në Shkenca Politike (Bachelor, Master Profesional, Master Shkencor, Doktoraturë), janë organizuar në bazë të sistemit të Bolonjës dhe legjislacionit në fuqi.
Prioriteti strategjik 2: Përsosmëria në mësimdhënie dhe në të nxënë
Objektivat e Departamentit të Shkencave Politike në drejtim të zhvillimit të persosmërisë në mësimdhënie fokusohen në drejtimin e përmirësimit të metodologjisë së mësimdhënies dhe integrimit të mësimdhënies me kërkimin shkencor.
Prioriteti strategjik 3: Kërkimi shkencor
Kërkimi shkencor është thelbësor për rritjen e cilësisë së mësimdhënies, për përparimin e shkencës dhe zhvillimin e vendit. Të gjithë pedagogët efektivë të DSHP në mënyrë të vazhdueshme kryejnë veprimtari të kërkimit shkencor bazë, si qëllim i përmirësimit të cilësisë së mësimdhënies nëpërmjet zgjerimit, thellimit, rikonceptimit dhe riintegrimit të njohurive shkencore mbi fenomenet e studiuara dhe të kuptuarit teorik të ndërveprimit midis aktorëve të ndryshëm dhe vetë procesit ku ata ndikojnë.
Prioriteti strategjik 4: Zhvillimi i partneriteteve
Departamenti Shkenca Politike bashkëpunon me departamentet e tjera brenda Fakultetit të Shkencave Sociale dhe jashtë tij si Fakulteti i Ekonomisë, Drejtësisë, Filologjisë, etj., bashkëpunim i cili kryesisht përfshin jo vetëm zhvillimin e ngarkesave reciproke të orëve mësimore për lëndët specifike në këto fusha, por njëkohësisht edhe zhvillimin dhe pjesëmarrjen në projekte kërkimore shkencore, konferenca shkencore, botimin e artikujve shkencorë, si dhe sjelljen e risive në fushën e mësimdhënies.
Prioriteti strategjik 5: Ndërkombëtarizimi
Ndërkombëtarizimi në arsimin e lartë është bërë një prirje mbizotëruese si reagim paraprirës ndaj mundësive, sfidave dhe risqeve që shoqërojnë globalizimin. Tashmë kjo dukuri, evidentohet në disa fusha dhe konkretisht: rritja e mobilitetit të pedagogëve dhe studentëve, zgjerimi i rrjeteve ndërkombëtare të kërkimit shkencor, prania gjithnjë e më e madhe e programeve të reja si bashkëpunim ndërmjet fakulteteve homologe duke ofruar diploma të dyfishta, prania në sistemet ndërkombëtare të vlerësimit dhe sigurimit të cilësisë, rankimet globale etj.
Prioriteti strategjik 6: Sigurimi i cilësisë
Departamenti Shkenca Politike synon ndërtimin e veprimtarisë për sigurimin e cilësisë në përputhje me misionin dhe qëllimin e tij dhe duke respektuar standardet shtetërore dhe ndërkombëtare