logo



Aktiviteti me rastin e 9 Majit , Ditës së Europes nga Departamenti i Shkencave Politike dhe KAS Tiranë me të ftuar Dr. Matthias Robler dhe Prof. Dr. Frank-Lothar Kroll

Më 9 Maj 2024, Dita e Evropën në Fakultetin e Shkencave Sociale u shënua me dy të ftuar të veçantë, dr. Mattias Rössler, President i Parlamentit të Landit të Saksonisë dhe prof. Frank-Lothar Kroll, historian i epokës moderne pranë Universitetit të Technologjisë në Chemnitz. Në kuadër të një aktiviteti për Evropën, të organizuar nga Departamenti i Shkencave Politike dhe Fondacioni Konrad Adenauer, miqtë nga Gjermania bashkëbiseduan me studentët për historinë dhe të tashmen e Evropës, për rëndësinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor dhe për reformat që Shqipëria dhe vendet e rajonit duhet të realizojnë për anëtarësimin në BE. Dr. Rössler gjatë fjalës së tij, duke përmendur përvojën e Gjermanisë Lindore dhe të bashkimit të kombit gjerman në kuadër të bashkimit të më gjerë evropian, theksoi se edhe në shek. XXI rruga evropiane është e vetmja që duhet ndjekur. Shqipëria është në rrugën e duhur, sepse BE-ja është partneri kryesor ekonomik i Shqipërisë, por ekonomia nuk mjafton, sepse Evropa e bashkuar ndaj edhe disa vlera të njëjta. Prandaj, përparimi i Shqipërisë drejt integrimit të plotë varet dhe nga plotësimi i kritereve të tjera, që janë të njëjta për çdo vend që kërkon të anëtarësohet në BE: liria, përfshirë lirinë e shprehjes; të drejtat e pakicave kombëtare; e drejta e pronës; sundimi i ligjit dhe ndërtimi i institucioneve të shëndosha shtetërore, lufta kundër korrupsionit në nivelet e larta dhe kundër krimit të organizuar.

Prof. Kroll ligjëroi mbi historinë e krijimit të kombeve në kontinentin e Evropës, për t’u ndalur më pas në pyetjen nëse ekziston një identitet i përbashkët evropian. Teza që paraqiti ai është se identiteti evropian është ndërtuar mbi bazën e lirisë së kombeve. Përpjekjet për bashkimin me dhunë të Evropës, që nga Filipi II i Spanjës e deri te Napoleoni e Hitleri kanë dështuar, sepse liria ka rrënjë të thella në mendësinë e kombeve. Arsyeja e suksesit të Bashkimit Evropian qëndron pikërisht te bashkëpunimi dhe solidariteti me vullnet të lirë të popujve të Evropës. Për sa i përket trashëgimisë historike që fuqizon një identitet të përbashkët evropian, prof. Kroll përmendi vlerat kulturore të përcjella nga krishterimi dhe nga shartimi i tyre me idetë e iluminizmit. Mospranimi i plotë i kësaj trashëgimie me vlerë universale nga Rusia, Kina, islamizmi (islami politik), apo nostalgjikët völkisch brenda Evropës, i bën këta që të jenë kundërshtarë të idesë së Evropës së bashkuar. Në fund të ligjëratave të tyre, të ftuarit përgjigjën pyetjeve të studentëve mbi sfidat e tanishme të integrimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Pernëdimor në BE.