Programet e Studimit Sociologji
Informacion rreth programeve të studimit Sociologji
Programet e Studimit Sociologji
Profili (më pas Dega) e Sociologjisë në Universitetin e Tiranës ka filluar të funksionojë në shtator 1993. Në zbatim të standardeve të Marrëveshjes së Bolonjës në vitin 2005 filloi formësimi i degës së sociologjisë të mëvetësuar nga ajo e filozofisë duke formuar që prej vitit 2008 Departamentin e Sociologjisë, si pjesë e Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës.
Departamenti i Sociologjisë është njësi bazë e zhvillimit të mësimdhënies dhe të punës kërkimore-shkencore pranë Fakultetit të Shkencave Sociale për fushën e Sociologjisë.
Në përputhje me misionin e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë, siç parashikohet në ligjin 80/2015 për Arsimin e Lartë, Departamenti i Sociologjisë ka për mision:
- Të shndërrohet në një njësi kërkimore-shkencore, që nëpërmjet njohjes sistematike të shoqërisë shqiptare të shndërrohet në një mekanizëm që ofron rrugëzgjidhje shoqërore sa më racionale, vizionare dhe të qëndrueshme për problemet e sfidat, me të cilat përballet dhe do të përballet shoqëria shqiptare aktualisht dhe në të ardhmen.
- Të përmirësojë kurrikulat ekzistuese të programeve të studimit sipas kërkesave dhe zhvillimeve të reja shoqërore që kushtëzohen nga dinamikat e brendshme të shoqërisë shqiptare, nga dinamikat dhe profilet e zhvillimit të Rajonit të Ballkanit, të Bashkimit Europian, si dhe nga prirjet globale të zhvillimit.
- Departamenti i Sociologjisë i Universitetit të Tiranës, ka vëmendje të dedikuar në rritje ndaj kërkimit shkencor dhe synon të shërbejë si mjet vetënjohje, vetëanalizë dhe i afirmimit të identitetit sociokulturor të popullit shqiptar duke u bërë kështu një model në gjithë hapësirën shqiptare në Ballkan.
- Të ndihmojë studentët në zhvillimin e njohurive shkencore dhe aftësive të nevojshme për t'u bërë profesionistë të zotë në një shoqëri që është gjithnjë në ndryshim.
- Të formojë specialistë të lartë dhe të përgatisë shkencëtarë të rinj në fushën e sociologjisë, në përputhje me prioritetet e zhvillimit të vendit, duke kontribuar në rritjen e standardeve të demokracisë në vend.
- Të krijojë një ambient i cili inkurajon kerkimin rigoroz shkencor sociologjik dhe të integrojë kërkimin shkencor me mësimdhënien.
- Të kontribuojë në zhvillimin social dhe kulturor në nivel kombëtar dhe rajonal si dhe në forcimin e sigurisë dhe mirëqënies publike dhe kombëtare.
Në përmbushje të misionit të tij mësimdhënës, Departamenti i Sociologjisë ka si vizion arritjen e standardeve akademike më të larta bashkëkohore kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe përkrahjen e aspiratave dhe arritjeve të cilitdo që kërkon të përfitojë dije sociologjike.
Kurset e studimit në Departamentin e Sociologjisë janë organizuar në bazë të marrëveshjes së Kartës së Bolonjës dhe legjislacionit në fuqi. Programet e studimit janë ndërtuar duke pasur parasysh fokusin vjetor. Çdo vit studimi ka të mirëpërcaktuar fokusin e studimit dhe programet e lëndëve të zgjedhura si dhe metodologjia e zhvillimit të tyre synon realizimin e fokusit vjetor.
Diploma në Sociologji ju mundëson të diplomuarve aksesin në fusha të ndryshme punësimi në sektorin e biznesit dhe tregëtisë, në nivele të ndryshme të pushtetit qëndror dhe lokal, në sistemin e drejtësisë, në sistemin e edukimit, në kërkim si dhe në shërbimet sociale dhe punën në komunitet.
Më konkretisht, diploma në Sociologji mundëson:
- këndvështrim objektiv dhe kritik në shoqërinë tonë dhe shoqëritë e tjera.
- rritjen e aftësisë për të qënë një qytetar i informuar dhe me mundësi për të ndikuar zhvillimet shoqërore dhe zhvillimet e politikave të ndryshme.
- mjetet konceptuale dhe metodat për të kuptuar mjedisin shoqëror në disa nivele të ndryshme si: qëndrimet e grupeve të ndryshme, vlerat, sjelljet, proceset politike, marrëdhëniet në sistemin ekonomik, familje, organizatat e ndryshme,
- një i diplomuar në sociologji mund të realizojë kërkime në sfera të ndryshme të organizuara nga institucione kombëtare, organizata ndërkombëtare dhe OJF.
- punësimin si drejtues kërkimi, analist politikash, vlerësues programesh, menaxherë programesh dhe menaxherë të burimeve njerëzore.
- angazhimin në sistemin e drejtësisë si këshillues ligjor, si asistent në sistemin e shërbimit të provës, vlerësues programesh dhe projektesh.
- punësimin në shërbimet sociale si këshillues në hartim politikash, administrues projektesh kërkimore dhe komunitare, në administrimin e shërbimit shëndetësor dhe problematikave të tij, adresimi i familjeve dhe grupeve në nevojë.
- karrierë në institucionet e edukimit formal si mësimdhënës në nivelin e arsimit të mesëm ose në shkolla të larta dhe universitete, administrator i institucioneve të arsimit, në shërbimet ndaj studentëve etj.
Departamenti i Pedagogjisë dhe Psikologjisë ofron programe studimi në bazë të marrëveshjes së Bolonjës dhe legjislacionit në fuqi. Departamenti i Pedagogjisë dhe Psikologjisë, pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, UT, ofron studime në të tria ciklet, përkatësisht:
Studime të Ciklit të I-rë: Bachelor (180 kredite, 3 vjet)
Studime të Ciklit të II-të: Master Shkencor (120 kredite, 2 vjet)
Studime të Ciklit të II-të: Master Profesional (60 kredite, 1 vit)
Studime të Ciklit të III-të: Doktoraturë
Kurrikula e programeve të ofruara është hartuar mbi bazën e literaturës shkencore dhe përvojave mësimore të universiteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anglisë, Gjermanisë, Francës, Italisë etj. Të gjitha lëndët e sociologjisë në nivel universitar janë të pajisura me tekstet përkatëse origjinale ose të përkthyera, ose leksionet e përgatitura nga pedagogu i lëndës. Në to studentët gjejnë parashtresat themelore për lëndën. Përpos teksteve, studentëve iu referohet literaturë alternative dhe plotësuese, kryesisht në gjuhën angleze.
Lëndët sociologjike që zhvillohen në këtë degë kanë edhe profil kombëtar që realizohet nga një numër i madh studimesh sociologjike, artikujsh shkencorë dhe punimesh monografike për shoqërinë dhe kulturën shqiptare të botuara nga pedagogët e Departamentit të Sociologjisë. Diploma e Sociologjisë që përfitohet nga ndjekja e studimeve në departamentin tonë njihet në të gjitha vendet perëndimore. Këtë gjë e dëshmon fakti që studentët tanë që janë diplomuar në ciklin bachelor, kanë vazhduar menjëherë studimet master në këto vende, por edhe ata që kanë ndjekur një ose dy vite pranë departamentit tonë, e kanë vazhduar studimin në të njejtin cikël në universitete prestigjoze perëndimore.
Departamenti i Sociologjisë ka një staf akademik të kualifikuar dhe me përvoja cilësore kombëtare e ndërkombëtare në fushën e mësimdhënies akademike. Ata janë autorë të teksteve dhe punimeve monografike, si dhe artikuj të botuar në revista të njohura ndërkombëtare mbi çështje të ndryshme të zhvillimit të shoqërisë shqiptare të cilët kanë ndihmuar për të realizuar profilin kombëtar të lëndëve sociologjike. Tekstet dhe punimet monografikë të botuara nga stafi akademik i Departamentit të Sociologjisë janë zhvilluar ose zhvillohen përgjatë 20 viteve të fundit, jo vetëm me studentët e Degës së Sociologjisë të Universitetit të Tiranës, por edhe Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, Universiteti “Fan Noli” në Korçë, Universiteti “Aleksander Moisiu” Durres, etj. Përveç kësaj, pedagogë të këtij departamenti kanë realizuar përkthime të disa teksteve bazë në fushën e sociologjisë, si për shembull libri “Sociologjia” të sociologut anglez të mirënjohur në shkallë botërore Anthony Giddens. Gjithashtu, anëtarët e departamentit luajnë një rol të rëndësishëm në shoqërinë civile shqiptare. Ata janë angazhuar në një sërë studimesh dhe kërkimësh shkencore të iniciuara nga struktura studimore ndërkombëtare dhe në rolin e ekspertit aktivizohen dendur në media të ndryshme, televizione, gazeta, revista etj.
Që nga viti 2011 Departamenti i Sociologjisë boton revistën shkencore të përgjashtëmuajshme “Lente Sociologjike”. Kjo revistë është konceptuar si bashkëpunim dhe me pedagogët e departamenteve të sociologjisë të universiteteve publike të hapësirës shqiptare.