Programet e Studimit Pedagogji-Psikologji
Informacion rreth programeve të studimit Pedagogji-Psikologji
Programet e Studimit Pedagogji-Psikologji
Strategjia e zhvillimit të Departamentit Pedagogji-Psikologji (2020-2024) përcakton vizionin, qëllimet dhe objektivat strategjikë të zhvillimit të departamentit përgjatë periudhës 2020-2024.
Duke marrë parasysh format e veprimtarive në arsimin e lartë sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi si dhe lidhjet e mëposhtme [1-5], shtyllat kryesore të ndërtimit të strategjisë së departamentit të pedagogji-psikologjisë (2020-2024) bazohen në:
- Mësimdhënia dhe kurrikulat e programeve të studimit ofruar nga departamenti;
- Kërkimi shkencor në nivel departamenti dhe i personelit akademik;
- Sigurimi i cilësisë;
- Mbështetja e studentëve;
- Bashkëpunimi i brendshëm dhe i jashtëm.
Ky plan strategjik përcakton parimet udhëzuese për zhvillimin e mëtejshëm dhe liston masat bazë që duhet të merren në mënyrë që departamenti i pedagogji-psikologjisë të përballojë sfidat e së ardhmes. Departamenti, kryesisht në programet e studimit të ciklit të dytë, e drejton vëmendjen ndaj qasjeve ndërdisiplinore si mundësi për fleksibilitet në përshtatje me tregun dinamik të punës për studentët e tij.
Departamenti i pedagogjisë dhe i psikologjisë ka si vizion arritjen e standardeve akademike më të larta bashkëkohore kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe përkrahjen e aspiratave dhe arritjeve të cilitdo që kërkon të përfitojë dije psikologjike.
Departamenti i pedagogjisë dhe i psikologjisë në Universitetin e Tiranës, nëpërmjet veprimtarisë së tij aktuale, por edhe për të ardhmen, ka si vizion të shndërrohet në një njësi kërkimore-shkencore, që nëpërmjet njohjes sistematike të shoqërisë shqiptare, të shndërrohet në një mekanizëm që ofron rrugëzgjidhje shoqërore sa më të shëndetshme, vizionare dhe të qëndrueshme për problemet e sfidat me të cilat përballet dhe do të përballet individi aktualisht dhe sidomos në të ardhmen.
Misioni departamentit të pedagogjisë dhe psikologjisë është të ndihmojë studentët në zhvillimin e njohurive shkencore dhe aftësive të nevojshme, për t'u bërë profesionistë të zotë në një shoqëri që është gjithnjë në ndryshim; të formojë specialistë të lartë dhe të përgatisë shkencëtarë të rinj në fushën e psikologjisë, në përputhje me prioritetet e zhvillimit të vendit, duke kontribuar në rritjen e standardeve të shkencës e arsimit në vend, si edhe të krijojë një mjedis i cili inkurajon kërkimin cilësor shkencor psikologjik dhe të integrojë kërkimin shkencor me mësimdhënien. Departamenti synon të përmirësojë kurrikulat ekzistuese të programeve të studimit sipas kërkesave dhe zhvillimeve të reja shoqërore, si edhe të pajisë me dijet dhe aftësitë e duhura studentët e tij, të cilët në veprimtarinë e tyre pas studimeve universitare, do të integrohen në tregun e punës, duke promovuar njëherazi aftësitë dhe vlerat e profesionistit të aftë, por edhe kërkuesit shkencor, për të zbuluar dukuritë psikologjike të individit në shoqërinë shqiptare.
- Drejtimet e zhvillimit strategjik priren në përmirësimin e mësimdhënies, duke u fokusuar në përpjekjet akademike që studentët të përfitojnë gjatë studimeve njohuri shkencore psikologjike të integruara me dije nga disiplina të shkencave të tjera sociale, të shkencave humane, historike, por të përfitojnë edhe kompetenca sociale dhe personale. Studentëve do t'u ofrohen kushte të përshtatshme për udhëheqjen nga stafi akademik gjatë gjithë periudhës së studimeve, në të gjitha nivelet e studimit. Departamenti synon ofrimin e programeve në përputhje me kërkesat e tregut, sidomos në programet e nivelit të dytë dhe të tretë të studimeve. Për këtë e ka praktikë rishikimin e kurrikulave, me qëllim përshtatjen e tyre për të pasqyruar zhvillimet në shkencën e psikologjisë, pasuruar në veprimtarinë shkencore të vendeve të zhvilluara kryesisht të OECD, BE, G20. Departamenti synon edhe pasurimin e ofertës së programeve të studimit të ciklit të dytë për specializim në fusha specifike të disiplinës psikologjike, por edhe studime ndërdisiplinore.
- Kërkimi shkencor është një shtyllë tjetër e zhvillimit strategjik të departamentit të pedagogjisë dhe psikologjisë. Fokusi është tek aplikimi dhe realizimi i projekteve shkencore dhe kërkimore në njësinë kryesore të Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Universitetit të Tiranës. Stafi akademik i departamentit synon përfshirjen në veprimtari kërkimore shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare në funksion të rritjes profesionale, nxitjen e krijimit të praktikave të mira për të mbështetur financiarisht kërkimin shkencor në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës përmes parashikimit të përvitshëm të buxhetit të kërkimit në nivel departamenti; përcaktimin e fushave prioritare të kërkimit shkencor në departament përmes aplikimeve për realizim projektesh kërkimore me fonde publike të dhëna nga AKKSHI, AKFAL, projekteve rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe fondeve të Universitetit të Tiranës. Stafi akademik i departamentit synon rritjen e bashkëpunimit mes komunitetit të kërkuesve shkencorë dhe biznesit përmes identifikimit të subjekteve me interes të veçantë dhe hartimit të projekteve të përbashkëta, që do të mundësojnë aplikimin me projekte të përbashkëta kërkimore.
- Drejtimet e zhvillimit strategjik priren edhe nga ndërkombëtarizimi i ofertws akademike të departamentit të pedagogjisë dhe psikologjisë përmes hartimit të programe të reja të studimit të konceptuara si “Joint degree” me departamente homologe; rritjen e kapaciteteve akademike për të mundësuar ofrimin e programeve të studimit në gjuhë të huaj për të tërhequr studentë jo vetëm nga hapësira shqipfolëse, por edhe nga hapësira e rajonit të Ballkanit dhe Europa apo edhe më gjerë; krijimi i ofertave akademike për tërheqjen e studentëve të huaj dhe profesoratit të huaj.
- Drejtim tjetër i rëndësishëm në zhvillimin strategjik të departamentit është sigurimi i cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor. Kjo synon të arrihet përmes përmirësimit të programeve lëndore dhe të programeve të studimit ofruar nga departamenti, përdorimi i literaturës bashkëkohore në programet e ofruara dhe përdorimit të teknologjisë në mësimdhënie. Gjithashtu e synon cilësinë edhe rishikimi i rregulloreve të programeve të studimit në zbatim të standardeve më të larta të ofertës për programet e studimit; konsolidimi i veprimtarisë së komiteteve shkencore të programeve dhe koordinatorëve të tyre. Departamenti synon mbështetjen e mobilitetit të studentëve dhe stafit akademik, për të ndihmuar në rritjen e cilësisë në kërkimin shkencor, si edhe realizimin e vlerësimeve periodike të vlerësimit të performancës së personelit akademik dhe atij mbështetës.
Departamenti i Pedagogjisë dhe Psikologjisë ofron programe studimi në bazë të marrëveshjes së Bolonjës dhe legjislacionit në fuqi. Departamenti i Pedagogjisë dhe Psikologjisë, pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, UT, ofron studime në të tria ciklet, përkatësisht: