Programet e studimit Punë dhe Politika Sociale

Informacion

Historiku i departamentit

Departamenti i Punës dhe Politikës Sociale (DPPS) është hapur për herë të parë në Shqipëri në vjeshtë të vitit 1992, pranë Universitetit të Tiranës dhe u quajt Fakulteti i Punës Sociale. Aktualisht Departamenti i Punës dhe Politikës Sociale ofron programe studimi të ciklit të parë, të dytë dhe të tretë. Përbëhet nga një staf i kualifikuar prej 21 pedagogësh ndërsa numri i studentëve është rreth 1000. Departamenti shquhet për cilësinë e lartë të mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor. Stafi akademik i departamentit përbëhet nga përgjegjësja e departamentit (profesore e asociuar), 2 profesorë, 11 profesorë të asociuar dhe 7 doktorë shkencash.

Departamenti i Punës Sociale dhe Politikës Sociale ofron dy programe studimi të ciklit të parë, atë të Punës Sociale dhe të Administrimit dhe Politikës Sociale. Cikli i parë është i organizuar si program që synon përgatitjen e specialistëve të përgjithshëm për praktikën e punës sociale dhe të administrimit dhe politikës sociale.

Cikli i dytë jep mundësi për studime të specializuara në fushat e zgjedhura si politika sociale, administrimi i shërbimeve sociale, drejtësia penale, çështje të fëmijës dhe të familjes, komunikimi për ndryshimin social dhe të sjelljes, marrëdhëniet ndërpersonale dhe puna në komunitet. DPPS ofron aktualisht 2 programe “Master profesional” dhe 5 “Master Shkencor”.

Cikli i tretë është i organizuar sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi. Së shpejti, Departamenti i Punës Sociale dhe Politikës Sociale do të rihap programin e doktoratës në “Punë Sociale” për të pritur studentë të rinj.

Aktualisht Departamenti i Punës dhe Politikës Sociale ofron programe studimi në të gjitha nivelet, si më poshtë:

  • Baçelor në Punë Sociale
  • Baçelor në Administrim dhe Politikë Sociale
  • Master profesional në “Punë sociale të avancuar” me drejtim në shëndetësi dhe arsim
  • Master profesional “Analist i Politikave Sociale”
  • Master Shkencor në “Punë Sociale të Avancuar” me tre drejtime: klinik, politikë sociale dhe organizim komunitar
  • Master Shkencor në “Administrimin e Shërbimeve Sociale”
  • Master Shkencor në “Çështje të Fëmijës dhe Familjes”
  • Master Shkencor në “Shërbime Sociale në Drejtësinë Penale”
  • Master Shkencor në “Komunikimin për Ndryshimin Social dhe të Sjelljes”
  • Doktoraturë në “Punë Sociale”

Departamenti i Punës dhe Politikës Sociale është anëtar i Shoqatës Evropiane të Punës Sociale, anëtar i Shoqatës Ndërkombëtare të Shkollave të Punës Sociale (International Association of Schools of Social Ëork), si dhe i Akademisë Ndërkombëtare të Punës Sociale dhe Shoqërisë (The International Social Ëork and Society Academy, TiSSA).

Në vitin 2010, me mbështetjen e USAID - it Departamenti hapi Qendrën e Ekselencës me një fokus në koordinimin dhe promovimin e kërkimit shkencor si dhe ofrimin e ekspertizës për kërkuesit, ekspertët dhe profesionistët, si dhe për të gjithë ata që janë të interesuar për shkencat sociale.

Studentët

Programet e cikleve të studimit në Punë Sociale dhe Administrim dhe Politikë Sociale përmbajnë kompetenca të cilat janë të transferueshme dhe të përdorshme në një sërë rastesh dhe mjedisesh. Të diplomuarit në Punë sociale dhe Administrim dhe Politikë Sociale (në të gjitha nivelet) mund të punojnë në administratën vendore dhe kombëtare, në shërbimet sociale, në këshillimin psikosocial, në hartimin dhe vlerësimin e shërbimeve, programeve dhe politikave sociale, në shtypin dhe median elektronike, në organizatat jo - fitimprurëse që kanë në qendër çështjet sociale dhe mirëqenien e popullatës, në organizatat rinore, në institucionet ndërkombëtare në vend, në qendrat publike dhe private që ofrojnë shërbime dhe mbështetje për fëmijët, gratë në nevojë, të moshuarit, të rriturit e grupeve vulnerable, me individët me probleme të shëndetit mendor, me individët me nevoja të veçanta, në institucionet e edukimit, në institucionet shëndetësore, në institucionet e drejtësisë, në qendrat e trajnimit, në sektorët e burimeve njerëzore, në shërbimet në komunitet, etj.

Departamenti përdor disa forma për të ruajtur marrëdhëniet me të diplomuarit e tij. Disa nga këto janë: organizimi i konferencave vjetore të departamentit në të cilat marrin pjesë të diplomuarit profesionistë të fushës përkatëse, organizimi i eventeve si rasti i Ditës Botërore të Punës Sociale etj. Në të njëjtën kohë, Fakulteti i Shkencave Sociale ka ngritur një strukturë formale për ruajtjen e marrëdhënieve me studentët që diplomohen dhe për përditësimin e punësimit të tyre.

Bashkëpunimi

Departamenti i Punës dhe Politikës Sociale ka bashkëpunim me institucione të tjera, organizata dhe universitete kombëtare dhe ndërkombëtare. Në bashkëpunim me to janë organizuar disa aktivitete si simpoziume, konferenca dhe tavolina të rrumbullakëta për probleme që kanë shqetësuar departamentin apo për të prezantuar studime ku departamenti ka qenë partner.

Në nivel kombëtar DPPS ka marrëveshje bashkëpunimi me shumë institucione dhe organizata publike dhe jopublike si Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe institucionet në varësi për realizimin e praktikave të studentëve, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Bashkia e Tiranës, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Drejtoria e Përgjitshme e Shërbimit të Provës, Kuvendi i Shqipërisë, etj. Gjithashtu, DPPS bashkëpunon me universitete të tjera brenda Shqipërisë për mësimdhënien dhe për shkëmbimin e eksperiencave, të tilla si Universiteti Luigj Gurakuqi i Shkodrës, Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, UET dheUniversiteti “Marin Barleti”.

nstitucionet dhe organizatat ndërkombëtare me të cilat ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë Departamenti i Punës dhe Politikës Sociale janë si më poshtë:

  • OESC
  • UNICEF
  • Fondacioni Shqiptaro - Amerikan për Zhvillim
  • UNDP
  • Terre des Homes
  • Save the Children
  • Këshilli i Evropës
  • Banka BotëroreBashkimi Evropian për programet e kualifikimit (Erasmus, Horizon, etj.)
  • UNHCR

Marrëveshjet e bashkëpunimit në të cilat është përfshirë departamenti janë:

  • Università degli Studi di Firenze
  • Universidad Complutense Madrid
  • Instituto Universitário de Lisboa
  • Universiteti i Danimarkës
  • Universiteti i Gavle në Suedi
  • Universiteti i Evropës Juglindore të Maqedonisë
  • Universiteti i Shkupit
  • Universiteti i Prishtinës
  • Universiteti i Tetovës
  • Universiteti i Grand Valley

DPPS prej disa vitesh është anëtar i dy shoqatave më të mëdha dhe rëndësishme të punës sociale, Shoqatës Ndërkombëtare të Shkollave të Punës Sociale (IASSË) dhe Shoqatës Europiane të Shkollave të Punës Sociale (EASSW).

Burimet

Në ndërtesën e FSHS gjendet edhe biblioteka e këtij fakulteti, e cila ka një shumëllojshmëri librash shqiptarë dhe të huaj për shkencat sociale si dhe për shkenca të tjera të ngjashme. Nuk kanë munguar në të njëjtën kohë përpjekjet për ta pasuruar fondin e bibliotekës së Fakultetit dhe të Departamentit me tekste të huaja, botime të viteve të fundit kryesisht nëpërmjet donacioneve, projekteve dhe lidhjeve personale. Fondit të bibliotekës i shërbejnë edhe një sërë studimesh të realizuara nga anëtarët e departamentit dhe kolegë të departamenteve të tjera. Gjithashtu, biblioteka e fakultetit nëpërmjet projekteve ofron për studentët dhe stafin akademik mundësi të bibliotekave online, të cilat kanë një fond të pasur dhe ndihmojnë shumë në veprimtarinë akademike.

Krahas fasiliteteve të sipërpërmendura, në DPPS është punuar për krijimin e një baze tekstesh me autorë pedagogë të këtij departamenti. Ndonëse një periudhë e shkurtër që nga krijimi i departamentit, është mundur të botohen dhe mbulohen me tekste në gjuhën shqipe rreth 80% e lëndëve bazë të kurrikulës.

Sigurimi i cilësisë

Sigurimi i cilësisë në mësimdhënie arrihet nëpërmjet dy aspekteve: ai formal që e bën dekanati dhe administrata (mësimi të fillojë në kohë, të respektohen rregullat e menaxhimit të mësimdhënies) dhe një tjetër qe e bën përgjegjësja e departamentit (kontaktet me studentët për të vjelë mendimin e tyre, dorëzimi i një cikli të shkruar leksionesh, kujdesi në planifikimin e kursit të lëndës, etj). Departamenti paraqet në mënyrë periodike “Raportin e brendshën të vetëvlerësimit”, në të cilin përfshihet dhe seksioni i sigurimit të cilësisë.

Vizioni

“Një vizion për të diplomuarit e punës sociale e administrimit dhe politikës sociale në vitin 2024.TË KUALIFIKUAR, të vlefshëm dhe të përgjegjshëm për të bërë NDRYSHIMIN POZITIV në mirëqenien e individëve, përmes transmetimit dhe zbatimit të dijeve dhe aplikimit të kërkimit shkencor.”

Departamenti I Punës dhe Politikës Sociale, si njësi dinamike e Fakultetit të Shkencave Sociale, synon të ketë në fund të kësaj periudhe statusin e një platforme dinjitoze arsimore, që synon zhvillimin dhe kultivimin e mëtejshëm të gjeneratës së profesionistëve përkatës me përgjegjësi sociale dhe iniciativa dhe kompetenca në administrim, lidership dhe kërkim shkencor.

Ky vizion do të mundësohet, duke i kushtuar vëmendje të veçantë përfshirjes së studentëve në edukim, bazuar tek kërkimi i aplikuar shkencor, angazhimi në projekte të komunitetit, shërbime konkrete për qeverisjen qendrore e vendore, si dhe programe të kërkimit shkencor, zhvillimit dhe integrimit për shoqërinë civile dhe më gjerë.

Misioni

Misioni i Departamentit të Punës dhe Politikës Sociale është të përgatisë studentë në të tre ciklet e studimit si specialistë të aftë të fushës, me fokus të veçantë tek praktika ndërpersonale, puna me grupet vulnerabël, puna në komunitet, puna me organizatat dhe hartim dhe vlerësim të politikave sociale, përmes një kurrikule që siguron ofrimin e bazave të profesionit të punës sociale dhe administrimit social.

Qëllimi

Departamenti i Punës dhe Politikës Sociale synon t'ju ofrojë studentëve njohuri mbi profesionet punës sociale dhe administrimit social, fushat e zbatimit të tyre, si dhe t'i aftësojë ata në praktikat e punës kërkimore, përmes përfshirjes së drejtpërdrejtë në projekte kërkimore të departamentit, por jo vetëm. Harmonizimi i njohurive teorike me modele praktike do t'i pajisë studentët me njohuri të detajuara si dhe do te paraqesë rëndësinë që ato kanë në organizatat të cilat kanë fokus shërbimet dhe politikat sociale me qëllim mirëqënien sociale.

Objektivat
  • Të sigurojë njohuri të avancuara përmes mësimdhënies kreative, me metoda bashkëkohore, duke arritur nivele të kënaqshme të përkrahjes dhe inkurajimit për zhvillim personal, sipas fushave të intertesit të UT, FSHS dhe vetë DPPS.
  • Të kryejë aktivitete studimore kërkimore, shkencore dhe praktike të lidhura ngushtë me veprimtarinë akademike dhe programet e studimeve që zhvillon departamenti.
  • Të ofrojë mundësi për krijimin dhe konsolidimin e përvojave që nxitin kualifikimin e stafit, përmes shkëmbimeve akademike në universitete të tjera brenda dhe jashtë vendit, si garanci për cilësi dhe diversitet.
  • Të nxitë kërkimin shkencor dhe praktikën e bazuar në evidenca që në ciklin e parë të studimit
  • Të kontribuojë përmes ekspertizës akademike, praktikave kërkimore dhe përfshirjes së profesionistëve të rinj, në rritjen e mirëqenies së grupeve vulnerable dhe të mundësojë dhe ndërmjetësojë praktikat e formimit te vazhduar, në përputhje me nevojat e profesionistëve dhe ato të tregut të punësimit, në nivel kombëtar e lokal.
Vlerat

Departamenti I Punës dhe Politikës Sociale, me dy programet bazë të studimit që zhvillon, në mbështetje të unitetit të vlerave të UT - së, ka zhvilluar e do të vazhdojë të zhvillojë vlera të tilla si:

  • Ekselencë akademike
  • Cilësi në mësimdhënie
  • Gjithëpërfshirje dhe diversitet
  • Përkushtim ndaj grupeve vulnerable
  • Drejtësi sociale
Analiza SWOT

Pikat e forta

  • Stafi i kualifikuar, dinamik dhe aktiv;
  • Metoda mësimdhënieje interaktive bashkëkohore;
  • Komunikimi i mirë ndërmjet stafit akademik si dhe stafit akademik dhe studentëve;
  • Stafi akademik është aktiv në shoqërinë civile dhe në media;
  • Është departamenti me kontributin financiar më të madh në FSHS;
  • Anëtarësimi në organizma ndërkombëtarë të profesionit të punës sociale;
  • DPPS është pjesëmarrës në projekte me partnerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë

Pikat e dobëta

  • Stafi i mbingarkuar me aktivitet mësimdhënës;
  • Mungesë e një platforme për përditësimin e informacionit mbi punësimin e të diplomuarve të punës sociale dhe administrimit social.

Mundësitë

  • Në të gjithë Shqipërinë ka vetëm 3 departamente të Punës Sociale. Dy departamentet e tjera përfshijnë punën sociale në kurrikulën e tyre, por nuk janë të specializuara vetëm në të. Gjithashtu, ato ofrojnë vetëm programe studimi në nivel Bachelor dhe Master;
  • Ka vetëm një departament tjetër të Administrimit dhe Politikës Sociale, në Universitetin e Korçës;
  • Nuk ka departament të Punës Sociale në universitetet private;
  • Prirjet evropiane dhe ndërkombëtare në fushën e arsimit të lartë, si p.sh. projekte ndërkombëtare si Horizon 2020;
  • Prirjet vendase në sektorin e shoqërisë civile dhe nevoja për bashkëpunm me arsimin e lartë nga ky sector;
  • Profesioni i punës sociale u vendos në listën e profesioneve të rregulluara në Republikën e Shqipërisë, sipas Ligjit Nr. 163/2014;
  • Praktika të suksesshme dhe partnerë të besueshëm dhe aktivë që mbështesin programet e kualifikimit të vazhduar, me kurrikula të krijuara nga stafi i departamentit.

Pengesat

  • Mekanizmat e mbështetjes së stafit akademik për pjesëmarrjen në konferenca shkencore ndërkombëtare dhe për aplikimin për projekte kërkimore janë të kufizuara dhe burokratike;
  • Paga e stafit akademik është e ulët
  • Mungesa e aksesit në internet në të gjitha auditoret
  • Burokraci për profesoratin e huaj të ftuar
  • Pamundësia për të patur mjedise mësimore përgjatë gjithë ditës bën që mësimi të zhvillohet dhe në orët e vona.
Drejtimet Strategjike

Fusha e mësimdhënies dhe mësimnxënies

Drejtimi strategjik 1. Rritja e numrit të studentëve dhe cilësisë së tyre

Aktualisht në përthithjen e studentëve në të gjitha ciklet e programet e studimit, departamenti aplikon kritere, në përputhje me udhëzimet dhe vendimet përkatëse në mbështetje të ligjit. Urdhëri i Punonjësit Social, që përcakton këtë profesion në rradhën e profesioneve të rregulluara sipas ligjit, është një garanci më shumë në zgjedhjen e kësaj dege nga studentët në kërkim të cilësisë dhe stabilitetit profesional në tregun e punës pas mbarimit të studimeve.

Sfidat që ndryshimet në sistemin e kalimit nga shkolla e mesme në universitet, por edhe hapësirat e ndryshuara në ligjin e ri për Arsimin e Lartë, e kanë rritur vëmendjen e stafit të departamentit, për të studiuar më mire situatën e trendeve në kërkesat dhe preferencat e studentëve të ardhshëm. Kjo rrit angazhimin e stafit në përcaktimin e kritereve të përshtatshme për përthithjen e studentëve të mirë, si dhe dizenjimin e kornizës së duhur të promovimit për departamentin.

Drejtimi strategjik 2. Përmirësimi i kurrikulës

Të gjitha programet janë të hartuara për të tërhequr studentë ekselentë, të cilët besojnë në parimet e drejtësisë sociale. Nëpërmjet punës së tyre me individët, familjet, grupet, komunitetet dhe organizatat studentët kontribuojnë në shëndetin dhe mirëqenien e shoqërisë shqiptare.

Megjithatë, duke qenë se sfidat dhe problemet sociale janë dinamike dhe të ndryshueshme edhe programet mësimore duhet të reflektojnë prirjet përkatëse. Për këtë arsye, Departamenti duhet të ketë marrëdhënie të vazhdueshme me tregun e mundshëm për punësimin e punonjësve socialë dhe të administratorëve socialë. Në këtë mënyrë, do të zhvillojë programe mësimore të përshtatshme për tregun e punës. Edhe programet e lëndëve do të reflektojnë po ashtu nevojat e tregut të punonjësve socialë. Krijimi i programeve ndërdisiplinore, kryesisht në nivelin e dytë (master shkencor dhe profesional) mund të jetë një mundësi e mirë për të plotësuar nevojat e tregut.

Drejtimi strategjik 3. Zhvillimi i mëtejshëm i stafit akademik

Personeli akademik në DPPS nga një staf i kualifikuar prej 21 pedagogësh. Departamenti shquhet për cilësinë e lartë të mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor. Stafi akademik i departamentit përbëhet nga përgjegjësja e departamentit (profesore e asociuar), 2 profesorë, 11 profesorë të asociuar dhe 7 doktorë shkencash. Një pjesë e stafit akademik ka përfunduar studimet universitare dhe/ose pasuniversitare në vende të tjera, kryesisht në Evropën perëndimore. Gjatë viteve të fundit, stafi akademik është përfshirë në programe shkëmbimi (kryesisht afatshkurtra) me universitete në vende të tjera, si në Suedi, në Danimarkë etj.

Megjithatë, një sfidë e vazhdueshme për stafin akademik është pjesëmarrja e tij në kërkime shkencore dhe paraqitja e rezultateve në konferenca, seminare ose organizime të tjera jashtë Shqipërisë. Gjithashtu, përfitimi i stafit akademik nga programet aktuale të shkëmbimit me vende të tjera ka qenë e ulët. Për këtë arsye, nevojitet mbështetja më e madhe e stafit akademik në këto procese në mënyrë që të zhvillohet dhe më shumë profesionalisht.

Fusha e kërkimit shkencor

Drejtimi strategjik 1. Krijimi i mjedisit të favorshëm për nxitjen e kërkimit shkencor

Ligji i Arsimit të Lartë thekson përqëndrimin tek kërkimi shkencor, si një veprimtari e klasifikuar akademike. Vazhdimisht departamenti ka konsultuar dhe konsulton praktikat më të mira e rezultative për ta përmbushur si kriter dhe për ta zhvilluar më tej në të ardhmen.

Departamenti ka përvoja në përfshirjen e stafit në projekte kërkimore kombëtare e rajonale dhe këto krijojnë hapësira për sigurinë e përzgjedhjes së stafit që mund të angazhohet në fushën e kërkimit. Nga ana tjetër përvojat e angazhimit të studentëve në punën studimore në terren, analizën e të dhënave e më gjerë, është një vlerë pozitive që do të ndikojë në rritjen e kapaciteteve për kërkimin shkencor, ndër ta.

Përfshirja e stafit të huaj të ftuar për mësimdhënie, kryesisht për fushat e kërkimit shkencor në punën sociale dhe komunikimin për ndryshimin e sjelljes në vitet e mëparshme, ka krijuar dhe kultivuar terrenin shkencor bazik për stafin, por edhe për studentët e programit të doktoraturës. Forcimi dhe vazhdimësia e këtyre lidhjeve do të jetë sfida e departamentit deri në fund të dekadës.

Qendra e ekselencës e ngritur nga departamenti brenda FSHS, është një tjetër burim dinamik në mbështetje të aplikimit dhe realizimit të kërkimit shkencor, për stafin dhe studentët. Në vitet në vazhdim kjo Qendër do të fuqizohet më tej.

Paralelisht, zhvillimi personal i aftësive akademike të stafit, mbetet detyrë kryesore me fokus punën kërkimore, të shprehur përmes pjesëmarrjes dhe referimit në konferenca kombëtare e ndërkombëtare, përmes botimeve shkencore brenda dhe jashtë vendit, si dhe angazhimit në projektet kërkimore që do të ndërmerren në kuadrin e UT, FSHS dhe DPPS.

Sfida më e madhe e departamentit është dizenjimi i sektorit të kërkimit shkencor, si struktura më e re me funksione dhe dinamikë të përcaktuara nga ligji i Arsimit Të Lartë. Në funksion të saj do të jenë një sërë marrëveshjesh që duhen realizuar me institucione dhe aktorë të interesuar për realizimin e studimeve me impakt në politika sociale, sistemin e përkujdesjes sociale, shëndetit, etj.

Drejtimi strategjik 2. Rritja e vizibilitetit të kërkimeve shkencore të DPPS

Praktika e përfshirjes konkrete në punën kërkimore për departamentin ka nisur prej vitit 2011, me realizimin e konferences së parë ndërkombëtare. Më tej kjo përvojë ka vazhduar duke e rritur numrin e konferencave të zhvilluara në një vit akademik, me pjesëmarrje të gjerë të stafit, studentëve të doktoraturës, profesionistë të fushës të diplomuar pranë departamentit, FSHS, por jo vetëm, si dhe duke synuar e arritur partnerë shumë dinjitozë akademikë në fushën e punës sociale, siç janë rrjeti TISSA, Shoqata Ndërkombëtare e Shkollave të Punës Sociale, Shoqata Europiane e Shkollave të Punës Sociale, në të cilat DPPS është anëtar.

Aktualisht rritja e kapaciteteve në mësimdhënie dhe punës kërkimore të stafit është bërë prezente përmes publikimeve të eventeve të organizuara nga DPPS, si dhe revistës shkencore të departamentit, e cila ka botuar aktualisht 16 numra. Në këtë revistë janë shpalosur punimet shkencore të profesionistëve të fushës së shkencave sociale, brenda dhe jashtë vendit, punime të stafit akademik, si dhe bashkëpunime inkurajuese me studiuesit e rinj.

Rrjetet sociale dhe teknikat e publikimit online e kanë rritur vizibilitetin e aktiviteteve dhe eventeve ku DPPS ka qenë pjesëmarrës. Faqja e departamentit e ka luajtur këtë rol gjithashtu.

Fusha e bashkëpunimit me komunitetin e profesionistëve dhe institucionet përkatëse

Drejtimi strategjik 1. Integrimi i mundësive të reja për përfshirjen e studentëve me punonjës socialë profesionistë

Bashkëpunimi me organizata jofitimprurëse ndërkombëtare dhe kombëtare, me Urdhrin e Punonjësve Socialë dhe me institucione publike e jopublike ka qenë gjithmonë në fokus të DPPS. Gjatë viteve të fundit këto bashkëpunime janë formalizuar me lidhjen e marrëveshjeve të bashkëpunimit, kryesisht për realizimin e praktikës së studentëve. Praktika aktive e studentëve të punës sociale dhe të administrimit social pati një ndryshim të ndjeshëm me fillimin e përdorimit të marrëveshjeve me institucionet dhe me përdorimin e formularëve të vlerësimit nga supervizorët e praktikës në institucione.

Megjithatë, ende janë të shumta institucionet e mundshme për realizimin e praktikës. Për këtë arsye, ka nevojë të krijohet një mekanizëm/hartëzim i këtyre institucioneve, të cilat do të shërbejnë si institucione pritëse të studentëve për praktikën.

Drejtimi strategjik 2. Angazhimi me institucionet për advokim, kërkim dhe mbështetje me ekspertizë teknike

Aktualisht, DPPS ka bashkëpunuar dhe lidhur partneritete me organizata që punojnë me komunitete të ndryshme. Gjithashtu, realizimi i konferencave vjetore ka mundësuar dhe një farë rrjetëzimi të profesionistëve që punojnë në institucione publike dhe private si dhe të atyre të punësuar në sektorin e OJFve. Ligji i ri i Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor ka sjellë risi në mënyrat e mundshme të bashkëpunimit me këto organizata, duke e zgjeruar spektrin. Për këtë arsye, DPPS në vazhdim do të angazhohet në shtrirjen e bashkëpunimeve. Kështu DPPS do të rrisë impaktin në komunitet, në të njëjtën kohë edhe mundësitë e vetëfinancimit.

Sipas Ligjit nr. 163/2014 “Për urdhërin e punonjësve social në Republikën e Shqipërisë”.

Ligj nr. 80/2015 datë 22.7.2015. Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë

Plani i veprimit

Drejtimi Strategjik: Rritja e numrit të studentëve dhe e cilësisë së tyre

Objektivi 1.1: Tërheqja e studentëve më të mirë në nivel Baçelor dhe Master

  • Përmirësimi i materialeve promovuese të DPPS

    • Koha e kryerjes: 2021 e në vazhdim
    • Personi/Grupi përgjegjës: Grup ad hoc
    • Tregues të realizimit: Materiale promovuese të ndryshuara
  • Përmirësimi dhe promovimi nëpërmjet website-it të DPPS

    • Koha e kryerjes: 2021 e në vazhdim
    • Personi/Grupi përgjegjës: Grup ad hoc/IT
    • Tregues të realizimit: Website i përmirësuar, informimi i studentëve mbi të
  • Krijimi i një prezantimi virtual për studentët potencialë që vizitojnë website-in e DPPS

    • Koha e kryerjes: 2022
    • Personi/Grupi përgjegjës: Grup ad hoc
    • Tregues të realizimit: Prezantimi virtual
  • Aktivitete informuese për maturantët

    • Koha e kryerjes: 2021 e në vazhdim
    • Personi/Grupi përgjegjës: Grupe ad hoc
    • Tregues të realizimit: Të paktën 1 aktivitet në vit
  • Ngritja e strukturës për Alumni-t

    • Koha e kryerjes: 2022
    • Personi/Grupi përgjegjës: Grup ad hoc
    • Tregues të realizimit: Prania dhe funksionimi i strukturës
  • Kryerja e një studimi për nevojat e tregut të profesionit të punës sociale dhe administrimit dhe politikës sociale

    • Koha e kryerjes: 2022 - 2024
    • Personi/Grupi përgjegjës: Grupe ad hoc
    • Tregues të realizimit: Raporti studimor

Objektivi 1.2: Krijimi dhe ruajtja e një trupe studentësh të përgatitur për nivelin Master

  • Rishikimi i kritereve të aplikimit për master

    • Koha e kryerjes: Në vazhdim
    • Personi/Grupi përgjegjës: Grupe ad hoc
    • Tregues të realizimit: Kritere të rishikuara
  • Aktivitete promovuese tek studentët e vitit të tretë ose tek të sapodiplomuarit

    • Koha e kryerjes: 2021 e në vazhdim
    • Personi/Grupi përgjegjës: Grupe ad hoc
    • Tregues të realizimit: Të paktën 1 aktivitet
  • Aktivitete promovuese për programet e masterave tek studentët e vitit të tretë të degëve, fakulteteve dhe universiteteve të tjera

    • Koha e kryerjes: 2021 e në vazhdim
    • Personi/Grupi përgjegjës: Grupe ad hoc
    • Tregues të realizimit: Të paktën 1 aktivitet

Drejtimi Strategjik: Përditësimi i kurrikulës

Objektivi 2.2: Përshtatja e kurrikulës së nivelit master në mënyrë që të pasqyrojë kërkesat shoqërore, praktikat më të mira si dhe nevojat e studentëve dhe profesionistëve

  • Kryerja e vlerësimit të programeve të nivelit master, bazuar në përvojën e vetë studentëve

    • Koha e kryerjes: 2022 e në vazhdim
    • Personi/Grupi përgjegjës: Grup ad hoc
    • Tregues të realizimit: Raporti i vlerësimit
  • Rishikimi sistematik i kurrikulave të masterave shkencorë dhe profesionalë

    • Koha e kryerjes: 2021 e në vazhdim
    • Personi/Grupi përgjegjës: Grupe ad hoc
    • Tregues të realizimit: Të paktën një mbledhje departamenti çdo semestër
  • Rritja e përdorimit të teknologjisë së informacionit gjatë mësimdhënies

    • Koha e kryerjes: 2017 e në vazhdim
    • Personi/Grupi përgjegjës: I gjithë stafi
    • Tregues të realizimit: Rritja e përdorimit të metodave inovative në mësimdhënie
  • Përfshirja e pedagogëve të jashtëm ndërkombëtarë ose profesionistëve të fushës për lëndë specifike

    • Koha e kryerjes: 2021 e në vazhdim
    • Personi/Grupi përgjegjës: Departamenti
    • Tregues të realizimit: Prania e pedagogëve të ftuar ndërkombëtarë dhe ekspertëve të fushës në lëndë specifike

Drejtimi Strategjik: Zhvillimi i mëtejshëm i stafit akademik

Objektivi 3.1: Rritja e pjesëmarrjes së stafit akademik në aktivitete shkencore

  • Mbështetja financiare e stafit akademik për pjesëmarrjen në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare

    • Koha e kryerjes: 2021 e në vazhdim
    • Personi/Grupi përgjegjës: DPPS/FSHS
    • Tregues të realizimit: Funksionimi i mbështetjes financiare
  • Mundësimi i programeve për shkëmbimin e eksperiencave të stafit akademik me departamente/universitete të tjera

    • Koha e kryerjes: 2021 e në vazhdim
    • Personi/Grupi përgjegjës: Sektori i marrëdhënieve me jashtë, Rektorati
    • Tregues të realizimit: Prania e programeve
  • Rritja e numrit të stafit akademik të punësuar pranë DPPS

    • Koha e kryerjes: 2021 - 2024
    • Personi/Grupi përgjegjës: DPPS/Rektorati
    • Tregues të realizimit: 3 anëtarë të rinj deri në 2024
  • Angazhimi i DPPS në hartimin e programeve dhe projekteve kërkimore

    • Koha e kryerjes: 2021 e në vazhdim
    • Personi/Grupi përgjegjës: I gjithë stafi akademik
    • Tregues të realizimit: Programet afatshkurtra dhe/ose afatgjata dhe projektet e përfunduara

Fusha e Kërkimit Shkencor

Drejtimi Strategjik: Krijimi i mjedisit të favorshëm për nxitjen e kërkimit shkencor

Objektivi 1.1: Krijimi i mekanizmave për nxitjen e aplikimeve për grante kërkimore
  • Informimi i stafit akademik në kohë për të gjitha mundësitë e aplikimit për projekte kërkimore, konferenca kombëtarë dhe ndërkombëtare, si dhe revista shkencore

    • Koha e kryerjes: 2021 - 2024
    • Personi/Grupi përgjegjës: Sektori i marrëdhënieve me jashtë, Rektorati, Dekanati
    • Tregues të realizimit: Stafi akademik i informuar
  • Lehtësimi nga mësimdhënia i stafit të angazhuar në kërkim shkencor

    • Koha e kryerjes: 2021 e në vazhdim
    • Personi/Grupi përgjegjës: Përgjegjësja e departamentit
    • Tregues të realizimit: % e reduktimit të mësimdhënies
  • Përmirësimi i funksionimit të Qendrës së Ekselencës

    • Koha e kryerjes: 2021 e në vazhdim
    • Personi/Grupi përgjegjës: Grup ad hoc
    • Tregues të realizimit: Numri i aplikimeve për grante kërkimore nëpërmjet Qendrës së Ekselencës
  • Rritja e bashkëpunimit me institucione shtetërore (si MShMS) dhe organizata kombëtare dhe ndërkombëtare në mënyrë që të promovohen dhe implementohen kërkimet shkencore të DPPS

    • Koha e kryerjes: Në vazhdim
    • Personi/Grupi përgjegjës: I gjithë stafi
    • Tregues të realizimit: Numri i takimeve
Objektivi 1.2: Fuqizimi i kërkimit shkencor në kurrikulën e DPPS
  • Rishikimi i kurrikulës për të analizuar nivelin e përfshirjes së kërkimit shkencor në të gjitha programet e studimit

    • Koha e kryerjes: 2022
    • Personi/Grupi përgjegjës: Grup ad hoc
    • Tregues të realizimit: Numri i mbledhjeve të departamentit me këtë tematikë
  • Nxitja e përfshirjes vullnetare të studentëve në projektet kërkimore të DPPS

    • Koha e kryerjes: 2021 e në vazhdim
    • Personi/Grupi përgjegjës: Grupe ad hoc
    • Tregues të realizimit: Numri i studentëve të përfshirë vullnetarisht në projekte kërkimore
  • Krijimi i hapësirave për studentët për të marrë pjesë në projekte kërkimore

    • Koha e kryerjes: 2021 e në vazhdim
    • Personi/Grupi përgjegjës: Grupe ad hoc
    • Tregues të realizimit: Numri i studentëve të përfshirë në projekte kërkimore

Fusha e Kërkimit Shkencor

Drejtimi Strategjik: Rritja e vizibilitetit të kërkimeve shkencore të DPPS

Objektivi 2.1: Promovimi i kërkimeve shkencore të DPPS
  • Botimi i përvitshëm i Revistës së DPPS

    • Koha e kryerjes: Çdo vit
    • Personi/Grupi përgjegjës: Grup ad hoc
    • Tregues të realizimit: Revista e botuar
  • Organizimi i përvitshëm i konferencës vjetore të DPPS

    • Koha e kryerjes: Çdo vit
    • Personi/Grupi përgjegjës: Grup ad hoc
    • Tregues të realizimit: Libri i abstrakteve
  • Publikimi online në website i kërkimeve shkencore të realizuara nga DPPS

    • Koha e kryerjes: 2021 e në vazhdim
    • Personi/Grupi përgjegjës: Grup ad hoc
    • Tregues të realizimit: Numri i publikimeve online
  • Organizimi i aktiviteteve promovuese (si p.sh. leksionet e hapura, workshop) për të promovuar kërkimet shkencore të DPPS

    • Koha e kryerjes: 2021 e në vazhdim
    • Personi/Grupi përgjegjës: Grup ad hoc
    • Tregues të realizimit: Numri i aktiviteteve
  • Shpërndarja e botimeve tek aktorët kyçë relevantë

    • Koha e kryerjes: 2021 e në vazhdim
    • Personi/Grupi përgjegjës: Grup ad hoc
    • Tregues të realizimit: Numri i institucioneve ku janë shpërndarë

Fusha e Bashkëpunimit me Komunitetin e Profesionistëve dhe Institucionet Përkatëse

Drejtimi Strategjik: Integrimi i mundësive të reja për përfshirjen e studentëve me punonjës socialë profesionistë

Objektivi 1.1: Rishikimi i kurrikulës bazuar në standardet ndërkombëtare me fokus praktikën aktive
  • Realizimi i analizës së kurrikulës me fokus praktikën aktive të studentëve

    • Koha e kryerjes: 2022 - 2023
    • Personi/Grupi përgjegjës: Grup ad hoc/stafi
    • Tregues të realizimit: Raporti i analizës
  • Dhënia e rekomandimeve për ndryshimet e nevojshme në kurrikulën e programit bachelor të studimit në punë sociale

    • Koha e kryerjes: 2022 - 2023
    • Personi/Grupi përgjegjës: Grup ad hoc/stafi
    • Tregues të realizimit: Raporti i rekomandimeve
  • Adoptimi i rekomandimeve sipas hapësirave ligjore

    • Koha e kryerjes: 2021 - 2024
    • Personi/Grupi përgjegjës: Grup ad hoc
    • Tregues të realizimit: Numri i ndryshimeve
Objektivi 1.2: Zgjerimi i rrjetit të institucioneve të bashkëpunimit për praktikën profesionale aktive
  • Listimi i institucioneve ekzistuese

    • Koha e kryerjes: 2022
    • Personi/Grupi përgjegjës: Grup ad hoc
    • Tregues të realizimit: Lista e institucioneve
  • Identifikimi i institucioneve të mundshme për realizimin e praktikës aktive profesionale

    • Koha e kryerjes: 2022
    • Personi/Grupi përgjegjës: Grup ad hoc
    • Tregues të realizimit: Lista e institucioneve të rinj
  • Vendosja e kontakteve me institucionet e reja për të diskutuar potencialin për bashkëpunim në fushën e praktikës

    • Koha e kryerjes: 2022 - 2023
    • Personi/Grupi përgjegjës: Grup ad hoc
    • Tregues të realizimit: Numri i takimeve
  • Lidhja e marrëveshjeve të reja

    • Koha e kryerjes: 2022 - 2023
    • Personi/Grupi përgjegjës: Departamenti, Përgjegjësja e departamentit, Dekani FSHS
    • Tregues të realizimit: Numri i marrëveshjeve

Fusha e Bashkëpunimit me Komunitetin e Profesionistëve dhe Institucionet Përkatëse

Drejtimi Strategjik: Angazhimi me institucionet për advokim, kërkim dhe mbështetje me ekspertizë teknike

Objektivi 2.1: Nxitja e bashkëpunimit me organizata dhe institucione relevante me punën sociale dhe administrimin social
  • Listimi i marrëveshjeve aktuale dhe kërkimi për bashkëpunime të reja të mundshme

    • Koha e kryerjes: 2022
    • Personi/Grupi përgjegjës: Grup ad hoc
    • Tregues të realizimit: Lista e institucioneve
  • Vendosja e kontakteve për të lidhur marrëveshje të reja bashkëpunimi

    • Koha e kryerjes: 2022 - 2023
    • Personi/Grupi përgjegjës: Grup ad hoc
    • Tregues të realizimit: Numri i kontakteve
  • Vlerësimi i nevojave të institucioneve për realizimin e kurseve afatshkurtra dhe afatgjata nga DPPS

    • Koha e kryerjes: 2023
    • Personi/Grupi përgjegjës: Grup ad hoc
    • Tregues të realizimit: Raporti i vlerësimit
  • Hartimi dhe miratimi i programeve dhe kurrikulës së tyre për ofrimin e kurseve afatshkurtra dhe afatgjata

    • Koha e kryerjes: 2022 - 2023
    • Personi/Grupi përgjegjës: Grup ad hoc, Departamenti, Senati
    • Tregues të realizimit: Numri i kurseve afatshkurtra dhe afatgjata që i përshtaten nevojave
  • Ofrimi i kurseve afatshkurtra dhe afatgjata të çertifikuara, bazuar në nevojat e organizatave publike, private dhe jo-fitimprurëse

    • Koha e kryerjes: 2022 - 2024
    • Personi/Grupi përgjegjës: Stafi akademik
    • Tregues të realizimit: Kurse që ofrohen rregullisht
  • Ofrimi i kurseve për punonjësit që dëshirojnë të marrin licensën për ushtrimin e profesionit (sipas përcaktimeve të ligjit në fuqi)

    • Koha e kryerjes: 2023 e në vazhdim
    • Personi/Grupi përgjegjës: Stafi akademik i përfshirë në këtë kurs
    • Tregues të realizimit: Ofrimi i rregullt i kursit
  • Sigurimi i fondeve për kërkim shkencor të aplikuar në bashkëpunim me organizatat komunitare

    • Koha e kryerjes: 2021 - 2024
    • Personi/Grupi përgjegjës: Grup ad hoc
    • Tregues të realizimit: Numri i partneriteteve për realizimin e kërkimeve shkencore
  • Ndërmarrja e iniciativave të përbashkëta advokuese për çështjet relevante me punën sociale dhe administrimin social

    • Koha e kryerjes: 2021 - 2024
    • Personi/Grupi përgjegjës: Stafi akademik/OJF/Institucione publike
    • Tregues të realizimit: Numri i iniciativave
  • Krijimi i mekanizmit/protokollit për të identifikuar projektet e interesit të përbashkët me organizatat komunitare

    • Koha e kryerjes: 2022
    • Personi/Grupi përgjegjës: Grup ad hoc
    • Tregues të realizimit: Protokolli/mekanizmi
  • Ofrimi i ekspertizës teknike dhe mentorimit nga stafi akademik sipas nevojave të organizatave jofitimprurëse dhe institucioneve publike dhe private

    • Koha e kryerjes: 2021 - 2024
    • Personi/Grupi përgjegjës: Stafi akademik
    • Tregues të realizimit: Kontratat e rregullta të stafit akademik me OJF/institucione publike dhënien e ekspertizës teknike
Konferenca Shkencore Vjetore

2018-2022

  • Konferenca e Dytë Ndërkombëtare “Arritje dhe sfida të profesionit të punës sociale në Shqipëri”, Shkodër 19-20 Tetor 2018, Universiteti i Shkodres “Luigj Gurakuqi”, organizuar në bashkëpunim mes tre departamenteve të punës sociale, UT, USH, UE.
    https://www.taskproject.eu/wp-content/uploads/2019/01/Shkoder2018_BOOKkonference.pdf
  • Konferenca e Tretë Ndërkombëtare “Arritje dhe sfida të profesionit të punës sociale në Shqipëri”, Elbasan, 8 Nëntor 2019, Universiteti i Shkodres “Luigj Gurakuqi”, organizuar në bashkëpunim mes tre departamenteve të punës sociale, UT, USH, UE.
    https://www.taskproject.eu/wp-content/uploads/2019/01/ELB2019_faqosjaBook.pdf
  • Konference Ndërkombëtare. Konferenca u mbajt ne 3 Dhjetor 2020, online, me te ftuar kryesore figura nderkombetare te Punes Sociale dhe me perfaqesues te sherbimeve sociale nga Shqiperia dhe vendet partnere si Itali, Portugali, etj.
  • Konferenca e Katërt Ndërkombëtare “Arritje dhe sfida të profesionit të punës sociale në Shqipëri”, Tiranë, 31 Maj 2019, Universiteti i Tiranes, FSHS,DPPS”, organizuar në bashkëpunim mes tre departamenteve të punës sociale, në USH, UE.