Në kuadër të projektit “Rritja e kapaciteteve të punonjësve socialë, që punojnë në fushën e shërbimeve sociale, si dhe përmirësimi i edukimit në Punë Sociale” që Departamenti i Punës dhe Politikës Sociale-Universiteti i Tiranës po zbaton në bashkëpunim me UNICEF, datë 17 Prill 2020, ora 18.00 u zhvillua një takim online me profesionistë të shërbimeve sociale dhe përfaqësues të disa organizatave që punojnë në këtë fushë.
Takimi kishte qëllim diskutimin dhe rrahjen e ideve për nevojat e profesionistëve për trjanime në distancë për menaxhimin e emergjencave, supervizimin në distancë, etj. në situatën e krijuar nga COVID 19.
Në takim morën pjesë: Alma Tandilli, Kryetare e Agjencisë për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Aida Pambuku përfaqësuese e Drejtorisë të Shërbimeve Sociale-Bashkia e Tiranës, Juliana Vokopola Organizata ARSIS, Anduela Valle përfaqësuese e SHKEJ, Klaudio Pulaha përfaqësues i ALO 116, Ana Majko përfaqësuese e ARSIS, Shpresa Spahiu përfaqësuese e Ndihmë për Fëmijët dhe stafi i projektit.
Nga pjesëmarrësit u sugjerua fillimi i trajnimeve online për çështjet: ndërhyrjet në situata emergjence, konsumimi profesional dhe planifikimi i shërbimeve sociale, me fokus praktik për të ndihmuar punonjësit socialë në përballimin dhe gjetjen e përgjigjeve të duhura në situatën aktuale.
Grupet që do të targetohen me këto trajnime janë: punonjësit socialë në qendrat sociale komunitare, shërbimet shëndetësore, shërbimi psiko-social në shkolla, punonjësit e shërbimeve sociale në pushtetin vendor, administratorët vendorë në zona të pambuluara nga projekte apo ndërhyrje të tilla.