PROGRAME STUDIMI TË CIKLIT TË TRETË
Programet e studimeve të doktoratës janë programe të studimeve të ciklit të tretë, me karakter plotësisht akademik, që kanë në bazë hulumtimin shkencor dhe veprimtarinë krijuese. Studimet e
doktoratës përfshijnë studimet e organizuara teorike (60 kredite ECTS) dhe përgatitjen e disertacionit. Në përfundim të programit të studimeve të doktoratës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor” (Dr).
Punimi i disertacionit të doktoratës është një punë hulumtuese e cila realizohet në mënyrë individuale dhe të pavarur për një çështje a problem nga fusha e studimit përkatës e cila paraqitet për mbrojtje, si rregull, pas përfundimit të programit të studimeve të organizuara teorike. Punimi synon të demonstrojë aftësitë analitike të studentit, aftësitë e tij për të integruar këndvështrimet teorike me materiale të ndryshme empirike, për të shprehur një qëndrim të caktuar profesional, provon zbatimin e një zgjidhjeje bazuar në të dhëna empirike, identifikon dhe strukturon probleme të reja, zhvillon zgjidhjen e një problemi ose prezanton ide dhe teori të reja.
Programi i Studimeve Doktorale është miratuar me urdhër të Ministrit të Arsimit dhe të Shkencë (MASH), nr. Nr.567, datë 23.11.2011.
Realizimi i këtij programi studimor ka filluar gjatë vitit akademik 2012-2013, sipas propozimit të miratuar dhe “Rregullores për Organizimin e Programeve të Studimit të Doktoratave”, të Universitetit të Tiranës.