logo



Autoritetet Drejtuese të Fakultetit të Shkencave Sociale

 

Prof. Dr. Edmond Rapti

Dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës

Ka kryer studimet universitare në fushën e biokimisë në Universitetin e Tiranës. Më tej ka kryer studimet pasuniversitare në fushën e pedagogjisë dhe psikologjisë në Universitetin e Tiranës. Gjithashtu, ka kryer studime të avancuara në fushën e drejtimit dhe administrimit të arsimit në Pace University, New York, SHBA. Ka kryer disa specializime në Greqi, Belgjikë, Spanjë dhe vende të tjera. Ka fituar gradën shkencore “doktor “ në fushën e psikologjisë në Universitetin e Tiranës. Më pas ka fituar titujt akademikë “profesor i asociuar” dhe “profesor”. Karriera e tij profesionale filloi 40 vjet më parë. Gjatë karrierës së tij universitare në 28 vitet e fundit ka mbajtur leksione në programet bachelor, master dhe doktoraturë në pedagogji dhe psikologji. Fushat e ekspertizës janë: shërbimi psikosocial, psikologjia shkollore, këshillimi karierës, menaxhimi dhe drejtimi i shkollës, lidershipi arsimor. Ka përvojë në drejtimin e arsimit të lartë si zëvendësrektor, dekan, zëvendësdekan dhe drejtues departamenti. Ka një përvojë të pasur në përgatitjen e mësuesve dhe psikologëve, në politikat dhe administrimin në arsim, në psikologji, në trajnimin e mësuesve si trajner në kurset e shkurtra për mësues të arsimit parashkollor, fillor dhe të mesëm dhe të drejtorëve të shkollave. Ka bashkëpunuar me shkolla për organizimin e praktikës profesionale të studentëve të mësuesisë. Ka kontribut në reformimin e arsimit shqiptar. Ka kontribut në zbatimin e Procesit të Bolonjës në kontekstin shqiptar. Është bashkautor i disa kërkimeve shkencore rajonale mbi përgatitjen dhe trajnimin e mësuesve. Ka marrë pjesë në konferenca shkencore Brenda dhe jashtë vendit. Ka përvojë pune me projekte ndërkombëtare. Ka botuar libra dhe artikuj mbi tema të politikave arsimore, të shërbimit psikologjik, të drejtimit të shkollës, të psikologjisë shkollore, zhvillimit profesional të mësuesve, dhunës në shkollë etj.

 


 

Prof. Asoc. Dr. Rudina Rama 

Zëvendësdekane e Fakultetit të Shkencave Sociale për programet e studimit të ciklin e parë, të tretë dhe projektet

 

Është e punësuar me kohë të plotë pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës. Aktualisht është edhe senatore e Universitetit të Tiranës. Ka një përvojë pune shumëvjeçare si pedagoge dhe studiuese në Universitetin e Tiranës. Pas diplomimit në punë sociale në vitin 1996, ka kryer studimet pasuniversitare në punë sociale dhe administrim publik, më pas ato doktorale në të njëjtën fushë studimi dhe që nga viti 2015 mban gradën shkencore profesore e asociuar. Fushat kryesore të mësimdhënies dhe përvojës kërkimore përfshijnë dimensionin social në kujdesin shëndetësor, administrimin e politikave dhe shërbimeve sociale; mirëqënien e fëmijëve dhe të rinjve dhe aplikimin e metodave kërkimore në fushën e shkencave sociale. Gjatë përvojës profesionale është përfshirë dhe ka drejtuar një sërë projektesh shkencore dhe zhvillimore kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e shkencave sociale të mbështetura nga qeveria e Republikës së Çekisë, Irlandës, projekte të financuara nga Komisioni Evropian nëpërmjet programve Erasmus +, Evropa për qytetarët etj. Gjithashtu, ka marrë pjesë në një sërë konferencash shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare të zhvilluara brenda dhe jashtë vendit, ka botuar një sërë artikujsh shkencorë në revista prestigjoze dhe të indeksuara dhe është bashkautore e disa librave të botuara nga shtëpi botuese prestigjoze ndërkombëtare. Në vitit 2016 – 2020 ka drejtuar Departamentin e Punës dhe Politikës Sociale.

 


 

Dr. Edvin Lame

Zëvendësdekan i Fakultetit të Shkencave Sociale për programet e studimit të ciklit të dytë dhe mobilitetin

 

U diplomua pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, Departamenti i Psikologjisë dhe Pedagogjisë, Universiteti i Tiranës në vitin 2001. Përfundoi një Master të Arteve në Londër, Mbretëria e Bashkuar në vitin 2006. U doktorua në psikologji në vitin 2015 në psikologji nga Universiteti Tiranës. Ai ka një experincë të gjatë si lektor në lëndët: Shkrim Akademik, Psikologji Politike, Psikologji Sociale Ligjore, dhe Psikologji Organizacionale. Që nga viti 2009 në vazhdim ai është pedagog i brendshëm në Departamentin e Psikologjisë dhe Pedagogjisë, Fakulteti i Shkencave Sociale i Universitetit të Tiranës dhe që nga viti 2020 është, gjithashtu, zëvendësdekan i këtij fakulteti. Ka botuar një sërë artikujsh në revista shkencore dhe ka referuar në konferenca në Shqipëri dhe jashtë saj. Fokusi i kërkimit janë problemet me të cilat përballen komunitetet vulnerabël në Shqipëri. Për dy dekada ai gjithashtu ka punuar si ekspert psiko-social duke ndihmuar komunitetet në nevojë (romë dhe egjiptianë, fëmijët jetim) në Shqipëri dhe Kosovë. Bazuar në përvojën e fituar në këtë drejtim, nga 2015 në 2017 ai ka qënë Këshilltar i Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë së Shqipërisë, përgjegjës për Departamentin e Mirëqenies Sociale (Anëtar i Komitetit të Ekspertëve për Çështjet e Romëve dhe Udhëtarëve (CHAROM), Përfaqësues për Shqipërinë – Këshilli i Evropës, 2015-2017, si dhe Pika Fokale Kombëtare e Integrimit të Romëve 2020, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, 2016–2017). Për më tepër përgjatë kësaj periudhe ai dha kontributin e tij për integrimin e profesionit të psikologut në shoqërinë shqiptare dhe përfshirjen e psikologut në listën e profesioneve të rregulluara (Miratimi i Ligjit të Psikologut, në Parlamentin Shqiptar 2016 dhe Themelimi i Urdhrit të Psikologut në Shqipëri 2017).