logo



Edukimi për Median dhe Informacionin për Mësuesit e Ardhshëm

Ditën e premte, datë 12 maj 2023, pranë Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës, Instituti Shqiptar i Medias prezantoi projektin “Edukimi për Median dhe Informacionin për Mësuesit e Ardhshëm.” Evoluimi i vazhdueshëm i peizazhit mediatik dhe i burimeve të informacionit diktojnë një nevojë urgjente për edukimin e qytetarëve për median dhe informacionin, duke pasur parasysh polarizimin, klientelizmin, shkallën e përhapjes së propagandës, dezinformimit dhe teorive konspirative, etj.  

Studentët dhe pedagogët e pranishëm u njohën me qëllimet, aktivitetet kryesore, si dhe mundësinë e stafit pedagogjik dhe studentëve për t’u bërë pjesë e këtij projekti nëpërmjet projekteve në grup apo projekteve individuale.  

Fakulteti i Shkencave Sociale është bërë pjesë e kësaj iniciative duke konsideruar rëndësinë e bashkëpunimit me partnerë të shoqërisë civile për të përmirësuar aftësitë bazë në lidhje me median dhe informacionin si dhe për të bashkëpunuar për zhvillimin e kurrikulës për edukimin për median dhe informacionin, trajnime, si dhe për të nxitur pjesëmarrjen e studentëve duke provuar aftësitë e tyre krijuese, si dhe mundësi të tjera për t’u përfshirë në projekt në formën e granteve, trajnimeve, apo shkëmbimeve profesionale.  

Aktivitetet e ndryshme, sidomos me studentët e profileve të studimit Sociologji, Psikologji dhe Filozofi, të cilët janë potencialisht kandidatë për t’u profilizuar në ciklin e dytë të studimeve si Mësues të shkencave sociale në Arsimin e mesëm të lartë, synojnë përfshirjen e studentëve në trajnimet dhe në konkurset që do të zhvillohen rreth temave të edukimit mediatik. 

Në këtë aktivitet trajnerë ishin: 

  • Rrapo Zguri, profesor i gazetarisë në Universitetin e Tiranës, trajner për edukimin për median dhe informacionin.
  • Irena Myzeqari, trajnere për edukimin për median dhe informacionin, eksperte komunikimi.

Shihemi në të tjera aktivitete!