logo



Projekti studentor: “Dyshoni dhe kërkoni të vërtetën: Përdorimi i edukimit kritik mediatik dhe fushatës së udhëhequr nga të rinjtë për të promovuar fuqizimin e të rinjve”,

Zbatuar nga studentë të Fakultetit të Shkencave Sociale, Departamenti i Sociologjisë në kuadër të projektit të implementuar nga Instituti Shqiptar i Medias “Edukimi për median dhe informacionin për mësuesit e ardhshëm”, i mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri (nëntor-dhjetor 2023)


Aktiviteti i parë: Ministudimi

 

Për të kontribuar në plotësimin e tablosë së karakteristikave të edukimit mediatik dhe kontekstualizimin e veçorive të tij në shoqërinë shqiptare është ndërmarrë ky studim tek të rinjtë studentë të Fakultetit të Shkencave Sociale. Hulumtimi i realizuar mbi Edukimin Mediatik dhe Informacionin ka si qëllim kryesor të vlerësojë karakteristikat e edukimit mediatik tek të rinjtë studentë, si dhe të përshkruajë llojin e angazhimit të tyre në mediat sociale. Ky studim është realizuar me qëllim orientimin e veprimtarive trajnuese, zhvilluese dhe sensibilizuese në kuadër të projektit studentor “Dyshoni dhe kërkoni të vërtetën: Përdorimi i edukimit kritik mediatik dhe fushatës së udhëhequr nga të rinjtë për të promovuar fuqizimin e të rinjve”

Raporti përshkrues i të dhënave të studimit dhe pyetësori –> Kliko, këtu

 


Aktiviteti i dytë: 2 (dy) Workshope:

 

Workshopi 1: Në datën 20.11.2023 në Fakultetin e Shkencave Sociale u mbajt Workshopi I me temë “MEDIA DHE UNË: NJË PËRBALLJE SPONTANE APO E QËLLIMTË?”. Nëpërmjet këtij aktiviteti u synua rritja e kapaciteteve të të rinjve në selektimin dhe trajtimin e materialeve dhe produkteve ndaj të cilave ekzpozohen gjatë përdorimit të mediave të ndryshme tradicionale dhe të reja. Në fazën e vlerësimit të karakteristikave të edukimit mediatik dhe të llojeve të angazhimit të studentëve në përdorimin e mediave dhe informacionit rezultoi se të rinjtë dhe të rejat ekspozoheshin në sasi orësh të konsiderueshme ndaj kontentit mediatik. Në këtë kontekst, në këtë workshop u synua të nxitej vëmendja e të rinjve si përdorues të aplikacioneve, mediave sociale dhe internetit në mënyrë të vëmendshme dhe të informuar. Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti ishte nxitja e qëndrimit kritik ndaj kontentit mediatik që ekspozohemi dhe edukimi i kulturës së konsumatorit përzgjedhës së informacionit dhe jo të konsumatorit pasiv. Gjithashtu, theks i dedikuar ju kushtua përdorimit të mediave sociale si një hapësirë komunikimi ku vetë të rinjtë dhe të rejat bëhen krijues i përmbajtjes mediatike. Nëpërmjet diskutimit dhe rasteve studimore u synua kuptimi i rëndësisë së mediave sociale si një medium publik në të cilin të rinjtë dhe të rejat mund të krijojmë përmbajtje në funksion të qëllimeve të caktuara duke synuar dhe nxitur edhe aktivizmin social mbi çështje të rëndësishme të jetës në komunitet apo edhe më gjerë.

Aktiviteti u moderua nga studentet: Sara Bami dhe Paula Brami

 

 

 

Workshopi 2: Në datën 22.11.2023 në Fakultetin e Shkencave Sociale u mbajt Workshopi II me temë “MULTIMEDIA DHE PËRGJEGJËSIA SOCIALE”. Nëpërmjet këtij aktiviteti u synua identifikimi i rolit pozitiv të medias në shoqëri dhe si si media mund të përdoret duke përmbushur funksione të rëndësishme sociale në momente kritike të shoqërisë, duke treguar tipare të përgjegjësisë sociale. Në një veprimtari në ballafaqim të kontraditave, efekteve pozitive dhe negative të medias, studentët reflektuan rreth potencialit reformues, demokratizues dhe emancipues në rastet e përdorimit të përgjegjshëm të medias. Rastet studimore në fokus ishin të larmishme, por fokusi kryesor u përqëndrua tek roli i përgjegjësisë sociale të medias në informim (rasti i Covid-19); roli i medias në mobilizim social dhe nxitjen e solidaritetit (rasti i tërmetit ne vitin 2019, përmbytjeve, rastet e krimit në familje, etj.); roli i medias në pararorjë të drejtësisë sociale (fushat ndaj grupeve vulnerabël, fushatat me bazë gjinore); roli  i medias në stimulimin, nxitjen, aktivizimin dhe mbajtjen gjallë të lëvizjeve sociale (protestat e studentëve 2018, protesta e studentëve të mjekësisë).

Aktiviteti u moderua nga studentet: Klaudia Gjikolaj dhe Kristjana Bushi

 


Aktiviteti i tretë:Video promovuese/sensibilizuese

– Videot promovuese/sensibilizuese mbi rëndësinë e edukimit kritik mediatik të të rinjve janë realizuar nga studentë të Departamentit të Sociologjisë me qëllim sensibilizimin e të rinjve për një përdorim kritik dhe të informuar të medias. Videot synojnë të promovojë shmangien e pajtueshmërisë së verbër ndaj materialit mediatik duke synuar ngritjen e kapaciteteve të të rinjve për të menduar përpara se të veprojnë dhe ndërveprojnë nëpërmjet medias.