logo



Konferenca studentore “Cultivating the future generation of changemakers”

Departamenti i Shkencave Politike, Fakulteti i Shkencave Sociale në bashkëpunim me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim dhe Fondacionin Hanns Seidel Stifung organizoi më 4 Dhjetor 2023 konferencën studentore “Cultivating the future generation of changemakers”.

Kjo konferencë kulmoi një sërë sesionesh trajnimi me studentët master të FSHS mbi çështjet më aktuale të politikave publike si anti-korrupsioni, reforma në administratën publike, integrimi në BE, çështjet e sigurisë kibernetike, parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe parandalimi i pastrimit të parave, në të cilat studentët paten mundësinë të njihen teorikisht me praktikat e politikbërjes që aplikohen aktualisht si dhe me impaktin e hulumtimeve dhe të advokimit nga organizatat e shoqërisë civile mbi to. Në përfundim të trajnimeve studentët, nën udhëheqjen e ekspertëve të shoqërisë civile, përgatitën dokumente politikash të cilat u prezantuan në konferencë.

Konferenca studentore shërbeu gjithashtu për të krijuar një lidhje mes stafit akademik dhe studentëve të FSHS me përfaqësues të shtatë organizatave të shoqërisë civile me fokus të rinjtë, mirëqeverisjen dhe politikat publike. Në fjalën e tij Zv. Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale Prof. Asoc. Dr. Edvin Lame vlerësoi risinë e këtij modeli bashkëpunimi dhe parashtroi mënyrat dhe idetë se si ky model mund të përmirësohet dhe thellohet edhe më tej me qëllim krijimin nga studentët e FSHS të një eksperience praktike apo për të nxitur punësimin e tyre të ardhshëm nërpërmjet përfshirjes në praktika institucionale, aktivitete, hulumtime apo projekte të tjera të organizatave të shoqërisë civile.