logo



Botohet studimi “Historia e Shërbimeve Sociale dhe Profesioni i Punës Sociale në Shqipëri”!

Studimi “Historia e Shërbimeve Sociale dhe Profesioni i Punës Sociale në Shqipëri”, hartuar në kuadër të projektit ‘Rritja e kapaciteteve të punonjësve socialë që punojnë në fushën e shërbimeve sociale dhe përmirësimi i edukimit në Punë Sociale”, prezanton një përmbledhje të përgjithshme të zhvillimeve historike të punës sociale dhe shërbimeve sociale në Shqipëri pas viteve ‘90-të deri tani. Ai eksploron ndryshimet që kanë ndodhur në modelin e shërbimeve të kujdesit shoqëror në Shqipëri, duke identifikuar sfidat edhe fushat ku profesionistët e punës sociale mund të ndërhyjnë.
 
Studimi është i një rëndësie të veçantë, jo vetëm sepse është ndër të paktët studime në këtë fushë, por edhe se targeton në mënyrë specifike marrëdhënien mes zhvillimit të shërbimeve sociale dhe punës sociale. Studimi prezanton një tablo të qartë të këtyre zhvillimeve, me të gjithë kompleksitetin e tyre. Për herë të parë analizohet modeli social i shërbimeve sociale në Shqipëri.

Përmes këtij punimi synohet të sillet në vëmendje qasja e përdorur në ngritjen e sistemit aktual të përkujdesit shoqëror në vend, situata, problematikat dhe sfidat në zbatimin e tyre. Nga njëra anë, një studim i modelit të përkujdesit shoqëror në vend është shumë i rëndësishëm, duke pasur parasysh reformimin e këtij sistemi në Shqipëri gjatë dekadave të fundit. Përpjekja për të
identifikuar llojin e modelit social të ndjekur në vend, ngjashmëritë dhe ndryshimet me modelet ekzistuese në Europë kanë munguar.

Gjetjet e studimit do të nxitin një debat konstruktiv mes ofruesve të shërbimeve sociale, në të tri nivelet e tyre, dhe profesionistëve të punës sociale për të hartuar dhe zhvilluar më tej strategji më gjithëpërfshirëse e efektive për
grupet në nevojë.
 
Besojmë që ky studim do të kontribuojë për të kuptuar më mirë realitetin e shërbimeve sociale në vend, për të promovuar rëndësinë e cilësisë së këtyre shërbimeve dhe për të identifikuar rolin e profesionistëve të punës sociale në të gjithë procesin e
mbrojtjes sociale. 
 
Ky raport studimor synon gjithashtu,që të jetë një burim informacioni i rëndësishëm për të gjithë profesionistët e fushës, studentët dhe organizatat e institucionet që ofrojnë shërbime sociale dhe punojnë në fushën e mirëqenies sociale.
 
Projekti ‘Rritja e kapaciteteve të punonjësve socialë që punojnë në fushën e shërbimeve sociale dhe përmirësimi i edukimit në Punë Sociale” mbështetet nga UNICEF dhe zbatohet nga Fakulteti i Shkencave Sociale/UT në kuadër të programit LeaveNoOneBehind financuar nga SDC.
 
.
.