logo



Konference Shkencore organizuar nga Departamenti i Sociologjisë – “Ristrukturimi i shoqërise nën trysninë e pandemisë”

Konference Shkencore organizuar nga Departamenti i Sociologjisë

“Ristrukturimi i shoqërise nën trysninë e pandemisë”


Departamenti i Sociologjisë i Universitetit të Tiranës organizoi në datën 18 maj 2022, në Fakultetin e Shkencave Sociale Konferencën Shkencore Kombëtare “Ristrukturimi i shoqërisë nën trysninë e pandemisë”. Departamenti i Sociologjisë është i angazhuar vazhdimisht në studimin e çështjeve më të rëndësishme që preokupojnë shoqërinë shqiptare. Në vijim të kësaj tradite të konsoliduar nëpërmjet punimeve studimore të kësaj konference Departamenti i Sociologjisë synon të trajtojë problematikat komplekse që shkaktoi pandemia e Covid-19 në dimensione të ndryshme të zhvillimit shoqëror në fillim të dhjetëvjeçarit të tretë të shekullit të XXI-të. Kjo emergjencë komplekse, jo vetëm sanitare, ndryshoi format e veprimtarisë, përshpejtoi ndryshimin, paraqiti sfida të reja, por ofroi edhe mundësi të reja. Protagonistët e debatit shkencor sociologjik, mjekësor, publik, politik, ekonomik e kulturor theksojnë vazhdimisht se shoqëria pas pandemisë COVID-19 do të jetë ndryshe. Studiuesit ndërdisiplinarë dhe veçanërisht sociologët gjithnjë e më shumë janë të interesuar në eksplorimin dhe ekzaminimin shkencor të risive dhe sfidave me të cilat shoqëria njerëzore do të përballet në vijimësi. Në këto kushte studimet sociologjike mund të hedhin dritë mbi implikimet e kufizimeve të COVID-19 për jetën shoqërore. Kjo konferencë shkencore kombëtare synoi të trajtojë në rrafshe sociologjike, ekonomike, politike e psikokulturore problemet e sfidat kryesore të pandemisë, të sugjerojë rrugëzgjidhje shkencërisht të argumentuara për tejkalimin e problemeve sociale e të sfidave të tilla në të tashmen dhe të ardhmen. Ky aktivitet synoi të promovojë rolin që institucionet kërkimore të arsimit të lartë duhet të luajnë në përgjigjen me seriozitet shkencor nevojës për të hulumtuar mbi “realitetin e ri” shoqëror përgjatë dhe pas COVID-19.

.

Në seancën plenare të konferencës morrën pjesë:

.

Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, i cili shprehu mbështetjen dhe angazhimin e Universitetit të Tiranës për kërkimin shkencor dhe nxitjen e aktiviteteve kërkimore në nivel kombëtar e ndërkombëtar, duke vlerësuar në mënyrë të veçantë angazhimin e studentëve në aktivitete të tilla.

.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Dr. Edmond Rapti, i cili vlerësoi angazhimin e kolegëve dhe studentëve të Departamentit të Sociologjisë në realizimin e aktiviteteve cilësore shkencore dhe mësimore, duke nënvizuar ritmin e ecurisë dhe agjendave të aktiviteteve të shumta në Fakultetin e Shkencave Sociale në vitin akademik 2021-2022, kur edhe pandemia duket se nuk po kushtëzon më potencialin për jetë aktive universitare.

.

Moderatorja e konferencës, Dr. Blerina Hamzallari, në cilësinë edhe të Përgjegjëses së Departamentit të Sociologjisë u shpreh falenderuese ndaj kontribuesve me punime kërkimore, përfaqësues të universiteteve publike e jopublike në Republikën e Shqipërisë, specialistëve kërkimorë në organizata qeveritare e joqeveritare, si dhe ndaj iniciativave të studentëve të Departamentit të Sociologjisë dhe studentëve Alumni për t’u angazhuar në aktivitete dhe konferenca kombëtare e ndërkombëtare.