- FILLIMI
- RRETH FAKULTETIT
- PROGRAMET E STUDIMIT
- STUDENTET
- KERKIMI DHE BOTIME
- NJOFTIME
- KONTAKT
Konferencë Shkencore Kombëtare “Njerëzorja dhe ardhmëritë e saj”
17 Nëntor 2022, Ora 09:00, Salla “Aula Magna”
Fakulteti i Shkencave Sociale
Në kuadrin e Ditës Botërore të Filozofisë, në përputhje me tematikën e propozuar nga UNESCO, Departamenti i Filozofisë organizon Konferencën Shkencore Kombëtare: “Njerëzorja dhe ardhmëritë e saj” (“The forthcoming human”). Nisur nga ndryshimet radikale që po përjetojmë këto vitet e fundit, qoftë në dimensionin teknologjik, qoftë në atë më të përgjithshëm historik, ku preken çështje të rëndësishme si përfytyrimet klasike të paqes dhe qëndrueshmërisë në përgjithësi, efektet e të cilave përthyhen edhe individualisht, ngjan se duhet shtruar me ngulm çështja e njerëzores dhe e shpërfaqjeve të saj në një pyetësim thelbësor që prek fronte të ndryshme të ekzistencës (individuale dhe komunitare). Përtej aspekteve evolutive historike, përtej dekonstruktimeve të vazhdueshme konceptuale të kategorisë së subjektit, të njohura si inkursione sistematike në dekadat e fundit të mendimit filozofik, nisur nga kriza e shumëfishtë ku ndodhemi globalisht, ndoshta duhet ngritur çështja e një reflektimi kritik sikundër dhe krijues rreth një thyerjeje paradigmatike të mundshme të asaj çka, gjithmonë me pikëpyetje dhe në mënyrë jopërfundimtare, i referohemi me termin “njerëzore”. Një problematizim i tillë mund dhe duhet të shtrohet nga perspektiva të ndryshme të dijes dhe mendimit (antropologji, filozofi, histori, mjekësi, inteligjencë artificiale, etj.), në mënyrë që të krijohet një hapësirë komplekse dhe e hapur diskutimi dhe rimendimi përtej çdo forme autoreferenciale dhe përtej çdo paragjykimi të mundshëm.
Ju ftojmë të merrni pjesë në datën 17 nëntor 2022 në sallën Aula Magna, Fakulteti i Shkencave Sociale, Tiranë.