logo



Prof Asoc. Dr. Arjana Mucaj

Prof Asoc. Dr. Arjana Muçaj, është pedagoge me kohë të plotë në Fakultetin e Shkencave Sociale, Departamenti i Pedagogji – Psikologjisë, Universiteti i Tiranës. Studimet e larta i ka kryer në Universitetin e Sofies, St. Kliment Ohridski, Bullgari në degën Psikologji dhe më pas ka vazhduar studimet pasuniversitare në fushën e Psikologjisë Ligjore dhe Sociale në Universitetin e Sofies – Bullgari, ku dhe ka marrë gradën shkencore “Doktor” i Shkencave në Psikologji . Ka një përvojë në mësimdhënie prej më shumë se 21 vite. Fushat e ekspertizës janë; Psikologji Ligjore, Sociale, Zhvillimi e Edukimi. Aktualisht drejton Departamentin e Pedagogji-Psikologjisë.

Botimet e saj janë të shumta e të pasura, si autor, bashkëautor brënda dhe jashtë vendit. Artikujt e botuar me karakter hulumtues e profesional janë të shumtë, një pjesë e të cilëve, janë botuar në revista të huaja të njohura ndërkombëtarisht në gjuhën angleze.

 

 

 

.

 

Prof. Dr. Edmond Rapti

Prof. Dr. Edmond Raptika kryer studimet universitare në fushën e biokimisë në Universitetin e Tiranës. Më tej ka kryer studimet pasuniversitare në fushën e pedagogjisë dhe psikologjisë në Universitetin e Tiranës. Gjithashtu, ka kryer studime të avancuara në fushën e drejtimit dhe administrimit të arsimit në Pace University, New York, SHBA. Ka kryer disa specializime në Greqi, Belgjikë, Spanjë dhe vende të tjera. Ka fituar gradën shkencore “doktor “ në fushën e psikologjisë në Universitetin e Tiranës. Më pas ka fituar titujt akademikë “profesor i asociuar” dhe “profesor”. Karriera e tij profesionale filloi 40 vjet më parë. Gjatë karrierës së tij universitare në 28 vitet e fundit ka mbajtur leksione në programet bachelor, master dhe doktoraturë në pedagogji dhe psikologji. Fushat e ekspertizës janë: shërbimi psikosocial, psikologjia shkollore, këshillimi karierës, menaxhimi dhe drejtimi i shkollës, lidershipi arsimor. Ka përvojë në drejtimin e arsimit të lartë si zëvendësrektor, dekan, zëvendësdekan dhe drejtues departamenti. Ka një përvojë të pasur në përgatitjen e mësuesve dhe psikologëve, në politikat dhe administrimin në arsim, në psikologji, në trajnimin e mësuesve si trajner në kurset e shkurtra për mësues të arsimit parashkollor, fillor dhe të mesëm dhe të drejtorëve të shkollave. Ka bashkëpunuar me shkolla për organizimin e praktikës profesionale të studentëve të mësuesisë. Ka kontribut në reformimin e arsimit shqiptar. Ka kontribut në zbatimin e Procesit të Bolonjës në kontekstin shqiptar. Është bashkautor i disa kërkimeve shkencore rajonale mbi përgatitjen dhe trajnimin e mësuesve. Ka marrë pjesë në konferenca shkencore Brenda dhe jashtë vendit. Ka përvojë pune me projekte ndërkombëtare. Ka botuar libra dhe artikuj mbi tema të politikave arsimore, të shërbimit psikologjik, të drejtimit të shkollës, të psikologjisë shkollore, zhvillimit profesional të mësuesve, dhunës në shkollë et

 

.

 

Prof.Dr. Adem Tamo

Prof.Dr. Adem Tamo është i punësuar me kohë të plotë që në vitin 1983 Universitetit të Tiranës pranë Fakultetit të Shkencave Sociale të dhe ka një përvojë pune 39 vjeçare si pedagog dhe studiues.

Pas diplomimit për filologji në Universitetin e Tiranës në vitin 1981: ka kryer studimet pasuniversitare në fushën e psikologjisë dhe të pedagogjisë në vitin 1982-1983; ka kryer studimet doktorale në fushën e psikologjisë në vitet 1983-1988; është titulluar “Prof. Assoc.” në vitin 1994; është titulluar “Prof. Dr.” në vitin 1999. Këto studime dhe eksperienca e punës janë kryer në fushën e psikologjisë dhe të edukimit.

Fushat e mësimdhënies dhe ekspertizës kërkimore përfshijnë: teoritë këshillimit dhe të psikoterapisë, praktikën e këshillimit, vlerësimin klinik dhe traumat psikike, metodat cilësore të kërkimit shkencor, etj.

Ai ka marrë pjesë në disa projekte kërkimi kombëtare në fushën e dhunës, të mirërritjes së fëmijëve, të pozitës së gruas në shoqëri, të migracionit të cilat janë të publikuara. Ai ka marrë pjesë në projektin për çeljen e studimeve psikologjike në Shqipëri në universitete publike e private, në disa projekte për zhvillimin e formimin e mësuesve, për trajnimin e psikologëve, etj.

Ai ka shërbyer si drejtor i Klinikës Universitare të Këshillimit dhe Psikoterapisë, Përgjegjës i Seksionit të Psikologjisë të Departamentit të Pedagogjisë dhe Psikologjisë, Përgjegjës i Departamentit të Pedagogjisë dhe Psikologjisë, Dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës.

Ka botuar ose publikuar 20 tekste universitare e parauniversitare, disa monografi dhe 80 artikuj e kumtime në botime periodike e konferenca të vendit dhe ndërkombëtare.

Aktualisht është pedagog në  Departamentin e Pedagogjisë dhe Psikologjisë në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës.

 

.

 

Prof. Dr. Bardhyl Musai

Prof. Dr. Bardhyl Musai është profesor me kohë të plotë në Fakultetin e Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës. Ai ka një përvojë prej më shumë se 40 vjet në arsim dhe mbi 30 vjet në mësimdhënie dhe hulumtime universitare, titullar i lëndëve Psikologji sdukimi, Metodologji e mësimdhënies dhe të menduarit kritik, Menaxhim i ndryshimeve në arsim, Bazat e menaxhimit dhe administrimit në arsim. Ka marrë pjesë si anëtar në disa grupe pune për reformën arsimore në Shqipëri, hartimin e legjislacionit për arsimin parauniversitar dhe atë të lartë, anëtar i Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës pranë Ministrit të Arsimit 2006 – 2013, anëtar i Reformës së Arsimit të Lartë Ekspertët (HERE), iniciativë TEMPUS e financuar nga BE. Ai ka qenë gjithashtu Kryetar i Këshillit për Akreditimin e Arsimit të Lartë nga viti 2006 deri në vitin 2014 dhe këshilltar i Kryeministrit për periudhën 2009-2013. Bardhyl Musai ka marrë pjesë në organizma të shumta ndërkombëtare, konferenca dhe aktivitete, lidhur me politikat arsimore dhe planifikimin. Është ideator dhe zbatues i disa ndryshimeve reformuese në arsim. Ka botime të shumta si artikuj, libra dhe dokumente hulumtuese për politikat arsimore që kanë të bëjnë me përgatitjen dhe zhvillimin profesional dhe mësuesve dhe tema të tjera arsimore.

 

.

 

Prof. Dr. Nikoleta Mita

Prof. Dr. Nikoleta Mita është profesore në Departamentin e Pedagogjisë dhe të Psikologjisë së Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës si dhe bashkëpunëtore e jashtme e Universitetit Clemson (SHBA). Është diplomuar në fushën e mësuesisë, në Universitetin e Tiranës, në vitin 1978. Mban titullin akademik “profesor” që në vitin 2002. Ka kryer specializime pasuniversitare në fushën e pedagogjisë dhe të psikologjisë në vend dhe në fushat e vlerësimit arsimor, të politikave dhe administrimit të arsimit në Britaninë e Madhe dhe SHBA. Ka kryer vizita studimore në 32 vende të botës. Ka një përvojë 40 vjeçare në mësimdhënie dhe kërkim në fushën e pedagogjisë dhe të psikologjisë, e përqendruar në nënfushat e vlerësimit arsimor dhe të vlerësimit psikologjik. Ka dhënë mësim në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. Ka përvojë të gjatë në udhëheqjen e punimeve të kërkimit për diplomat bachelor, master profesional, master i shkencave dhe për gradën shkencore “doktor”. Ka përvojë në drejtimin e njësive dhe të institucioneve të arsimit të lartë. Ka një përvojë të pasur në planifikimin, organizimin dhe drejtimin e projekteve të kërkimit në fushën e arsimit dhe të shkencave sociale. Ka një kontribut aktiv në zhvillimin e reformave arsimore të të gjitha niveleve në Shqipëri dhe në Kosovë. Është anëtare e disa shoqatave profesionale ndërkombëtare të fushës së arsimit. Ka përvojë në koordinimin dhe realizimin e projekteve të përbashkëta ndërkombëtare në fushën e arsimit.  Ka botime të shumta në fushën e arsimit.

 

.

 

Prof. Dr. Zenel ORHANI

Prof. Dr. Zenel ORHANI ka lindur në Ersekë të Kolonjës më 10.03.1956. Ka kryer studimet universitare dhe pasunivesitare në Universitetin e Tiranës. Pas diplomimit është emëruar pedagog në Katedrën e Pedagogji-Psikologjisë pranë Fakultetit Histori – Filologji të Universitetit të Tiranës në vitin 1989 dhe, më pas, nga viti 1993 është pedagog i psikologjisë me kohë të plotë në Departamentin e Pedagogjisë dhe të Psikologjisë, pranë Fakultetit të Shkencave Sociale.

Ka arsimim të nivelit master, doktoral e pastdoktoral. Fusha e tij e interesit janë psikologjia konjitive, motivacioni dhe inteligjenca emocionale. Ai lektron në këto fusha dhe ka përvojë mbi 30-vjeçare si mësimdhënës i psikologjisë. Mësimdhënien e psikologjisë në fushën e tij të interesit e ka ushtruar, part time, edhe në universitete të tjera si në universitetin “A. Xhuvani” të Elbasanit, në universitetin “L. Gurakuqi” të Shkodrës dhe në universitetin e Tetovës (jashtë trojeve).

Në vitin 1996 ka fituar gradën shkencore “Doktor i shkencave psikologjike”, në vitin 2002 ka marrë titullin “Profesor i associuar” dhe në vitin 2021 ka fituar titullin “Profesor”. Është autor i disa teksteve mësimore universitare për degën e psikologjisë dhe autor i një numuri artikujsh të botuar brenda dhe jashtë vendit. Është pjesëmarrës dhe referues në mjaft konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare; pjesëmarrës aktiv në projekte kombëtare e ndërkombetare, në aktivitete trajnimi brenda dhe jashtë vendit. Krahas kësaj, është kontribues edhe në shërbime psikologjike, si psikolog pranë gjykatës së Tiranës, antar i Komisionit të edukimit në vazhdimësi, pranë Urdhërit të psikologut shqiptar, si dhe në aktivitete humanitare.

Aktualisht është i punësuar me kohë të plotë si pedagog i psikologjisë pranë departamentit të Pedagogjisë dhe Psikologjisë pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës.

 

.

 

Prof. Asoc. Dr. Artemisi Shehu/Dono

Prof. Asoc. Dr. Artemisi Shehu/Dono është e punësuar me kohë të plotë pranë Departamentit të Pedagogji-Psikologjisë në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës.

Ka një përvojë pune 22 vjeçare si pedagoge dhe kërkuese. Ka përfunduar studimet universitare 1996-2000 pranë Universitetit të Tiranës në degën ‘Psikologji Klinike’. Më pas, ajo ka përfunduar studimet e shkollës pasuniversitare pranë Universitetit të Tiranës për ‘Këshillim Psikologjik’ në vitet 2001-2003. Ajo përfundon studimet doktorale pranë UT dhe merr gradën shkencore “Doktor në Psikologji” në mars 2009 me temë  “Efektiviteti  i trajnimit të prindërve për mbështetjen e trajtimit të fëmijëve me autizëm”. Gjithashtu, prej tetorit 2015 merr titullin Profesor i Asociuar.

Fushat e mësimdhënies dhe ekspertizës kërkimore përfshijnë atë klinike dhe të këshillimit dhe psikoterapisë në Psikologji.

Është hartuese e programeve të disa lëndëve në Fakultetin e Shkencave Sociale, Departamenti i Psikologjisë dhe Pedagogjisë dhe titullare e lëndëve në ciklet e para dhe të dyta të studimit si “Psikologji Anormale” dhe “Shkathtësi Komunikimi” (cikli i parë i studimeve Bachelor në psikologji), Sjellja njerëzore dhe konteksti social (cikli i dytë i studimeve, Master Profesional Orientim – Profesional), “Psikopatologji e zhvillimit të fëmijëve dhe adoleshentëve”, “Psikopatologji e moshës adulte” (cikli i dytë i studimeve, Master Shkencor Psikolog klinik dhe marrëdhëniesh), “Patologjitë e zhvillimit” (cikli i dytë i studimeve, Master Shkencor Psikolog shkollor), etj.

Ajo është autore e disa librave akademikë si “Psikologji Anormale”, “Autizmi dhe përfshirja e prindërve në trajtimin e tij”, “Psikopatologji zhvillimi”  dhe cikleve të leksioneve “Psikologji komunikimi”, “Psikologji mjekësore” dhe “Psikopatologjitë e fëmijës dhe adoleshentit” si dhe është autore e mjaft artikujve shkencorë në revista shkencore në vend e jashtë tij. Ajo është gjithashtu pjesëmarrëse në shumë aktivitete, simpoziume, konferenca e kongrese shkencore kombëtare e ndërkombëtare të fushës së psikologjisë klinike.

Ka qenë anëtare e Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës në vitet 2016-2020.

Aktualisht ajo është anëtare e Komisionit të Sigurimit të Cilësisë pranë Universitetit të Tiranës prej Dhjetorit të vitit 2020, Antare e Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Psikologut si dhe pjesëmarrëse në mjaft borde shkencore të Konferencave Kombëtare e Ndërkombëtare në fushë.

 

.

 

Prof. Asoc. Dr. Eglantina Dervishi

Prof. Asoc. Dr. Eglantina Dervishi, lektore në Departamentin e Pedagogjisë dhe të Psikologjisë, në Fakultetin e Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës. Është diplomuar në Fakultetin e Shkencave Sociale, U.T. më 2005. Ka përfunduar studimet e doktoraturës më 2013 në Psikologji Klinike në Alma Mater Studiorum, Universitetin e Bolonjës, Itali. Ka punuar në Qendrën Spitalore të Burgjeve dhe I.E.V.P. Vaqarr, për një periudhë disa vjecare, Më pas ka punuar në Laboratorin e Shëndetit Mendor pranë Universitetit të Bolonjës. Është angazhuar si Pedagoge nga viti 2006 në lëndët “Psikologji Klinike”, “Psikopatologji zhvillimi” dhe “Ndërhyrja në raste traumash dhe krizash”. Ka punuar si Përgjegjëse e Departamentit të Psikologjisë në dy Universitete private nga viti 2012-2015. Aktualisht zhvillon mësim në programet Master i Shkencave në Psikologji Shkollore, Master Profesional në Këshillim Psikologjik dhe Orientim Profesional. Fokusi i saj i kërkimit është në fushën e shëndetit mendorë dhe zhvillimit pozitiv të të rinjëve. Anëtare e Shoqatës së Psikologëve Shqiptarë 2015, anëtare e Urdhrit të Psikologëve 2017, anëtare e bordit Editorial Journal of Psychiatry and Psychology Research: Well-being, Empowerment and Affective Profiles. online peer reviewed journal. (Editorial Board Member) 2018. Gjithashtu nga viti 2019 është angazhuar si eksperte e vlerësimit të jashtëm pranë Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL). Në vitin 2021 ishte në rolin e Kryetares së Bordit të Rekomandimit të Literaturës Shkencore dhe Didaktike për Bibliotekat e Institucioneve Arsimore Parauniversitare Publike, pranë Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë.  Është partnere nga viti 2019 në projektit ndërkombëtar “Positive Youth Development Cross-National Project” me qendër në Departamentin e Shkencave Psikosociale, Fakulteti i Psikologjsë, Universitetin e Bergen, Norvegji. Autore e një sër artikujsh brenda dhe jasht vendit, ka marrë pjesë si organizatore dhe pjesmarrëse në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe është bashkëautore e manualit të vetvlersimit të psikologut shkollor dhe autore e ciklit të leksioneve për lëndët: Etika e Psikologut Shkollorë, Etika në Këshillim, Këshillimi Psikologjik Individual, Vështirësitë në të nxënë etj.

 

.

 

Prof. Asoc. Dr. Eralda Zhilla

Prof. Asoc. Dr. Eralda Zhilla është është pedagoge me kohë të plotë në Departamentin e Pedagogjisë dhe Psikologjisë në Universitetin e Tiranës dhe koordinatore e masterit “Orientim Profesional”. Ka përfunduar studimet universitare 2001 – 2005 pranë Universitetit të Tiranës në degën Psikologji Klinike, ka përfunduar studimet pasuniversitare pranë Universitetit të Tiranës në bashkëpunim me atë të Nebraskës në Amerikë 2006 – 2008 për Administrim Publik, përfundon studimet doktorale pranë UT dhe merr gradën shkencore “Doktor në Psikologji” në nëntor 2009 dhe prej nëntorit 2021 gëzon titullin Profesor i Asociuar. Ka një përvojë 14 vjeçare në fushën e mësimdhënies dhe të kërkimit në fushën e shkencave të edukimit dhe të psikologjisë. Ka marrë pjesë në konferenca të ndryshme shkencore brenda dhe jashtë vendit ku ka lektuar pjesë nga studime të fushës psikologjike dhe më gjerë. Ka përvojë në fushën e planifikimit, organizimit dhe drejtimit të projekteve me natyrë sociale. Ka një kontribut aktiv në trajtimin e grupeve në nevojë duke ofruar mbështetje të vazhdueshme psikologjike për ta në shumë organizata. Aktualisht zhvillon mësim në programet Bachelor në Psikologji, Master profesional dhe shkencor si dhe zotëron Certifikatën e Këshillueses Ndërkombëtare për Karrierën. Ka botime të shumta në fushën psikologjike.

 

.

 

Prof. Asoc. Dr. Leticja Gusho

Prof. Asoc. Dr. Leticja Gusho ka një përvojë prej 27 vitesh në fushën e Edukimit, dhe aktualisht është lektore me kohë të plotë në Departamentin e Pedagogji-Psikologjisë, në Fakultetin e Shkencave Sociale, në Universitetin e Tiranës.  Pas përfundimeve të studimeve master dhe doktoraturë në Universitetin e Tiranës në fushën e pedagogjisë, ka kryer postdoktoraturën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si mbajtëse e Bursës Fulbright. Gjithashtu ka kryer disa specializime pasuniversitare në Universitetin e Utrehtit në Hollandë.  Ka dhënë mësim si lektore e ftuar në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Granadës në Spanjë, si edhe në Universitetin Shtetëror të Salem, Massachusets, SH.B.A. Është autore e shumë artikujve të botuar brenda dhe jashtë vendit që kanë në fokus çështjet e shkollës dhe problematikat që lidhen me to. Gjithashtu, ka botuar dhe librin “Për një shkollë më të mirë”, dhe është bashkautore në disa tekste universitare në fushën e edukimit. Fushat e saj të interesit janë zhvillimi i kurrikulës në shkollë, metodat sasiore dhe cilësore të kërkimit në edukim, si edhe përgatitja dhe trajnimi në vazhdim i mësuesve.

 

.

 

Prof. Asoc. Dr. Nada Kallçiu 

Prof. Assoc. Dr. Nada Kallçiu është pedagoge me kohë të plotë në Fakultetin e Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës prej vitit 2004. Studimet e larta i ka kryer në Universitetin e Padovës Itali në degën Shkenca Edukimi dhe më pas ka vazhduar studimet master në Universitetin e Venecias Itali në “Menaxhim projektesh në fushën e edukimit për Europën qëndrore dhe Ballkanin”. Zotëron titullin akademik “Profesor i Asociuar” në fushën e edukimit nga Universiteti i Tiranës.

Ka qenë pjesë e ekipeve kërkimore për kërkime të përbashkëta me Universitetin Pedagogjik të Zyriut, Zvicër mbi kulturën e të nxënit në arsimin e lartë dhe me Universitetin e Lozanës Zvicër për standartizimit e instrumenteve të matjes për orientimin në karrierë. Ajo është koordinatore e projektit të përbashkët me Universitetin e Lozanës për ngritjen e kapaciteteve dhe infrastrukturës për orientimin e karrierës në vend. Gjithashtu, ka eksperienca mësimdhënie edhe në universitete evropiane.

Ka marrë pjesë në aktivitete të shumta ndërkombëtare lidhur me arsimin dhe orientimin profesional, si: politikat arsimore, menaxhimi dhe administrimi në arsim, sigurimi i cilësisë, planifikimi, matja dhe vlerësimi, vendimmarrja për karrierën etj. Ka botuar artikuj dhe dokumente hulumtuese mbi politikat arsimore, metodat mësimore, matjen dhe vlerësimin e nxënësit, arsimin profesional, si edhe tema të tjera që lidhen me orientimin profesional si edhe është autore e standartizimit të katër testeve të karrierës në Shqipëri. Fushat kryesore të ekspertizës janë: këshillim karriere, trajnimi i mësuesve, matja dhe vlerësimi në arsim, politikat arsimore, aftësitë e buta, menaxhimi i programeve të edukimit në shkallë të gjerë.

Është autore e publikimeve të ndryshme në fushën e arsimit dhe orientimit profesional, brenda dhe jashtë vendit.

 

.

 

Dr. Anila Sulstarova

Dr. Anila Sulstarova është diplomuar në Fakultetin e Shkencave Sociale, ku edhe është doktoruar në vitin 2011 me disertacionin: “Maksimalizimi i funksioneve të hemisferës së djathtë të trurit, përmes ndërhyrjes diadike, tek foshnjat 0-10-muajshe në institucion”.

Anila Sulstarova është pedagoge në departamentin pedagogjisë dhe psikologjisë prej vitit 2005. Është titullare e disa lëndëve, si “Terapia familjare: parimet dhe metodat klinike”, “Praktikum në terapi arti dhe loje”, “Këshillimi i familjes”, “Psikologji e zhvillimit të adoleshencës”, “Kuptimi i dhunës dhe i agresivitetit” në programet e studimit “Bachelor në psikologji”, “Master i shkencave në psikologji klinike”, “Master i shkencave në psikologji shkollore”, “Master profesional në këshillim”.

Interesi akademik për kërkime shkencore lidhet me çështje, si: atashimi, vetërregullimi emocional, faji dhe turpi, marrëdhëniet në çift dhe familjare, ankthi, varësitë etj.

Dr. Anila Sulstarova ushtron edhe profesionin e psikologes klinike që prej vitit 2001 e deri më sot. Çrregullimet që ajo trajton lidhen me ankthin tek fëmijët dhe të rriturit; fobitë e ndryshme tek fëmijët dhe adoleshentët; atakun e panikut tek fëmijët, adoleshentët dhe të rriturit; patologjitë e atashimit; trajtimin e çrregullimeve të personalitet. Gjithashtu, ajo ofron terapi në çift dhe familjare.

Dr. Anila Sulstarova ka qenë pjesë e hartimit të disa strategjive kombëtare në fushën e shërbimeve sociale. Ajo është edhe lektore në Shkollën e Magjistraturës të Republikës së Shqipërisë për kurse, si “Psikologjia e komunikimit dhe e emocioneve”. Është edhe eksperte e jashtme në disa organizata ndërkombëtare dhe kombëtare, si UNICEF, Save the Children, Terres des Homes, World Vision etj.

Dr. Anila Sulstarova ka përvoja mësimdhënieje jashtë Shqipërisë, si në SHBA, Portugali. Është anëtare e American Psychological Association, Shoqatës Shqiptare të Terapisë Kognitiv-bihejviorale (AACBT) dhe anëtare e “European Association for Behavioural and Cognitive Therapies” dhe “The International Society of Schema Therapy (ISST)”.

 

.

 

Dr. Blerta Bodinaku

Dr. Blerta Bodinaku është pedagoge në Departamentin e Pedagogjisë dhe të Psikologjisë së Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës. Është diplomuar si psikologe klinike në vitin 2000 pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës si dhe ka përfunduar studimet master në psikologji këshillimi në vitin 2003, pranë të njëjtit Fakultet. Studimet e doktoraturës i ka kryer në fushën e vlerësimit psikometrik në psikoterapi, pranë Universitetit Sigmund Freud në Vienë.

Ka një përvojë 22 vjeçare në mësimdhënie dhe kërkim shkencor në fushën e psikologjisë klinike dhe psikometrisë. Aktualisht ushtron mësimdhënien në programet Bachelor në Psikologji, Master i Shkencave në Psikologji Klinike dhe Master Profesional në Psikologji Këshillimi, me fokus këshillimin individual, këshillimin në grup, formulimin dhe konceptualizimin e rastit klinik si dhe psikologjinë sociale.

Që nga viti 2007, zotëron Çertifikatën Europiane të Psikoterapisë (ECP), fituar në përfundim të një programi 5 vjeçar kualifikimi sipas standardeve Europiane në fushën e psikoterapisë. Zotëron një eksperiencë të gjatë pune në fushën e psikoterapisë, dhunës me bazë gjinore, shërbimet e shëndetit mendor, vlerësimin psikometrik dhe ka kontribuar duke ofruar ekspertizën e saj në lidhje me këto fusha përmes trainimeve, supervizimit, apo vlerësimeve në nivel kombëtar. Është autore e instrumenteve të parë psikometrikë të validuar dhe standardizuar në gjuhën shqipe dhe është angazhuar në trajnimin e vazhdueshëm të profesionistëve në nivel kombëtar në lidhje me përfshirjen e instrumenteve psikometrikë në praktikën psikologjisë klinike të aplikuar.

Është autore publikimesh dhe prezantimesh në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe anëtare e American Psychologists Association dhe Society for Psychotherapy Research si dhe e Shoqatës Shqiptare për Psikoterapinë. Në këtë të fundit, mban detyrën e nënkryetares.

 

.

 

Dr. Edvin LAME

Dr. Edvin Lame u diplomua pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, Departamenti i Psikologjisë dhe Pedagogjisë, Universiteti i Tiranës në vitin 2001, gjithashtu përfundoi një Master të Arteve në Londër, Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2006, dhe mori gradën e Doktorit të Shkencave në vitin 2015 pranë Departamentit të Psikologjisë dhe Pedagogjisë, U.T. Ai ka një experincë të gjatë si lektor në lëndët: Shkrim Akademik, Psikologji Politike, Psikologji Sociale Ligjore, dhe Psikologji Organizacionale. Që nga viti 2009 në vazhdim ai është pedagog i brendshëm në Departamentin e Psikologjisë dhe Pedagogjisë, Fakultetin e Shkencave Sociale, U.T. dhe që nga viti 2020 është gjithashtu ZV/Dekan i këtij Fakulteti. Edvini ka një sërë artikujsh në revista shkencore dhe konferenca në Shqipëri dhe jashtë saj, ku fokusi kërkimor kryesisht ka të bëjë me problemet me të cilat përballen komunitetet vulnerabël në Shqipëri.

Për dy dekada ai gjithashtu ka punuar si ekspert psiko-social duke ndihmuar komunitetet në nevojë (romë dhe egjiptianë, fëmijët jetim) në Shqipëri dhe Kosovë. Bazuar në përvojën e fituar në këtë drejtim, nga 2015 në 2017 ai ka qënë Këshilltar i Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë së Shqipërisë, përgjegjës për Departamentin e Mirëqenies Sociale (Anëtar i Komitetit të Ekspertëve për Çështjet e Romëve dhe Udhëtarëve (CHAROM) Përfaqësues për Shqipërinë – Këshilli i Evropës, 2015-2017, si dhe Pika Fokale Kombëtare e Integrimit të Romëve 2020, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, 2016–2017). Për më tepër përgjatë kësaj periudhe ai dha kontributin e tij për integrimin e profesionit të psikologut në shoqërinë shqiptare (Miratimi i Ligjit të Psikologut, në Parlamentin Shqiptar 2016 dhe Themelimi i Urdhrit të Psikologut në Shqipëri 2017).

 

.

Dr. Elvisa Sokoli

Është e punësuar me kohë të plotë në Departamentin e Pedagogjisë dhe Psikologjisë të Fakultetetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës. Ka kryer studime universitare në fushën e psikologjisë në Universitetin e Tiranës, Zotëron diplomë Master i shkencave në Psikologji Këshillimi nga Universiteti i Tiranë dhe Master i shkencave në Psikologji Klinike nga New York University, SHBA. Gradën shkencor “doktor” e ka mbrojtur në Universitetin e Tiranës. Zotëron Certifikatë Shqiptare në Psikoterapi nga Shoqata Shqiptare për Psikoterapinë Ka përvojë në mësimdhënie në arsimin e lartë në fushën e psikologjisë. Ka një përvojë të pasur në praktikën e këshillimit dhe psikoterapisë me klientë në kontekste dhe nevoja e problematika të ndryshme. Përveç këshillimit dhe psikoterapisë, ofron supervizim individual dhe në grup. Ka marrë pjesë në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare dhe ka boruar artikuj në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit. Ëshrë anëtare e disa shoqatave profesionale, si: Shoqata Shqiptare për Psikoterapinë, Shoqata Ameriakne e Psikologjisë, Shoqatës për Kërkim Shkencor në Psikoterapi.

 

.

 

Dr. Gerda Sula

Dr. Gerda Sula është e punësuar me kohë të plotë pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës.

Ka një përvojë pune 13 vjeçare si pedagoge dhe mbi 20 vjeçare si studiuese. Pas diplomimit në mësuesi në vitin 1993, studimet e saj pasuniversitare dhe ato doktorale të kryera në Universitetin e Gjenevës, Zvicër lidhen me shkencat e edukimit. Fushat e mësimdhënies kërkimore përfshijnë mësimdhënien e të nxënit dhe teknologjinë e edukimit. Interesat kërkimore fokusohen në zbatimin e qasjeve me në qendër nxënësin në shkollat shqiptare, me fokus të veçantë në shfrytëzimin e teknologjisë për përmirësimin e procesit të mësimdhënies dhe të të nxënit. Ajo ka mbi njëzet vite përfshirjeje në projekte kërkimore e praktike në çështje të ndryshme arsimore, në nxitjen e zbatimit në praktikë të ndryshimeve metodologjike të mbështetura në studimet më të fundit në fushën e edukimit.

Ka marrë pjesë në disa projekte kombëtare/ndërkombëtare mbi çështjet e edukimit në bashkëpunim me organizata, si World Bank, UNICEF, SwissContact, Save the Children, etj dhe ka marrë pjesë në disa projekte akademike të Erasmus+.  Ka shërbyer në pozicione drejtuese në disa prej këtyre projekteve. Ka një numër botimesh në revista shkencore, prezantimesh në konferenca akademike, si dhe ka trajnuar një numër të lartë mësuesish në Shqipëri e më gjerë. Dr. Sula është anëtare e një numri organizatash profesionale ndërkombëtare, International Step by Step Association Hollandë, World Forum in Early Care and Education, ShBA, European Early Childhood Education Research Association, Angli, etj..

 

.

 

Dr. Livia Nano

Dr. Livia Nano është e punësuar me kohë të plotë në Departamentin e Pedagogjisë dhe Psikologjisë, Fakultetetit të Shkencave Sociale, UT që prej vitit 2013. Ka përvojë pune njëzet e dy vjecare si pedagoge dhe studjuese. Pas diplomimit në Psikologji pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, UT në 2000 ka vijuar dhe përfunduar me sukses studimet në nivel Masteri në Psikologji Këshillimi pranë UT si edhe Master për Politika Shëndetësore dhe Sociale (me fokus vlerësimin & kërkimin), në London, UK. Studimet doktorale lidhen e me eksplorimin e asaj se për cfarë kanë nevojë fëmijët dhe të rinjtë të rriten dhe zhvillohen pozitivisht të cilët u finalizuan me marrjen e gradës Doktor i Shkencave në vitin 2014. Fushat e mësimdhënies përfshijnë: Vlerësimi psikologjik, Psikologji zhvillimi e avancuar, Nxënësit me nevoja të vecanta. Fushat e ekspertizës kërkimore përfshijnë: mirëqënia dhe zhvillimi i fëmijëve dhe të rinjve; shprehitë socio-emocionale; kontekstualizi i  instrumentave të vlerësimit psikologjik, fëmijët me nevoja të vecanta. Ka marrë pjesë në aktivitete kërkimore në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare për cështje që lidhen me matjen e indikatorëve të mirëqënies së fëmijëve, shëndeti mendor, grupet vulnerabël etj. Gjithashtu, ka koordinuar dhe ofruar konsulencë për projekte të ndryshme në fushën psiko-sociale në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare pranë organizatave të ndryshme jo-qeveritare dhe qeveritare, si edhe ka ofruar vlerësim & mbështetje psikologjike për individë dhe grupe në nevojë.

 

.

 

Dr. MIGENA BUKA

Dr. MIGENA BUKA është e punësuar me kohë të plotë pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, pranë Universitetit të Tiranës. Ka një përvojë pune 16 vjeçare si pedagoge dhe studiuese. Pas diplomimit në Psikologji nga Universiteti “Middle East Technical University” në Ankara, në vitin 2002, studimet pasuniversitare i kreu në të njëjtin universitet për Psikologji Organizacionale dhe Industriale. Studimet doktorale i ka përfunduar pranë Universitetit të Tiranës dhe lidhen me Psikologjinë Organizacionale.

Fushat e mësimdhënies dhe ekspertizës kërkimore përfshijnë: psikologji konsumatori, statistikë në shkencat sociale, menaxhim konflikti, analizë pune, etj. Ka marrë pjesë në projekte kombëtare, si: bashkëpunimi me Shkollën e Drejtorëve; ndërkombëtare, si: Face-Up. Faces from the past: The fight for freedom and democracy during the regime of Hoxha.

Ka shërbyer në pozicione drejtuese si: drejtuese e Programi i Trajnimit të Detyrueshëm Përgatitor për drejtuesit e Institucioneve të Arsimit Parauniversitar (IAP) për Fakultetin e Shkencave Sociale. Ka marrë pjesë në konferenca të ndryshme shkencore dhe ka botuar nëpër revista të ndryshme shkencore.

 

.

 

Dr.Ornela Zhilla

Dr.Ornela Zhilla është pedagoge me kohë te plotë  pranë Departamentit të  Pedagogjisë dhe Psikologjisë në  Fakultetin e Shkencave Sociale,  Universiteti i Tiranës që prej vitit 2012. Është diplomuar në Psikologji klinike në vitin 2006 në Universitetin e Tiranës ku ka vijuar edhe me studimet pasuniversitare doktorale . Që prej vitit 2015 mban gradën shkencore  “ Doktor në psikologji “ për disertacionin me temë “ Marrëdhëniet midis konsumimit ,karakteristikave të personalitetit dhe teknikave të përballimit të stresit tek mësuesit e shkollave të mesme”. Fushat e mësimdhënies dhe ekspertizës kërkimore përfshijnë  lëndë të formimit bazë në psikologji, të  nivelit Bachelor dhe Master . Konkretisht këto fusha përfshijnë lëndët  Hyrje në Psikologji, Menaxhim  stresi, Psikologji  zhvillimi në foshnjëri dhe fëmijëri, Psikologji sociale e avancuar.  Ka përvojë në  udhëheqjen e temave të diplomave në programet bachelor dhe master. Ka marrë pjesë në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, gjithashtu ka botuar artikuj shkencorë brënda dhe jashtë vendit.

 

 

 

.

 

Dr. Skerdi Zahaj

Dr. Skerdi Zahaj është pedagog në Departamentin e Pedagogjisë dhe të Psikologjisë së Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës. Ka kryer specializime në Institutin Qëndror të Shëndetit Mendor në Universitetin Heidelberg në Gjermani dhe është psikoterapist i çertifikuar në orientimin kognitiv-bihejvioral (CBT) dhe në terapinë e foksuar në skema (ST). Ka një përvojë 12-vjeçare në fushën e mësimdhënies, të kërkimit shkencor dhe të psikoterapisë. Aktualisht zhvillon mësim në programet Bachelor në Psikologji, Master i Shkencave në Psikologji Klinike dhe në Psikologji Shkollore si edhe Master Profesional në Psikologji Këshillimi dhe Psikologji Ligjore. Mësimdhënia e tij është fokusuar në lëndët e psikologjisë klinike dhe me specifikisht në vlerësimin, pasojat dhe trajtimin e traumave psikologjike, në lëndët e psikologjisë së këshillimit dhe të metodave të kërkimit shkencor në psikologji. Interesat e tij kërkimore janë mbi studimin e procesit të zhvillimit të identitetit gjatë adoleshencës dhe moshës së rritur të hershme, në zbulimin e lidhjeve midis kushteve shëndetësore kronike dhe shqetësimeve psikologjike si edhe në analizën e marrëdhënies midis zhvillimit të personalitetit dhe psikopatologjive. Interesat e tij klinik janë të fokusuar në trajtimin e çrregullimit të stresit post-traumatik, traumave komplekse, pasojave psikologjike të adoleshentëve dhe të rinjve me kancer dhe sëmundje kronike, çrregullimeve të personalitetit dhe depresionit. Është anëtar i Shoqatës Europiane të Psikologëve të Zhvillimit (EADP), i Shoqatës Shqiptare të Terapisë Kognitiv-bihejviorale (AACBT) dhe anëtar i “European Association for Behavioural and Cognitive Therapies” dhe “The International Society of Schema Therapy (ISST)”.

 

.

 

Dr.Valbona HABILI (SAUKU)

Dr. Valbona HABILI (SAUKU) është e punësuar me kohë të plotë pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, Departamenti Pedagogji – Psikologji, Universiteti i Tiranës.

Edukimi: Valbona Habili Sauku i përket brezit të parë të Psikologjisë, diplomuar në drejtimin shkollor/organizacional pranë Fakutetit të Shkencave Sociale, në Departamentin e Pedagogjisë dhe të Psikologjisë në vitin 2000. Studimet pasuniversitare kanë vijuar me programin “Master në Këshillim Psikologjik” në 2004 – 2007. Ka marrë gradën “Doktor në Psikologji” në Korrik të 20016, pranë Fakutetit Të Shkencave Sociale, në Departamentin e Pedagogjisë dhe të Psikologjisë.

Drejtimet e kërkimit: Veprimtaria kërkuese e Valbona Habili (Sauku) është fokusuar në: fushën e psikologjisë shkollore, në fushën e edukimit e kryesisht në një ndërthurje të kërkimeve në këto fusha me fushën e psikologjisë organizacionale.

Eksperienca: Ka një përvojë 22 vjeçare në fushën e mësimdhënies dhe të kërkimit në fushën e shkencës së psikologjisë. Zhvillon mësim në programet Bachelor, kryesisht përgjegjëse për lëndët: Psikologji Edukimi dhe Sjellje Organizative, Master i Shkencave në Psikologji Organizimi, kryesisht përgjegjëse për lëndën: Vlerësim në organizatë dhe Master Profesional me profil Orientim Profesional, kryesisht për lëndën Trajnimi dhe Zhvillimi.. Gjithashtu ka një përvojë 20 vjeçare në fushën e psikologjisë organizative kryesisht me organizata ndërkombëtare si Karitasi Spanjoll, delegacioni në Kosovë, Kryqi i Kuq Spanjoll e Terre des Homme në Shqipëri, SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri. Aktualisht është anëtare e Këshillit Kombëtar të Urdhërit të Psikologut. Ka marrë pjesë në disa projekte kombëtare dhe ndërkombëtare në rolin e ekpertes, ndër to: Ekspert pedagogjik lidhur me suporti për hartimin e planeve mësimore 2021 – 2022  në shkollat e mesme profesionale, projekt i  Swiss Agency for Development and Cooperation (SDC) / Swisscontact Albania. Eksperte rajonale për rekrutimin bazuar në kompetenca në ndihmë të Drejtorisë së Administratës Publike, project i financuar nga Regional School of Public Administration (ReSPA). Anëtare e komisionit në përgatitjen e pogramit dhe hartimin e pyetjeve  për procesin e liçencimit të psikologëve në Republikën e Shqipërisë pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore dhe Urdhëri i Psikologut. Anëtare e komisionit në përgatitjen e pogramit dhe hartimin e pyetjeve   për procesin e rekrutimit të psikologëve shkollor pranë ASCAP (Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar) etj

 

.

 

Msc. Fatjona Hysi

Fatjona Hysi ka lindur në Tiranë më 13.07.1979. Në vitin 2001 është diplomuar si Psikologe Klinike  në Fakultetin e Shkencave Sociale, pranë Universitetit të Tiranës, ku po aty ka kryer studimet Master në Këshillim Psikologjik. Në vitin 2020 ka përfunduar specializimin tre vjeçar në Terapi Kognitive Bihejviorale (CBT), pranë AACBT, (anëtare me të drejta të plota pranë EACBT).

Që prej vitit 2011 ka kontribuar si pedagoge e jashtme, pranë Fakultetit të Shkencave Sociale (Departamenti i Psikologjisë dhe Pedagogjisë) në Universitetin e Tiranës dhe që prej marsit 2022 është emëruar asistent lektore me kohë të plotë pranë këtij fakulteti.

Fatjona ka një eksperiencë të gjatë pune në disa institucione shtetërore, media dhe organizata që operojnë në fushën e shëndetit mendor ku më së shumti ka mbajtur pozicionin e kordinatores së projekteve dhe psikologes klinike.