Departamenti i Filozofisë i ka fillimet e veta që në vitin 1965 si pjesë e “Fakultetit të Shkencave Politike dhe Juriike”, ku përfshihej edhe dega e Filozofisë. Gjatë kësaj periudhe nga kjo degë u diplomuan mijëra studentë për filozofi që punuan, dhanë e japin ndihmesën e tyre në fusha të ndryshme të mendimit shoqëror si dhe në fushën pedagogjike e administrative. Pas ndryshimeve demokratike në vend, dega e Filozofisë u shndërrua në Departamentin e Filozofi-Sociologjisë në vitin akademik 1992-1993 si një departament i Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës. Pjesa dërmuese e këtij Departamenti kishte studiues të diplomuar në Filozofi dhe të specializuar në filozofi, sociologji e shkenca politike brenda e jashtë vendit. Në vitin 2009 Departamenti i Filozofi-Sociologjisë ndahet në dy departamente përkatësisht në atë të Filozofisë dhe në atë të Sociologjisë.
Departamenti i Filozofisë është njësi bazë e zhvillimit të mësimdhënies dhe të punës kërkimore-shkencore pranë Fakultetit të Shkencave Sociale për fushën e filozofisë
Në përputhje me politikat dhe kuadrin ligjor në fuqi, Departamenti ka si mision:
a.Të përgatisë specialistë dhe studiues në fushën e filozofisë.
- Të mbështesë kultivimin e vlerave të filozofisë në Shqipëri.
- Të analizojë dhe të vlerësojë përmes kërkimit shkencor dhe mësimdhënies, mendimin e sotëm filozofik dhe çdo mendim tjetër në kuadrin e bashkëveprimit dhe të ndërvarësisë me faktorët e shumtë që veprojnë në kohën e sotme.
- Të vlerësojë lidhjen e filozofisë me dijet, disiplinat dhe aktivitetet e tjera njerëzore të zhvilluara në kohë dhe në hapësirë, pra në kuadrin e një konteksti të caktuar historik e kulturor.
- Të zhvillojë të menduarin kritik drejt risive filozofike lidhur me problemet konkrete, si ato të kuptimit të njeriut, të marrëdhënieve të njeriut me natyrën dhe njeri-tjetrin, problemet e drejtësisë, filozofisë politike, të lirisë dhe të ndonjë problemi të rëndësishëm social të epokës përkatëse.
Departamenti i Filozofisë në përmbushje të misionit të mësimdhënies, ka si vizion arritjen e përputhshmërisë me standardet e hapësirës evropiane të arsimit të lartë. Kjo do të arrihet nëpërmjet sigurimit të cilësisë në mësimdhënie, integrimit të mësimdhënies me kërkimin shkencor, përmirësimit të programeve dhe metodave didaktike, si dhe rritjes së bashkëpunimit me institucionet partnere në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Kërkimi shkencor është thelbësor për rritjen e cilësisë së mësimdhënies, për përparimin e shkencës dhe për zhvillimin e vendit, prandaj departamenti ka si synim kërkimin shkencor bazë:
Zgjerimin, thellimin, rikonceptimin dhe riintegrimin e njohurive shkencore në fushën e filozofisë dhe të kuptuarit teorik të ndërveprimit midis aktorëve të ndryshëm dhe vetë procesit ku ato ndikojnë nëpërmjet kërkimit shkencor bazë, si dhe integrimin e këtij kërkimi në mësimdhënie.
KURSET E STUDIMIT
Kurset e studimit në Filozofi janë organizuar në bazë të marrëveshjes së Bolonjës dhe legjislacionit në fuqi. Ato janë ndërtuar në bazë të parimeve të linearitetit dhe koncentrizmit, gjë që mundëson si përcaktimin e objektivave të çdo programi studimi, ashtu edhe vijueshmërinë në ciklet pasardhëse.
Diploma në Filozofi mbulon një gamë të gjerë profesionesh në institucione publike, në sektorin privat, në mësimdhënie, në media e më gjerë.
Më konkretisht, diploma në filozofi mundëson:
a.Të përgatisë specialistë dhe studiues në fushën e filozofisë.
- Të mbështesë kultivimin e vlerave të Filozofisë.
Gjithashtu, dega mund të integrohet me studime të thelluara për mësimdhënie, etikë, lidership, komunikim, marrëdhënie ndërkombëtare, apo degë të tjera plotësuese, duke rritur mundësitë e karrierës.
Departamenti i Filozofisë, pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, UT, ofron studime në të tria ciklet, përkatësisht:
- Studime të Ciklit të I-rë
- Bachelor në “Filozofi”
- Studime të Ciklit të II-të
- Masteri Profesional në “Filozofi praktike dhe humane”;
- Master i Shkencave në “Filozofi Sociale”;
- Master i Shkencave në “Etika në institucione dhe lidership”.
- Studime të Ciklit të III-të
- Studime Doktorale
Kurset gërshetojnë filozofinë teorike me filozofinë praktike, duke zhvilluar mendimin kritik dhe analitik, një aftësi thelbësore për pothuajse të gjitha profesionet tërheqëse.
Në nivelin Bachelor zhvillimi dhe përcjellja e dijeve zhvillohet nëpërmjet një sërë disiplinash, me anë të së cilave synohet asimilimi i njohurive teorike dhe zhvillimi i mendimit kritik. Kjo realizohet jo vetëm nëpërmjet gërshetimit të disiplinave teorike por dhe me analiza e reflektime të thella të cështjeve dhe shqetësimeve të kohës.
Niveli master synon ofrimin e njohurive teorike të thelluara dhe të specializuara sipas fushës së studimit, si dhe krijimin e kompetencave dhe aftësive të cilat gjejnë zbatim konkret në tregun e punës apo në fushën e kërkimit shkencor. Në këtë kuadër, metodologjia e mësimdhënies dhe programet e lëndëve në nivel master zhvillohen në mënyrë më fleksibël, duke nxitur një pjesëmarrje aktive të studentëve jo vetëm në përcaktimin e një pjese të tematikave që kanë nevojë për thellim, por edhe nëpërmjet zhvillimit të kompetencave dhe nxitjen e aftësimit praktik të nevojshëm në një treg gjithmonë e më dinamik.
Programet e studimeve doktorale janë organizuar dhe zhvillohen në përputhje me Urdhrin e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës nr. 567, datë 23.11.2011.
Mësimdhënia në të tria ciklet kryhet me profesionalizëm nga një staf i kualifikuar në universitete të njohura perëndimore. Kurrikulat janë të përditësuar sipas standardeve perëndimore, duke i përshtatur me dinamikat konkrete të Shqipërisë. Mësimdhënia kryhet duke përdorur të gjitha metodave didaktike të aftësimit, të të mësuarit dhe të të nxënit, si dhe duke u bazuar në literature të përzgjedhur.