Dr. Blerina Hamzallari
Blerina Hamzallari është përgjegjëse e Departamentit te Sociologjisë, të Fakultetit të Shkencave Sociale, në Universitetin e Tiranës. Ajo u diplomua si sociologe nga i njëjti fakultet në vitin 2008. Nga viti 2008- 2010 kreu studimet Master Shkencor në “Sociologji e zhvillimeve shoqërore”. Në vitin 2011 ka nisur ciklin e studimeve të doktoraturës në fushën e studimeve mbi familjen dhe në vitin 2017 ajo fitoi gradën shkencore Doktor i Shkencës së Sociologjisë. Aktualisht ajo ligjëron në programin Bachelor dhe Master të organizuara nga departamenti në kurset e lëndëve Sociologji familje dhe Teoritë sociologjike. Gjithashtu, ajo është pjesëmarrëse në shumë konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe autore e disa artikujve shkencorë të botuar në revista të njohura brenda dhe jashtë vendit.
Dr. Stela Karaj
Lektor (i I-rë)
Është lektore me kohë të plotë pranë Departamentit të Sociologjisë në Universitetin e Tiranës që nga viti 2008. Ajo u diplomua si sociologe nga Universiteti Wolfgang Goethe në Frankfurt /Main, Gjermani. Nga viti 2005 mban titullin Diplom-Soziologin, ekuivalente me Master i Shkencave në Sociologji. Në vitin 2014 ajo ka mbrojtur gradën Doktor i Shkencave në Sociologji me disertacionin me temë: “Konstruksionet sociologjike të sjelljes devijante të nxënësve në klasë dhe ndikimi i saj në stresin profesional të mësuesve”. Fushat e saj të ekspertizës dhe interesit janë: sociologji deviance, sociologji shëndeti dhe sociologji e grupeve moshore. Eksperiencat e saj të punës në këto fusha përfshijnë mësimdhënie në nivel Bachelor dhe Master dhe punë kërkimore shkencore të fokusuar kryesisht në çështjet e deviancave të adoleshentëve dhe faktorëve socialë ndikues, si dhe në fushën e sociologjisë së shëndetit me në qendër sjelljet riskuese të adoleshentëve lidhur me shëndetin e tyre dhe marëdhëniet mjek-pacient. Eksperienca e saj në këto fusha është pasuruar me kërkime sasiore dhe cilësore.
Ajo është autore dhe bashkautore e disa artikujve të botuara në vend dhe jashtë tij. Aktualisht ajo ligjëron kryesisht në programet Bachelor të departamentit të Sociologjisë në lëndët “Sociologji Deviance”, “Sociologji Shëndeti”, “Praktikë Profesionale”, ndërsa në nivelin Master ligjëron lëndën “Sociologjia e grupeve moshore”.
Dr. Proc. Lorenc Ligori/ Lektor
Lektor me kohë të plotë pranë Departamentit të Sociologjisë, Fakulteti i Shkencave Sociale, Universiteti Tiranës.
Ai është i fokusuar kryesisht në fusha të sociologjisë së komunikimit dhe është në proces të mbrojtjes së doktoraturës në këtë profil.
Dr. Brunilda Zenelaga
Lektor (i I-rë)
Brunilda Zenelaga është lektore me kohë të plotë pranë Departamentit të Sociologjisë, Fakulteti i Shkencave Sociale, në Universitetin e Tiranës. Ajo u diplomua në degën Filozofi-Sociologji, me drejtim Sociologji në vitin 1999, dhe në vitin 2006 përfundoi shkollën pasuniversitare (SHPU) në të njëjtin departament. Brunilda Zenelaga ka mbrojtur gradën Doktor i Shkencave në vitin 2014 në sociologji me temë “Familja emigrante përballë sfidave të integrimit (rasti i emigrantëve shqiptarë në rajonin e Toskanës, Itali ”. Përveç përvojave brenda vendit, ajo ka marrë pjesë në disa programe shkëmbimesh univeristare dhe pasuniversitare afatmesme në Universitetin “Paul Valery- Montpellier III”, Francë dhe Università degli Studi di Siena, Itali. Përgjatë viteve 2006-2014 ajo ka punuar si lektore me kohë të plotë pranë Universitetit shtetëror “Aleksandër Moisiu” Durrës, ku, përgjatë 2 viteve ka ushtruar funksionin e Zëvëndës Dekanes së Fakultetit të Edukimit. Ajo është autore dhe bashkautore e disa artikujve të botuara në vend dhe jashtë tij, hartuese manualesh, pjesëmarrëse në disa projekte studimore, konferenca kombëtare e ndërkombëtare. Aktualisht ajo ligjëron në programin Bachelor dhe Master të Departamentit të Sociologjisë kryesisht në fushat e sociologjisë së migrimit dhe sociologjisë urbane.
Ph.D. Julian Bejko
Është pedagog me kohë të plotë në Departamentin e Sociologjisë, UT, prej vitit 2006. Diplomuar në degën Filozofi-Sociologji, UT në vitin 2004. Master Shkencor në Filozofi politike, Universiteti Paris 8, Francë, në vitin 2006. Ph.D. në filozofi politike dhe sociologji historike, Universiteti Paris 8, Francë në vitin 2012. Titullar i kurseve Bachelor dhe Master shkencor: Histori e Mendimit Sociologjik, Sociologji Politike, Analizë dhe kritikë imazhi. Autor i studimit Shoqëria e Kinemasë I, II, (2012, 2013) dhe Norbert Elias. Sociologji e Qytetërimeve (2014).
julianbejko@yahoo.com
Prof. Ass. Dr. Fatmir Zanaj
Prof. as. Dr. Fatmir Zanaj, profesor në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Shkencave Sociale është lektor i parë me mbi 20 vjet përvojë në fushën e sociologjisë e të filozofisë. Është doktoruar në fushën e sociologjisë politike. Në vitin 2003 ka kryer edhe studimet në Qendrën Marshall, Kolegji i Studimeve mbi Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë, Garmisch-Partenkirchen, Gjermani. Pas vitit 2007 u orientua në studimet e në kërkimin shkencor në fuhën e Sociologjisë të së Drejtës, duke qenë autori i tekstit të parë universitar në gjuhën shqipe “Sociologjia e së Drejtës” (2010). Dy vjet më pas ai botoi tekstin e dytë universitar “Filozofia e së Drejtës” (2012). Ekspertiza e tij përfshin arsimimin dhe edukimin shoqëror mbi funksionimin e ligjit në shoqëri, mbi funksionimin e institucioneve ligjore në shoqërinë demokratike, mbi informimin publik, dhe kërkimin shkencor në fushën socio-ligjore dhe në sociologjinë politike.
Ai ka shërbyer në pozicione të rëndësishme në administratën publike, duke qenë drejtor i Informacionit Publik dhe i Marrëdhënieve Publike në Ministrinë e Mbrojtjes (1997-2002), diplomat në Ministrinë e Punëve të Jashtme (2002-2003), Sekretar i Parë i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në FYROM dhe përfaqësues i Shqipërisë në Qëndrën Rajonale Ndërkombëtare të Migrimit, Azilimit, Kthimit të Refugjatëve në Shkup, FYROM (2004-2006), Zv. Rektor i Universitetit JoPublik “Justiniani I” (2012-2013), lektor me kohë të pjesshme në Universitetin e Studimeve të Lecces, Itali (1992-1993) Aktualisht, prej tetorit 2014, ai është lektor i parë në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Shkencave Sociale, në disiplinat e Sociologjisë të së Drejtës, të Sociologjisë të Nacionalizmit etj.
Grida Duma (Bio)
Lindur në 11 qershor 1977 në Durrës, ku përfundoi dhe shkollën e mesme të përgjithshme. Në vitin 1995 – 1999 kryen studimet në Fakultetin e Shkencave Sociale, Departamenti i Filozofisë dhe Sociologjisë, duke u diplomuar në Sociologji. Gjatë kësaj periudhe merr pjesë për tre vite radhazi 1996 – 1998 në Forumin e Përvitshëm për Edukimin Civil për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, organizuar nga Universiteti i Evropës Qendrore në Budapest, ku fiton dy çmime të para si folësja dhe debatuesja më e mirë, së bashku me publikimet përkatëse në periodikun e universitetit.
Në periudhën 1997 – 1998 ka punuar si koordinatore projekti pranë Këshillit Rinor Shqiptar, dhe në vitet 1999 – 2009 është angazhuar në sektorin privat të ndërtimit si Drejtore Ekzekutive. Në vitet 2002 – 2004 kryen studimet dhe merr titullin Master në Administrim Biznesi nga Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë dhe nga Universiteti i Nebraskës në Linkoln, SHBA. Në vitin 2006 merr titullin Doktor i Shkencave Ekonomike, ndërsa në vitin 2016 titullin Profesor i Asociuar. Në vitet 2004 – 2008 është lektore me kohë të pjesshme në Departamentin e Menaxhimit të Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, në vitet 2007 – 2008 lektore në Departamentin e Sociologjisë të Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës. Gjatë viteve 2008 – 2011 ka qenë lektore dhe më pas Shefe e Departamentit të Sociologjisë të Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës. Në këtë periudhë ka qenë edhe lektore në nivelin master shkencor në Shkencat e Komunikimit dhe Menaxhimit pranë Universitetit Evropian të Tiranës si dhe master shkencor në Administrim në Universitetin Marin Barleti. Gjithashtu ka qenë eksperte, udhëheqëse dhe konsulente e një sërë projektesh në fushën e arsimit të organizatave dhe fondacioneve që veprojnë në Shqipëri si OSBE dhe OSFA, Këshilli i Europës e tjerë.
Karriera e saj përfshin rreth 20 botime shkencore dhe artikuj të paraqitur në konferenca dhe periodikë ndërkombëtare, dhe po aq artikuj dhe publikime me karakter politik dhe social në shqip.
Nga tetori 2011 deri shtator 2013 kryen funksionin e Zëvendësministres së Integrimit. Rikthehet lektore me kohë të plotë në funksionin e pedagoges në Universitetin e Tiranës.
Docent.Dr.Merita Poni
Merita Poni ështe lektore me kohë të plotë në Departamentin e Sociologjisë së Universitetit të Tiranës që prej vitit 2005. Ajo mbulon fushat e Sociologjisë Gjinore dhe të Sociologjisë së Edukimit. Ka mbaruar studimet e larta në Filozofi-Sociologji dhe Punë Sociale dhe në Drejtësi në Universitetin e Tiranës. Ka kryer ciklin e plotë të Studimeve Pasuniversitare të Thelluara (SHPU) në Filozofi dhe Sociologji, si dhe ka mbrojtur një Master Shkencor në Politikat Sociale në Universitetin e Tiranës. Ka kryer një Master në Shkenca Edukimi me fokus Arsimin Gjithëpërfshirës në Universitetin Roehampton në Mbretërinë e Bashkuar në kuadër të Programit Erasmus Mundus. Ka kryer studimet doktorale në Sociologji në fushën e Gjinisë dhe Kulturës në vitin 2015. Mban Titullin Docent. Ka botuar shkrime akademike në revistat shqiptare dhe të huaja. Ka hartuar programin pasuniversitar të Masterit të Edukimit dhe bashkë-hartuar atë të Masterit të Kriminologjisë Komunitare (MAIISD), si dhe programe studimi në nivelin bachelor dhe master, për departamentin e Sociologjisë. Ka një përvojë të gjerë në fushën e mbrojtjes së drejtave të grave, fëmijëve, personave me aftësi të kufizuar dhe personave LGBTI. Punon si konsulente kërkimore pranë organizatave ndërkombëtare për kërkime sociologjike në fushën e të drejtave të njeriut, arsimit, punësimit, shëndetësisë dhe politikave sociale.
Zyhdi Dervishi
Prof. Dr. Zyhdi Dervishi lindi në Prezë të Tiranës. Është profesor në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Tiranës.
Babai i tij, Sherif Dervishi, ka marrë pjesë me armë në dorë në luftë për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazistë përgjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Pas përfundimit të kësaj lufte, derisa u largua nga kjo jetë, Sherif Dervishi ka punuar si mësues.
Zyhdi Dervishi arsimimin tetëvjeçar e kreu në Prezë ndërsa arsimimin e mesëm në gjimnazin “Skënderbeu” në Krujë. Ka qenë nxënës me përparim të shkëlqyer në mësime në të gjitha lëndët. Dallohej veçanërisht në matematikë, fizikë dhe letërsi. Si përfaqësues i këtij gjimnazi ka fituar çmime në disa konkurse për lëndë të ndryshme dhe në olimpiada të matematikës në nivel rrethi dhe në shkallë kombëtare. Që në vitin e dytë të gjimnazit nisi të botojë poezitë e para në gazetat e revistat e kohës.
Prof. Dr. Z. Dervishi
Në korrik 1981 u diplomua “Punonjës i shkencave politike” në Fakultetin e Shkencave Politike e Juridike në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Për rezultate të shkëlqyera në studime Ministria e Arsimit dhe e Shkencës e shtetit shqiptar e dekoroi me “Medalje e Artë”. Duke qenë studenti i parë me Diplomë të Artë në këtë fakultet, sapo përfundoi studimet u emërua pedagog e punonjës shkencor në “Sektori i studimeve sociale” të Universitetit të Tiranës. Si punonjës shkencor është angazhuar kryesisht në fushën e studimeve për kulturën dhe inteligjencien shqiptare. Në vitin 1986 mbrojti tezën e doktoratës me një studim për disa profile sociale e profesionale të inteligjencies shqiptare përgjatë viteve 1930-1960 dhe funksionet e saj kryesore në përpjekjet për çlirimin e popullit shqiptar nga pushtuesit fashisto-naziste dhe për zhvillimin dhe emancipimin e shumanshëm të shoqërisë shqiptare.
Pas vitit 1990 kreu disa specializime afatmesme e afatshkurtra në fusha të sociologjisë së kulturës, të sociologjisë së shkencës dhe të artit në Itali dhe Gjermani. Në më shumë se 50 konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare ka referuar për probleme të ndryshme të zhvillimit të shoqërisë dhe veçanërisht të kulturës shqiptare. Ka botuar më shumë se 70 artikuj studimore në revista shkencore të profiluara në fusha të sociologjisë dhe përgjithësisht të shkencave sociale e historike, të cilat botohen në hapësirën shqiptare dhe në vende të tjerë si Italia, Rumania, Bullgaria, Turqia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj.
Është lektor i parë i lëndëve universitare Sociologji e përgjithshme, Sociologji kulture, Sociologji njohje arti dhe Komunikim simbolik që zhvillohen në Universitetin e Tiranës.
Në vitin 2007, iu akordua titulli shkencor “Profesor”
Në vitet 1995-2006 në rolin e kryeredaktorit ka themeluar dhe drejtuar revistën e përtremuajshme sociologjike, juridike e kulturologjike “Pajtimi”, e cila është njohur si periodik shkencor nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës së Republikës të Shqipërisë.
Në vitet 2011-2013 ka qenë kryeredaktori i revistës sociologjike të përgjashtëmuajshme “Lente sociologjike”, botim i Departamentit të Sociologjisë të Universitetit të Tiranës.
Që në fillim të viteve 1990 për më shumë se 20 vjet ka luajtur rol kryesor në hartimin e teksteve origjinale të sociologjisë për nxënësit dhe mësuesit e shkollave të mesme në Republikën e Shqipërisë (autor i tri teksteve dhe bashkautor në dy tekste).
Tekstet dhe monografitë e tij janë studiuar dhe studiohen nga studentë të disa degëve si pjesë e programeve të disa lëndëve sociologjike që zhvillohen në disa universitete të hapësirës shqiptare, si në Universitetin e Tiranës, në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, në Universitetin “Fan Noli” të Korçës, në Universitetin e Podgoricës (degët në gjuhën shqipe) në Republikën e Malit të Zi etj.
Për librat e tij janë botuar rreth 90 shkrime vlerësuese nga publicistë, gazetarë dhe nga specialistë me tituj e grada shkencore si: Akademik Hamit Beqja, Akademik Artan Fuga, Prof. Dr. Fatmira Musaj, Prof. Dr. Jakup Mato, Prof. Dr. Fatmira Rama, Prof. Dr. Viron Koka, Phd Fatmir Terziu etj.
Ka botuar më shumë se 700 shkrime teoriko-publicistike në gazeta të përditshme dhe periodike që botohen në hapësirën shqiptare në Ballkan, në Itali, në Greqi etj. Sidomos në vitet 1995-2016 ka qenë sistematikisht i pranishëm në të gjithë ekranet e televizioneve shqiptare, ku ka parashtruar rezultatet e shumë studimeve që ka realizuar për probleme të ndryshme të zhvillimit të kulturës, të shoqërisë shqiptare e më gjerë.
Në vitet 2004-2005 ka kryer detyrën e kryetarit të shoqatës kulturore “Preza” dhe të kryeredaktorit të gazetës “Preza”.
Zyhdi Dervishi ka botuar 4 libra me poezi, të cilat nga kritika profesionale janë vlerësuar si krijime artistike me profil origjinal, me vizione idealiste dhe theks të veçantë kritik.
Në vitet 2012-2016 ka kryer funksionin e përgjegjësit të Departamentit të Sociologjisë në Universitetin e Tiranës dhe të drejtuesit të Shkollës Doktorale pranë këtij Departamenti. Ka udhëhequr 7 disertacione doktorate dhe ka në proces disa udhëheqje të tjera.
Libra Sociologjikë
- Volunteerism, MultifunctionaL Thread in Albanian Society,Lambert Academic Publishing (LAP), Germany, Berlin 2014.
- Lente të ndërveprimit simbolik(Analizë sociologjike e rolit të simboleve kulturore, të komunikimit joverbal, botim i dytë i plotësuar), Tiranë 2016.
- Nëpër degëzime të kulturës shqiptare (Trajtesë sociologjike e disa profileve të modelimit psikokulturor të shqiptarëve),Tiranë 2014.
- Gratë në turbulencat e mendësive dhe realiteti politik (Analizë sociologjike e përfshirjes së grave shqiptare në jetën politike),Tiranë 2011.
- Sociologjia (Tekst për klasën XI të shkollave të mesme të Republikës së Shqipërisë),Tiranë 2010.
- Sociologjia (Tekst për mësuesit e shkollave të mesme të Republikës së Shqipërisë),Tiranë 2010.
- Lente të ndërveprimit simbolik(Analizë sociologjike e rolit të simboleve kulturore, të komunikimit joverbal), Tiranë 2008.
- Vullnetarizmi – ind shumëfunksional i shoqërisë
(Trajtesë sociologjike), Tiranë 2004.
- Flirte me plagët (Trajtesë sociologjike e problematikës socialkulturore të planifikimit familjar, të infeksionit HIV/AIDS, të konsumit të pijeve alkoolike dhe të lëndëve narkotike nga të rinjtë shqiptar),Tiranë 2003.
- Ndërmjet fshatit dhe qytetërimit global (Trajtesë sociologjike e integrimit shoqëror të të rinjve të zonave fshatare në dritëhijet e arsimit të mesëm. Ky libër është në bashkautorësi me Prof. Dr. Artan Fugën),Tiranë 2002.
- Adoleshentët, bashkëjetesë me demonët e konflikteve (Trajtesë sociopsikologjike e konfliktimit të nxënësve adoleshentë në Shqipëri),Tiranë 2001.
- Sociologjia II (Tekst për shkollat e mesme të profilizuara),Tiranë 2000.
- Gratë në syrin e ciklonit të sfidave dhe perspektiva (Trajtesë sociologjike e problematikës sociokulturore të vajzave e grave shqiptare në vitet ’90 të shekullit XX),Tiranë 2000.
- Vështrime të kryqëzuara në det/ Sociologji kulture 1 (Analizë e kulturës shqiptare e krahasuar me kulturën italiane përmes integrimit sociokulturor të emigrantëve shqiptarë në Itali),Tiranë 1999.
- Sociologjia I (Tekst mësimor për shkollat e mesme të profilizuara),Tiranë 1999.
- Njohuri për shoqërinë 1 (Tekst për vitin e parë të shkollës së mesme, bashkautorësi në masën 90 për qind, çka është e dokumentuar në këtë tekst), Tiranë 1995.
- Inteligjencia shqiptare dhe ndërtimi i bazave të socializmit, Tiranë 1989.
Bashkautor në libra ose përmbledhje studimesh
- Didaktika e shkencave 2015, Botuar nga Universiteti “Fan S. Noli”, Korçë 2015.
- Mendimi shqiptar dhe shkolla shqipe,Botuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Shtëpia Botuese “Plejad”, Tiranë 2009
- Politika kulturore në Shqipëri, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 2001.
- Raporti i zhvillimit human për Shqipërinë,Botim i UNDP-së, Tiranë 2000.
- Adoleshentët: të konfliktuar apo…?!Shtëpia Botuese “D.I.J.A. – Poradeci”, Pogradec 1998.
- Antropologjia e shqiptarëve,Botim i Shoqatës Antropologjike Shqiptare, Tiranë 1997.
- Refleksione socialpedagogjike,Shtëpia Botuese “Aza-Se soft”, Tetovë 1996.
- Raporti i zhvillimit human për Shqipërinë,Botim i UNDP-së, Tiranë 1995.
- Të rinjtë në shqetësimet e tranzicionit,Shtëpia Botuese “Europa”, Tiranë 1995.
Libra letrarë
- Mokra e hijeve(Poezi), Tiranë 2014.
- Vetëklonimi i maskave(Poezi), Tiranë 2009.
- Jehonëlebetia(Poezi), Tiranë 2005.
- Qiej të përthyer(Poezi), Tiranë 1999. ‘