Departamenti i Pedagogjisë dhe Psikologjisë i Universitetit të Tiranës ka një histori gjashtëdhjetë e tre vjeçare (1951-2017) kontributesh në fushën e pedagogjisë dhe të psikologjisë. Fillimet e studimeve në pedagogji e psikologji gjenden në dekadën e parë të shekullit të kaluar kur në shkollat e mesme të kohës përgatitja e mësuesve e përfshinte studimin e këtyre lëndëve.
Në vitin 1946, lënda e pedagogjisë dhe psikologjisë përfshihen në studimet për mësuesi në Institutin Pedagogjik 2 vjeçar. Në vitin 1951, krijohet Katedra e Pedagogjisë dhe e Psikologjisë pranë Institutit Pedagogjik në Tiranë. Në vitin 1957, me hapjen e Universitetit të Tiranës, Katedra e Pedagogjisë dhe e Psikologjisë u bë e para njësi mësimore-shkencore në fushat përkatëse në Shqipëri. Kjo katedër funksionoi deri në vitin 1993 pranë Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të këtij universiteti. Në vitin 1981 Katedra e Pedagogjisë dhe e Psikologjisë ofron një program specializimi pasuniversitar në fushën e pedagogjisë dhe të psikologjisë (sot ekuivalentohet si postmaster) dhe studime doktorale me programe individuale në secilën prej dy fushave (1981-1992). Në vitin 1993 katedra emërtohet Departamenti i Pedagogjisë dhe i Psikologjisë dhe transferohet në Fakultetin e Shkencave Sociale.
Në vitin 1996 Departamenti i Pedagogjisë dhe Psikologjisë (DPP) çel për herë të parë në Shqipëri studimet e nivelit bachelor në fushën e psikologjisë. Në vitin 2004 riçelen programet e studimeve master dhe në vitin 2009 rifilluan edhe programet e studimeve doktorale në fushën e pedagogjisë dhe të psikologjisë. Çelja e studimeve bachelor në fushën e psikologjisë dhe të pedagogjisë dhe kompletimi i studimeve në tre ciklet e tij është rezultante e përpjekjeve të shumë brezave që kanë kontribuuar në këto fusha.
Të gjitha këto zhvillime të rëndësishme janë shpejtuar me arsimimin e brezave të mëparshëm në vendet e demokracive lindore dhe të brezave të mëpasmë në vendet e Europës perëndimore dhe në ShBA. Këto bashkëpunime, nëpërmjet stazheve të pedagogëve, shkëmbimeve të eksperiencës kurrikulare, botimeve, etj., kanë mundësuar zhvillimet e sotme në dy fushat që Departamenti i Pedagogjisë dhe Psikologjisë mbulon.
Sot Departamenti i Pedagogjisë dhe i Psikologjisë ka 5 Prof.Dr., 3 Prof.Assoc., 1 Doc., dhe 15 Dr. Për nevojat e punës mësimore ai angazhon edhe rreth 80 pedagogë me kohë të pjesshme në vit. DPP ofron programe studimi bachelor me kohë të plotë e të pjesshme në fushën e psikologjisë, mastera shkencorë për psikologji klinike, shkollore dhe organizacionale, për mësuesinë e shkencave sociale, master profesional për këshillim psikologjik, drejtim dhe administrim arsimi, për orientim profesional dhe për pedagogjinë speciale. Gjithashtu, DPP ofron dy programe cilësore doktoraturash në psikologji dhe në edukim. Ai mbulon gjithashtu pjesën e formimit pedagogjik në të gjitha programet e masterave shkencorë të UT për formimin e mësuesve për shkollat e mesme. Pedagogët e këtij departamenti kanë prodhuar një numër të madh tekstesh e materialesh të tjera mësimore që nga përkthimet, përshtatjet dhe tekstet origjinale.
MISIONI I DEPARTAMENTIT TË PEDAGOGJISË DHE PSIKOLOGJISË
Departamenti i Pedagogjisë dhe Psikologjisë (DPP) vepron në përputhje me statutin dhe misionin e Universitetit të Tiranës dhe Fakultetit të Shkencave Sociale në funksion të zhvillimit dhe përparimit të shkencave të psikologjisë dhe edukimit, duke integruar kontributet në fushën e mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe ofrimit të shërbimeve. Misioni i DPP është përgatitja e studentëve si profesionistë të kualifikuar në fushat e psikologjisë dhe edukimit, me aftësitë e nevojshme për t’u përfshirë në aktivitete që i shërbejnë zhvillimit shkencor, zgjidhjes së problemeve dhe përmirësimit të jetës së komunitetit si dhe nxitja e procesit të punësimit të tyre në sektorin publik dhe privat të ofrimit të shërbimeve. Në përmbushjen e këtij misioni, DPP angazhohet të vërë në zbatim praktika bashkëkohore të mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe ofrimit të shërbimeve për palë të treta. DPP synon të realizojë misionin e tij përmes menaxhimit të burimeve të brendshme, kujdesit për kualifikimin e vazhduar të stafit, partneritetit me qeverinë e Shqipërisë, me partnerë strategjikë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, donatorë e palë të tjera interesi.
VIZIONI I DEPARTAMENTIT TË PEDAGOGJISË DHE PSIKOLOGJISË
Departamenti i Pedagogjisë dhe Psikologjisë (DPP) synon të sjellë kontribut të qenësishëm në zhvillimin e shkencave të edukimit dhe psikologjisë si në planin kërkimor, ashtu dhe në atë aplikativ, me theks të veçantë krijimin dhe unifikimin e praktikave profesionale në shërbimet psikologjike e arsimore të mbështetura në praktikat më të mira e në të dhënat më të fundit të kërkimit shkencor në fushë. Vizioni i DPP është të kthehet në një agjent zhvillimi dhe ndryshimi duke ofruar ekspertizë dhe kontribut në nivel politikash dhe shërbimesh, duke formuar profesionistë të kualifikuar dhe me integritet dhe duke kontribuar në përmirësimin e komunitetetit.