Shkolla e Punës Sociale është hapur për herë të parë në Shqipëri në vjeshtë të vitit 1992, me VKM Nr. 348 dt. 10.08.1992 pranë Universitetit të Tiranës si Fakulteti i Punës Sociale. Ky proces u nis nga Universiteti Grand Valley State i Miçiganit, SHBA, nga Irving Berkowitz, Dekani i Fakultetit të Punës Sociale në këtë Universitet, së bashku me themeluesit shqiptarë, që vinin nga shkencat psikopedagogjike. Në fillesat e saj kjo shkollë ka hasur një sërë vështirësish, siç ishte mungesa e specialistëve të kualifikuar, mungesa e konceptit të formuar dhe të kompletuar të profesionit të punonjësit social si dhe mungesa e institucioneve arsimore të organizuara dhe të konsoliduara në këtë drejtim. Këto probleme u zgjidhën me anë të kualifikimeve një – vjeçare në SHBA dhe në vende të tjera perëndimore të profesorëve të psikologjisë dhe fushave të përafërta, me mbështetjen e Bethany Christian Services. Më vonë, me hapjen e departamenteve të tjera u krijua Fakulteti i Shkencave Sociale, pjesë e të cilit ishte Departamenti i Punës Sociale.
Gjatë periudhës 1992 – 1996 u zhvillua programi i parë i punës sociale në Shqipëri dhe në vitin 1996 u diplomua brezi i parë i studentëve të punës sociale. Disa prej studentëve të parë të punës sociale, por edhe të tjerë në vazhdim, aktualisht janë personalitete të shquara në këtë profesion, në nivelin e ofrimit të shërbimeve por edhe të vendimmarrjes dhe politikbërjes.
Fillimi i viteve 2000 (në vitin 2001) e gjen Departamentin e Punës Sociale dhe me një Shkollë Pasuniversitare në Punë Sociale (sot Master Shkencor). Ky sukses u arrit përmes kualifikimit të vazhdueshëm të stafit akademik si dhe të zhvillimit dinamik dhe përshtatjes së kurrikulës. Në këtë vazhdë, në vitin 2004 u mundësua dhe hapja e studimeve doktorale në Punë Sociale. Në vitin 2006 pranë Fakultetit të Shkencave Sociale u hap Qendra e Studimeve Gjinore, e cila është e atashuar pranë Departamentit të Punës Sociale. Synimi i qendrës është të realizojë kërkime në fushën e përkatësisë gjinore si dhe të rrisë aftësitë profesionale të profesionistëve për të qenë të ndjeshëm ndaj ndryshimeve gjinore si dhe për të integruar perspektivën gjinore në programe, politika dhe projekte të ndryshme.
Aderimi i Shqipërisë në Kartën e Bolonjës solli një reformë të re, të iniciuar në vitin 2005, në të cilin Departamenti i Punës Sociale ishte aktiv për të ndryshuar kurrikulën e vet. Aktualisht, studimet në punën sociale kanë këto skema:
3 vite (bachelor) + 2 vjet (master shkencor) + 4 vite (doktoratë)
3 vite (bachelor) + 1 vit (master profesional)
Një ndryshim të rëndësishëm në Departamentin e Punës Sociale solli hapja e një dege të re brenda departamentit, ajo e Administrimit dhe Politikës Sociale, në vitin 2008. Hapja e saj ishte një domosdoshmëri për pasjen e profesionistëve të kualifikuar në fushën e administrimit të shërbimeve sociale si dhe në atë të hartimit, implementimit dhe monitorimit të politikave sociale. Me këtë ndryshim, emërtimi u bë: Departamenti i Punës dhe Politikës Sociale dhe këtë titull mban deri sot. Në vitin 2010, me mbështetjen e USAID – it u mundësua hapja e Qendrës së Ekselencës me një fokus në koordinimin dhe promovimin e kërkimit shkencor, ofrimin e ekspertizës për kërkuesit, ekspertët dhe profesionistët, si dhe për të gjithë ata që janë të interesuar për shkencat sociale. Në fillim të vitit 2015, profesioni i punës sociale u vendos në listën e profesioneve të rregulluara në Republikën e Shqipërisë, sipas Ligjit Nr. 163/2014.
Departamenti i Punës dhe Politikës Sociale përbëhet nga 22 pedagogë: profesorë, profesorë të asociuar, doktorë dhe doktorantë. Është një nga departamentet më të mëdha të Fakultetit të Shkencave Sociale, ku numri i studentëve është 1359. Aktualisht, në këtë departament ofrohen programet e mëposhtme të studimit:
Bachelor në Punë Sociale
Bachelor në Administrim dhe Politikë Sociale
Master profesional në “Punë sociale të avancuar” me drejtim në shëndetësi dhe arsim
Master profesional: “Analist i Politikave Sociale”
Master Shkencor në “Punë Sociale të Avancuar” me tre drejtime: praktikë klinike, politikë sociale dhe organizim komunitar
Master Shkencor në Administrimin e Shërbimeve Sociale
Master Shkencor në Përkatësi Gjinore dhe Zhvillim
Master Shkencor në Çështje të Fëmijës dhe Familjes
Master Shkencor në Shërbimet Sociale në Drejtësinë Penale
Master Shkencor në Komunikimin për Ndryshimin Social dhe të Sjelljes
Doktoraturë në Punë Sociale
Departamenti i Punës dhe Politikës Sociale është anëtar i Shoqatës Evropiane të Shkollave të Punës Sociale që prej vitit 1996, si dhe anëtar i Shoqatës Ndërkombëtare të Shkollave të Punës Sociale nga viti 2013. Së fundmi, u bë anëtar i Akademisë Ndërkombëtare të Punës Sociale dhe Shoqërisë (The international Social Work and Society Academy, TiSSA) si dhe i Shoqatës Ndërkombëtare të Shkollave të Punës Sociale (International Association of Schools of Social Work).