Dr. Orinda Malltezi
Është aktualisht lektore me kohë të plotë pranë Departamentit të Shkencave Politike në Fakultetin e Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës që nga viti 2004. Ajo është diplomuar në vitin 2003 në Universitetin e Mesdheut Lindor në Qipro (Eastern Mediterranean University), në degën Marrëdhënie Ndërkombëtare. Ajo kreu studimet Master gjatë viteve 2006-2008 në degën “Menaxhim Projektesh Ndërkombëtare”, Akademia e Studimeve Ekonomike në Bukuresht, Rumani. Studimet doktorale i ka përfunduar pranë Departamentit të Shkencave Politike, Universiteti i Tiranës në vitin 2015, me tematikë marrëdhëniet shqiptaro-greke. Fushat e saja të studimit janë: marrëdhëniet ndërkombëtare, organizatat ndërkombëtare, kultura politike si edhe analiza dhe vlerësimi i politikave. Përveç eksperiencës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor pranë Universitetit të Tiranës, ajo ka eksperiencë në organizata ndërkombëtare si SECI/SELEC ku edhe ka punuar gjatë periudhës që ndiqte studimet master. Ajo ka qenë drejtuese e disa aktiviteteve në lidhje me kërkimin shkencor dhe zhvillimin e institucionit, si edhe këshilluese për institucione të ndryshme me kohë të pjesshme.
Aktualisht është titullare e disa lëndëve në ciklin Bachelor, siç janë: Organizatat Ndërkombëtare, Politika e Jashtme e SHBA-së dhe në nivelin Master lëndët: Vlersimet e Politikave dhe Marrëdhëniet Shqipëri-Greqi.
.
Prof. Asoc. Dr. Merita Xhumari
Është profesore për Politikat Sociale dhe Politikat Publike në Departamentin e Shkencave Politike, Fakulteti i Shkencave Sociale dhe ka 30 vjet pedagoge në Universitetin e Tiranës. Këto lendë i zhvillon në nivelet Bachelor, Master dhe Doktoratë, për fushat e studimit të shkencave politike, sociologjisë, filozofisë dhe të punës sociale. Gjatë 2008-2016 është zgjedhur Anëtare e Këshillit Shkencor të Fakultetit të Shkencave Sociale.
Profesore Xhumari ka fituar gradën shkencore Doktor nga Fakulteti i Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës (1997), Diplomën Master mbi Sigurimet Shoqërore Evropiane nga Catholic University of Leuven, Belgjikë (2002) dhe Diplomë në Shkencat Politike nga Universiteti i Tiranës (1983). Gjatë periudhës 2015-2017 ka marrë kualifikim si Menaxhere e Cilësisë dhe Profesore e modulit Politika dhe Administrimi Publik në kuadrin e Projektit Erasmus+. Ka përvojë 10 vjeçare në administratën publike si Përgjegjëse e Politikave dhe Kërkimeve Sociale në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, 1995-2005. Angazhuar si kërkuese shkencore në projekte kombëtare e ndërkombëtare në fushën e politikave sociale/publike në Shqipëri dhe Kosovë. Autore dhe bashkautore e studimeve të publikuara brenda e jashtë vendit së fundmi janë: studimi “Universitetet dhe Tregu i Punës në Ballkanin Perëndimor, rasti i Shqipërisë” (2016), autore e tekstit universitar “Procesi dhe Institucionet e Politikës Sociale”, (2014); autore e monografisë “Trajektoret e Pensioneve në Ballkanin Perëndimor 1990-2010” (2011), në shqip dhe anglisht, etj.
.
Prof. Asoc. Dr. Enis Sulstarova
Është lektor i parë pranë Departamentit të Shkencave Politike. Ai është diplomuar si sociolog nga Middle East Technical University (Ankara/Turqi) në vitin 2000. Në vitin 2002 mbaroi studimet për master pranë të njëjtit universitet në degën e Shkencave Politike dhe Administrimit Publik. Në vitin 2011 mbrojti gradën “doktor i shkencave” pranë Universitetit të Tiranës dhe në vitin 2016 mori titullin “profesor i asociuar” pranë të njëjtit universitet. Gjatë viteve 2013-2015 ai ka qenë “Marie Curie Fellow” pranë Institutit Georg Eckert në Braunschweig të Gjermanisë. Fushat e tij të interesit janë nacionalizmi, politikat e identitetit, sociologjia politike, ideja e Evropës, qytetaria. Enis Sulstarova është autor i disa librave dhe i një numri artikujsh të botuar në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit.
.
Dr. Arlind Qori
Është pedagog në departamentin e shkencave politike. Studimet bachelor 4-vjeçare i ka kryer në të njëjtin departament gjatë viteve akademike 2000-2004. Studimet master i ka kryer pranë departamentit të filozofi-sociologjisë në Fakultetin e Shkencave Sociale gjatë viteve akademike 2006-2008. Studimet doktorale i ka kryer në vitet 2011-2015 pranë departamentit të shkencave politike, ku ka fituar titullin “doktor i shkencave” me disertacionin e titulluar: Ideja e Evropës dhe ideologjia shqiptare: Studim i rolit të idesë së Evropës në ideologjizimin e ligjërimit politik shqiptar të pasvitit 1991.
Arlind Qori punon si pedagog i brendshëm në departamentin e shkencave politike që prej vitit akademik 2005-2006. Aktualisht është lektor i lëndëve të “Historisë së mendimit politik I”, “Historisë së mendimit politik II”, “Ligjërimit politik postmodern”, lëndës me zgjedhje “Dialektikë dhe histori”. Më parë ka dhënë kontribut lektorial edhe në lëndët e “Teorive të demokracisë”, “Filozofisë politike bashkëkohore” dhe “Shkencës politike krahasuese”.
Fushat parësore të studimit të tij janë filozofia politike dhe kritika e ideologjisë.
Ai është gjithashtu autor i tekstit mësimor “Histori e mendimit politik” dhe i disa artikujve shkencorë të botuar brenda dhe jashtë vendit. Po ashtu është bashkëhartues i studimit “Gjendja e klasës punëtore në Shqipëri”.
.
Dr. Blendi Çeka
Është lektor me kohë të plotë pranë Departamentit Shkenca Politike në Fakultetin e Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës. Ai ka përfunduar Master Shkencor pranë London School of Economics në “Politikë dhe Qeverisje Evropiane” në vitin 2005. Në vitin 2013 ai ka mbrojtur gradën Doktor i Shkencave me temë: “Marrëdhënia ndërmjet sistemeve zgjedhore, sistemeve partiake dhe sjelljes zgjedhore” në Universitetin e Tiranës.
Fushat e tij të ekspertizës dhe interesit janë: sistemet zgjedhore, partitë politike dhe sjellja zgjedhore. Aktualisht ai ligjëron në programet Bachelor dhe Master të organizuara nga departamenti, në lëndët Psikologji Politike, Proceset Zgjedhore dhe Metodat e Avancuara të Kërkimit Cilësor.
.
Dritan Karadaku (PhD)
Është lektor me kohë të plotë në Departamentin e Shkencave Politike në Fakultetin e Shkencave Sociale. Ai u diplomua në këtë fakultet (2004), në degën Filozofi-Sociologji (me drejtim Filozofi). Studimet master i mbaroi në vitin 2006 në Universitetin Paris 8, Paris, Francë. Në të njëjtin universitet përfundoi dhe Doktoraturën në Filozofi në vitin 2012. Prej dhjetë vitesh ai jep mësim në Departamentin e Shkencave Politike (por edhe në Departamentin e Filozofisë). Që prej vitit 2013 ai është bashkëpunëtor (me kohë të pjesshme) i Schiller University, Heidelberg, Gjermani. Fusha e tij e interesit, studimit dhe punës është Filozofia, në të gjitha nuancat e saj ; mes tyre vëmendje të veçantë marrin metafizika, etika, morali, filozofia e fesë dhe e artit, edhe ajo politike. Veç mësimdhënies, ai ka një kontribut modest në përkthimet filozofike, si veprat e Filozofit holandez Spinoza, dhe autorit francez Etienne de la Boètie. Gjithashtu, herë pas herë, ai shkruan rreshta të cilat i pëlqen që t’i konsiderojë si poezi.
.
Dr. Dhurata Milori
Është lektore me kohë të plotë pranë Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin e Tiranës prej Nëntorit 2015. Ajo u diplomua nga i njëjti departament në vitin 2007. Në vitin 2010 mban titullin Mater i Shkencave në Studime Europiane në Universitetin Comenius në Bratislavë. Ka mbrojtur gradën shkencore Doktor i Shkencave në Shtator 2015 në Legjislacion dhe Institucionet e Bashkimit Europian në Universitetin e Tiranës. Gjithashtu është diplomuar si Bachelor në Drejtësi në vitin 2014 në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë. Fushat e saj kryesore të interesit dhe kërkimit shkencor janë: politikat dhe institucionet e Bashkimit Europian, administrata dhe shërbimi publik, etika, marrëdhëniet ndërkombëtare, e drejta ndërkombëtare, shteti i së drejtës, kërkimi shkencor në shkencat politike. Eksperiencat e saj të mëparshme të punës lidhen me administratën publike, mësimdhënien si pedagoge e jashtme dhe angazhimin në projekte dhe institute kërkimore. Është autore dhe bashkautore e artikujve të botuara në vend dhe jashtë tij. Aktualisht ligjëron në programet Bachelor dhe Master të Departamentit.
.
Klejd Këlliçi (PhD)
Është diplomuar në Universitetin e Torinos, Itali në Shkenca Politike, Administratë Publike në vitin 2004. Ka kryer studimet Master Shkencor në “Çështje Europiane dhe Globale” pranë Universitetit Katolik të Zemrës së Shenjtë në Milano në vitin 2005. Në vitin 2011 ka marrë titullin Doktor Shkencash në Politikë dhe Institucione të Krahasuara nga Universiteti “Aldo Moro” në Bari. Në vitin 2006 ka filluar të jap mësim në Universitetin Zoja e Këshillit të Mirë në Tiranë e më pas ka mbuluar disa pozicione drejtuese e mësimdhënëse në universitet publike e private në Shqipëri. Që prej vitit 2015 është pedagog i brendshëm pranë Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës ku jep lëndët Shkenca Politike të Krahasuara, Teori të Demokracisë dhe Politika në Evropën Juglindore.
Interesi i tij shkencor është në fushat e Qeverisjes së Krahasuar, Sistemet e Partive, Poltikat Etnike, dhe Historinë Sociale (Studime Komuniste dhe Post-Komuniste).
Në vitin 2010 ka qenë përfitues i Fondit të Ekselencës, dhënë nga qeveria shqiptare për studime jashtë shtetit.
.
Klodiana Beshku (PhD)
Është lektore në Universitet prej më shumë se 10 vjetësh.
Që prej vitit 2008 ajo është lektore e parë për lëndët Gjeopolitikë, Teori të Marrëdhënieve Ndërkombëtare e Siguri Rajonale dhe Lëvizje Sociale e Politike pranë Departamentit të Shkencave Politike, Fakultetit të Shkencave Sociale, Univeristetit të Tiranës dhe kryeredaktore e revistës shkencore Politikja, të këtij Departamenti. Ajo mban gradën PhD në Gjeopolitikë nga Universiteti i Pizës, Itali që prej vitit 2011, gradën Master në Studime Evropiane të Universitetit të Sienës, Itali dhe Universitetit Robert Schumman III të Strasburgut, Francë dhe Diplomë Magjistrale në Shkenca Politike/Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Universiteti i Sienës, Itali. Ajo ka një sërë publikimesh në fushën e gjeopolitikës, politikës së jashtme, studimeve evropiane dhe Ballkanit Perëndimor. Në vitin 2015-2016, ajo ka qenë këshilltare për rajonin e Ministrit të Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati, nëpërmjet programit LEAD Albania.
.
Dr. Marsela Sako
Është lektore me kohë të plotë pranë Departamentit të Shkencave Politike / Universiteti i Tiranës, që nga viti 2004.
Është diplomuar në vitin 2003, në Shkenca Politike dhe Historike nga Universiteti Pandio / Athinë, Greqi. Nga viti 2008, mban titullin Master në Filozofi-Sociologji. Ka mbrojtur gradën Doktor i Shkencave në vitin 2014, pranë Universitetit të Tiranës, në fushën e Dipllomacisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare të BE.
Ka një përvojë 13 vjeçare në fushën e mësimdhënies dhe kërkimit në fushën e Shkencave Politike.
Aktualisht zhvillon mësim në programet, Bachelor në Shkenca Politike për lëndët: “Marrëdhëniet Ndërkombëtare”, “Konfliktet dhe Modele të Zgjidhjes” dhe në programin, Master i Shkencave në Studime Rajonale Politike për lëndët: “Analiza e Politikës së Jashtme/vëndet e EJL”, dhe “Shqipëria dhe Greqia pas shekullit të 20”.
Ka një përvojë të gjatë në udhëheqjen e tezave të kërkimit për dipllomën bachelor dhe dipllomën master. Ka përvojë si trajnere dhe koordinatore e projekteve në fushën e shkencave sociale. Është autore artikujsh në fushën e shkencave politike, të botuara brenda dhe jashtë vëndit.
.
Nysjola Dhoga (PhD)
Është diplomuar për Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare (Bachelor dhe Master Shkencor) pranë Universitetit të Romës “La Sapienza”, ku ka përfunduar edhe studimet doktorale në vitin 2012. Ka kryer gjithashtu masterin për studime Juridiko-Ekonomike pranë Universitetit të Kamerino, Itali në vitin 2008.
Ka një eksperincë pune shtatë vjeçare në Administratën Publike Shqiptare dhe prej vitit 2014 është pedagoge e brendshme e Departamentit të Shkencave Politike.
Aktualisht, ajo ligjëron në programet Bachelor dhe Master në lëndët “Administrata Shqiptare”, “Qeverisje qendrore, rajonale dhe lokale”, “Sistemet Politike në Shqipëri” dhe “Lexim kritik dhe shkrim akademik”.
.
Dr. Sofokli Meksi
Është lektor me kohë të plotë pranë Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin e Tiranës prej shtatorit 2008.
Ka kryer studimet universitare për Shkenca Politike në Universitetin e Studimeve Ndërkombëtare Romë (1999-2005), si dhe studimet pë Drejtësi pranë Universitetit të Tiranës (2005-2009). Nga viti 2006 e deri në vitin 2008 ka kryer studimet master në drejtimin Filozofi-Sociologji pranë Universitetit të Tiranës. Ka përfunduar Studimet doktorale në Departamentin e Shkencave politike të Universitetit të Tiranës me objekt studimor “Raportet mes Shoqërisë shqiptare dhe Regjimit stalinist përgjatë viteve 60-të”.
Është mësimdhënës në lëndët “Histori politike bashkëkohore”, “Histori Ballkani” dhe “Shteti dhe Shoqëria”.
Fushat kryesore të interesit akademik janë: Histori Bashkëkohore, Histori e Kapitalizmit, Sistemet e socializmit shtetëror, Stalinizmi, Sovjetologjia.