Profili (më pas Dega) e Sociologjisë në Universitetin e Tiranës ka filluar të funksionojë në shtator 1993. Në zbatim të standardeve të Marrëveshjes së Bolonjës në vitin 2005 filloi formësimi i degës së sociologjisë të mëvetësuar nga ajo e filozofisë duke formuar që prej vitit 2008 Departamentin e Sociologjisë, si pjesë e Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës.
Departamenti i Sociologjisë është njësi bazë e zhvillimit të mësimdhënies dhe të punës kërkimore-shkencore pranë Fakultetit të Shkencave Sociale për fushën e Sociologjisë.
Misioni i mësimdhënies
Në përputhje me misionin e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë, siç parashikohet në ligjin 80/2015 për Arsimin e Lartë, Departamenti i sociologjisë ka për mision:
- të ndihmojë studentët në zhvillimin e njohurive shkencore dhe aftësive të nevojshme për t’u bërë profesionistë të zotë në një shoqëri që është gjithnjë në ndryshim
- të formojë specialistë të lartë dhe të përgatisë shkencëtarë të rinj në fushën e sociologjisë, në përputhje me prioritetet e zhvillimit të vendit, duke kontribuar në rritjen e standardeve të demokracisë në vend
- të krijojë një ambient i cili inkurajon kerkimin rigoroz shkencor sociologjik dhe të integroje kërkimin shkencor me mësimdhënien
- të kontribuojë në zhvillimin social dhe kulturor në nivel kombëtar dhe rajonal si dhe në forcimin e sigurisë publike dhe kombëtare
Në përmbushje të misionit të tij mësimdhënës, Departamenti i Sociologjisë ka si vizion arritjen e standardeve akademike më të larta bashkëkohore kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe përkrahjen e aspiratave dhe arritjeve të cilitdo që kërkon të përfitojë dije sociologjike, nëpërmjet mësimdhënies.
Departamenti i sociologjisë është gjithashtu i përkushtuar ndaj kërkimit rigoroz shkencor për të prodhuar dije sociologjike. Në pëmbushje të misionit të kërkimit shkencor Departamenti i Sociologjise në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës synon të jetë departamenti udhëheqës si në Republiken e Shqipërise, dhe në hapësirat shqiptare përsa i përket kërkimit shkencor sociologjik, si dhe të japë kontributin e tij ndaj dijes sociologjike në nivelin ndërkombëtar. Departamenti synon të jetë një qendër e rëndësishme e kërkimit rigoroz shkencor sociologjik, i aftë për të studiuar e interpretuar problemet komplekse shoqërore me të cilat ndeshet shoqëria shqiptare në këtë periudhë tranzicioni.
KURSET E STUDIMIT
Kurset e studimit në Departamentin e Sociologjisë janë organizuar në bazë të marrëveshjes së Kartës së Bolonjës dhe legjislacionit në fuqi. Programet e studimit janë ndërtuar duke pasur parasysh fokusin vjetor. Çdo vit studimi ka të mirëpërcaktuar fokusin e studimit dhe programet e lëndëve të zgjedhura si dhe metodologjia e zhvillimit të tyre synojnë pikërisht realizimin e fokusit vjetor.
Diploma në Sociologji ju mundëson të diplomuarve aksesin në fusha të ndryshme punësimi në sektorin e biznesit dhe tregëtisë, në nivele të ndryshme të pushtetit qëndror dhe lokal, në sistemin e drejtësisë, në sistemin e edukimit, në kërkim si dhe në shërbimet sociale dhe punën në komunitet.
Më konkretisht, diploma në Sociologji mundëson:
- këndvështrim objektiv dhe kritik në shoqërinë tonë dhe shoqëritë e tjera.
- rritjen e aftësisë për të qënë një qytetar i informuar dhe me mundësi për të ndikuar zhvillimet shoqërore dhe zhvillimet e politikave të ndryshme.
- mjetet konceptuale dhe metodat për të kuptuar mjedisin shoqëror në disa nivele të ndryshme si: qëndrimet e grupeve të ndryshme, vlerat, sjelljet, proceset politike, marrëdhëniet në sistemin ekonomik, familje, organizatat e ndryshme,
- një i diplomuar në sociologji mund të realizojë kërkime në sfera të ndryshme të organizuara nga institucione kombëtare, organizata ndërkombëtare dhe OJF.
- punësimin si drejtues kërkimi, analist politikash, vlerësues programesh, menaxherë programesh dhe menaxherë të burimeve njerëzore.
- angazhimin në sistemin e drejtësisë si këshillues ligjor, si asistent në sistemin e shërbimit të provës, vlerësues programesh dhe projektesh.
- punësimin në shërbimet sociale si këshillues në hartim politikash, administrues projektesh kërkimore dhe komunitare, në administrimin e shërbimit shëndetësor dhe problematikave të tij, adresimi i familjeve dhe grupeve në nevojë.
- karrierë në institucionet e edukimit formal si mësimdhënës në nivelin e arsimit të mesëm ose në shkolla të larta dhe universitete, administrator i institucioneve të arsimit, në shërbimet ndaj studentëve etj.
Aktualisht ky departament ofron programet e mëposhtme:
Ciklin I:
- Bachelor në sociologji
Cikli II:
- Master shkencor “Sociologji e zhvillimeve shoqërore”
- Master profesional “Administrim i institucioneve sociale në sistemin e drejtësisë” në bashkëpunim me Departamentin e së Drejtës Penale në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës.
- Në bashkëpunim me departamentin e Pedagogjisë dhe Psikologjisë, Departamentin e Filozofisë dhe Departamentin e Menaxhimit, Departamenti i Sociologjisë ofron masterin shkencor “Mësuesi në shkencat sociale për arsimin e mesëm të lartë”.
Cikli III:
Studime doktorale në fusha të sociologjisë
Kurrikula e programeve të ofruara është hartuar mbi bazën e literaturës shkencore dhe përvojave mësimore të universiteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anglisë, Gjermanisë, Francës, Italisë etj. Të gjitha lëndët e sociologjisë në nivel universitar janë të pajisura me tekstet përkatëse origjinale ose të përkthyera ose leksionet e përgatitura nga pedagogu i lëndës. Në to studentët gjejnë parashtresat themelore për lëndën. Përpos teksteve, studentëve iu referohet literaturë, kryesisht në gjuhën angleze.
Studimet në nivele të avancuara (DND, MP, MSHK) shoqërohen me literaturë në gjuhën shqipe dhe angleze të botuar vitet e fundit. Biblioteka e fakultetit ka mjaftueshëm zëra botimesh për të mbuluar nevojat e studentëve. Departamenti po bën përpjekje për abonim në revista online për të patur akses të pakufizuar në studime, botime dhe artikuj e forume në fushën e sociologjisë. Botime të tilla departamenti i konsideron të domosdoshme.
Lëndët sociologjike që zhvillohen në këtë degë kanë edhe profil kombëtar që realizohet nga një numër i madh studimesh sociologjike, artikujsh shkencorë dhe punimesh monografike për shoqërinë dhe kulturën shqiptare të botuara nga pedagogët e Departamentit të Sociologjisë. Diploma e Sociologjisë që përfitohet nga ndjekja e studimeve në departamentin tonë njihet në të gjitha vendet perëndimore. Këtë gjë e dëshmon fakti që studentët tanë që janë diplomuar në ciklin bachelor, kanë vazhduar menjëherë studimet master në këto vende, por edhe ata që kanë ndjekur një ose dy vite pranë departamentit tonë, e kanë vazhduar studimin në të njejtin cikël në universitete prestigjoze perëndimore.
Nga viti 1997 deri në vitin 2008 në sistemin katërvjeçar janë diplomuar 375 studentë në profilin sociologji dhe 123 studentë në profilin sociologji-mësuesi. Nga viti 2008 deri në vitin 2015 janë diplomuar në ciklin e parë në sociologji 640 studentë dhe janë në vazhdim në të trija vitet 243 të tjerë. Në cilkin e dytë master shkencor “Sociologji e zhvillimeve shoqërore” nga viti 2008 janë diplomuar 192 studentë. Në ciklin e dytë master profesional “Administrim i institucioneve sociale në sistemin e drejtësisë” që nga viti 2012 deri në vitin 2015 janë diplomuar 175 studentë. Në masterin shkencor “Mësuesi në shkencat sociale për arsimin e mesëm të lartë”, që nga viti 2009 janë diplomuar 94 studentë, të cilët kanë përfunduar ciklin bachelor në sociologji.
Departamenti i Sociologjisë ka një staf akademik të kualifikuar dhe me përvoja cilësore kombëtare e ndërkombëtare në fushën e mësimdhënies akademike. Ata janë autorë të teksteve dhe punimeve monografike, si dhe artikuj të botuar në revista të njohura ndërkombëtare mbi çështje të ndryshme të zhvillimit të shoqërisë shqiptare të cilët kanë ndihmuar për të realizuar profilin kombëtar të lëndëve sociologjike. Tekstet dhe punimet monografikë të botuara nga stafi akademik i Departamentit të Sociologjisë janë zhvilluar ose zhvillohen përgjatë 20 viteve të fundit, jo vetëm me studentët e Degës së Sociologjisë të Universitetit të Tiranës, por edhe Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, Universiteti “Fan Noli” në Korçë, Universiteti “Aleksander Moisiu” Durres, etj. Përveç kësaj, pedagogë të këtij departamenti kanë realizuar përkthime të disa teksteve bazë në fushën e sociologjisë, si për shembull libri “Sociologjia” të sociologut anglez të mirënjohur në shkallë botërore Anthony Giddens. Gjithashtu, anëtarët e departamentit luajnë një rol të rëndësishëm në shoqërinë civile shqiptare. Ata janë angazhuar në një sërë studimesh dhe kërkimësh shkencore të iniciuara nga struktura studimore ndërkombëtare dhe në rolin e ekspertit aktivizohen dendur në media të ndryshme, televizione, gazeta, revista etj.
Që nga viti 2011 Departamenti i Sociologjisë boton revistën shkencore të përgjashtëmuajshme “Lente Sociologjike”. Kjo revistë është konceptuar si bashkëpunim dhe me pedagogët e departamenteve të sociologjisë të universiteteve publike të hapësirës shqiptare. Në bordin e kësaj reviste ka anëtare me tituj e grada shkencore jo vetëm nga universitetet e Republikës së Shqipërisë, por dhe nga Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti Shtetëror i Tetovës. Në bordin e kësaj reviste ka dhe profesorë të shquar të universiteteve Gjermane dhe Amerikane.