Blerina Hamzallari, Dr. Sociologji
Dr. Blerina Hamzallari është drejtuese e njësisë bazë të Sociologjisë në Universitetin e Tiranës që prej 18 janar 2018 e në vazhdim. Ajo ka përfunduar studimet e ciklit të parë në Sociologji si “Student i shkëlqyer” në vitet 2005-2008 në Universitetin e Tiranës. Në vitet 2008-2010 ka përfunduar studimet e ciklit të dytë në “Sociologji e zhvillimeve shoqërore” po në Universitetin e Tiranës, në përfundim të të cilave u diplomua me “Medalje e artë”. Në korrik të vitit 2017 u diplomua “Doktor” në shkencën e Sociologjisë.
Nga viti 2012 e në vazhdim Blerina Hamzallari ka qënë lektore e disa lëndëve universitare si Sociologji familje, Teori Sociologjike, Tipologji të konfliktit bashkëkohor, Hyrje në Sociologji, Shkrim akademik, Komunikim ndërkulturor, Hyrje në media dhe komunikim. Interesat kryesore të kërkimit janë: Familja, martesa, të rinjtë, gjinia, konflikti dhe ndërmjetësimi, drejtësia restauruese, komuniteti dhe familjet, farefisnia, komunikimi ndërkulturor, grupet vulnerabël, etj. Ajo është autore dhe bashkëautore e disa artikujve botuar brenda dhe jashtë vendit, autore e moduleve të edukimit në fushën e arsimit, pjesëmarrëse në projekte kërkimore, konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare.