DEPARTAMENTI I SHKENCAVE POLITIKE
Departamenti i Shkencave Politike i ka fillesat e ngritjes dhe krijimit të tij në vitin akademik 2000-2001, periudhë në të cilën ai ka funksionuar si degë e veçantë në profilin Shkenca Politike, seksion i bashkëngjitur tek Departamenti Filozofi-Sociologji. Prej vitit 2008 nga statusi i seksionit, dega Shkenca Politike do të ndryshonte në Departamenti Shkenca Politike, si pjesë e Fakultetit të Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës.
Departamenti i Shkencave Politike është njësi bazë e zhvillimit të mësimdhënies dhe të punës kërkimore-shkencore pranë Fakultetit të SHkencave Sociale për fushën e shkencave politike.
Në përputhje me politikat dhe kuadrin ligjor në fuqi, Departamenti ka si mision:
- Të nxisë e të zhvillojë mendimin kritik nëpërmjet krijimit, zhvillimit dhe përcjelljes së dijeve përmes mësimdhënies, duke kontribuar në rritjen e standardeve të demokracisë në vend;
- Të integrojë dijet teorike me aftësimin praktik për të formuar studiues, analistë dhe specialistë të lartë në fushën e shkencave politike, në përputhje me prioritetet e zhvillimit të vendit;
- Të mbështesë zhvillimin e vendit dhe rritjen e cilësisë së arsimit, nëpërmjet veprimtarisë së kërkimit shkencor bazë dhe të zbatuar, si dhe duke integruar mësimdhënien me kërkimin shkencor.
Departamenti i Shkencave Politike, në përmbushje të misionit të mësimdhënies, ka si vizion arritjen e përputhshmërisë me standardet e hapësirës evropiane të arsimit të lartë (HEAL). Kjo do të arrihet nëpërmjet sigurimit të cilësisë në mësimdhënie, integrimit të mësimdhënies me kërkimin shkencor, përmirësimit të programeve dhe metodave didaktike, si dhe rritjes së bashkëpunimit me institucionet partnere në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Kërkimi shkencor është thelbësor për rritjen e cilësisë së mësimdhënies, për përparimin e shkencës dhe për zhvillimin e vendit. DPSH ka si synim:
- Zgjerimin, thellimin, rikonceptimin dhe riintegrimin e njohurive shkencore në fushën e shkencave politike dhe të kuptuarit teorik të ndërveprimit midis aktorëve të ndryshëm dhe vetë procesit ku ato ndikojnë nëpërmjet kërkimit shkencor bazë, si dhe integrimin e këtij kërkimi në mësimdhënie.
- Gjetjen e zgjidhjeve praktike dhe specifike në fushën e shkencave politike nëpërmjet kërkimit shkencor të zbatuar, me qëllim zbatimin e njohurive teorike në kuadër të rritjes së standardeve të demokracisë në vend;
KURSET E STUDIMIT
Kurset e studimit në Shkenca Politike janë organizuar në bazë të marrëveshjes së Bolonjës dhe legjislacionit në fuqi. Ato janë ndërtuar në bazë të parimeve të linearitetit dhe koncentrizmit, gjë që mundëson si përcaktimin e objektivave të çdo programi studimi, ashtu edhe vijueshmërinë në ciklet pasardhëse.
Diploma në Shkenca Politike jep titullin “Politolog” dhe mbulon një gamë të gjerë profesionesh në institucione publike, në organizata ndërkombëtare, në parti politike, në sektorin privat, në media e më gjerë.
Më konkretisht, diploma në shkenca politike mundëson:
- zhvillimin e një karriere politike dhe aftësimin për të ofruar këshillim politik;
- punësim në administratën publike në nivelin politik të vendimmarrjes apo në departamentet që hartojnë dhe zhvillojnë politikat qeverisëse;
- punësimin në administratën publike si nëpunës civil në strukturat e ngarkuara për marrëdhëniet me jashtë, integrimin europian, menaxhimin e projekteve, menaxhimin e burimeve njerëzore, komunikimin me publikun, shërbimet mbështetëse administrative etj….
- ndjekjen dhe avancimin në karrierën diplomatike;
- punësim në organizata ndërkombëtare dhe OJF;
- zhvillimin e platformave të komunikimit politik për partitë e më gjërë;
- Mundësi karriere si analist politike në media e më gjerë;
- aftësimi për të zbatuar kuadrin teorik në praktikë dhe kultivimi i mendimit kritik e analitik, formon qytetarë më të mirë, që mund të japin një kontribut për rritjen e standardeve të demokracisë në vend..
Gjithashtu, dega mund të integrohet me studime të thelluara për ekonomi, drejtësi apo degë të tjera plotësuese, duke rritur mundësitë e karrierës.
Departamenti i Shkencave Politike, pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, UT, ofron studime në të tria ciklet, përkatësisht:
- Studime të Ciklit të I-rë
- Bachelor në “Shkenca Politike
- Studime të Ciklit të II-të
- Masteri Profesional në “Qeverisje dhe politikat publike”;
- Master i Shkencave në “Teori Politike”;
- Master i Shkencave në “Studime Rajonale Politike”.
- Studime të Ciklit të III-të
- Studime Doktorale
Kurset gërshetojnë teorinë me praktikën, duke zhvilluar mendimin kritik dhe analitik, një aftësi thelbësore për pothuajse të gjitha profesionet tërheqëse.
Në nivelin Bachelor zhvillimi dhe përcjellja e dijeve zhvillohet nëpërmjet një sërë disiplinash (formuese të përgjithshme, karakterizuese, integruese), me anë të së cilave synohet asimilimi i njohurive teorike dhe zhvillimi i mendimit kritik. Kjo realizohet jo vetëm nëpërmjet gërshetimit të orëve teorike me ato praktike për çdo disiplinë, por edhe nëpërmjet zhvillimit të lëndëve që kanë si objektiv kryesor krijimin e kompetencave dhe aftësive që mundësojnë një zbatim praktik të kuadrit teorik.
Niveli master synon ofrimin e njohurive teorike të thelluara dhe të specializuara sipas fushës së studimit, si dhe krijimin e kompetencave dhe aftësive të cilat gjejnë zbatim konkret në tregun e punës apo në fushën e kërkimit shkencor. Në këtë kuadër, metodologjia e mësimdhënies dhe programet e lëndëve në nivel master zhvillohen në mënyrë më fleksibël, duke nxitur një pjesëmarrje aktive të studentëve jo vetëm në përcaktimin e një pjese të tematikave që kanë nevojë për thellim, por edhe nëpërmjet zhvillimit të kompetencave dhe nxitjen e aftësimit praktik të nevojshëm në një treg gjithmonë e më dinamik.
Në kuadër të zhvillimit të programeve dhe arritjen e standardeve ndërkombëtare të mësimdhënies, DSHP ka si objektiv hapjen e masterit të përbashkët Evropian në Shkenca Politike (euro PS) në kuadrin e Erasmus +. Ky projekt i përbashkët synon zbatimin e standardeve Europiane në Universitetet e Ballkanit perëndimor, duke mbështetur modernizimin dhe europianizimin e tyre si dhe duke fuqizuar standardet, praktikat pozitive dhe rrjetëzimin e qëndrueshëm.
Programet e studimeve doktorale janë organizuar dhe zhvillohen në përputhje me Urdhrin e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës nr. 567, datë 23.11.2011.
Mësimdhënia në të tria ciklet kryhet me profesionalizëm nga një staf i kualifikuar në universitete të njohura perëndimore. Kurrikulat janë të përditësuar sipas standardeve perëndimore, duke i përshtatur me dinamikat konkrete të Shqipërisë. Mësimdhënia kryhet duke përdorur të gjitha metodave didaktike të aftësimit, të të mësuarit dhe të të nxënit, si dhe duke u bazuar në literature të përzgjedhur.