Studime doktorale në fushën e Sociologjisë
Studimet e nivelit të tretë, të doktoraturës në Sociologji, në Universitetin e Tiranës ofrohen në Fakultetin e Shkencave Sociale, krahas studimeve të Ciklit të dytë dhe atyre të Ciklit të parë për Sociologji. Fokusi i studimeve të nivelit të tretë është kërkimi shkencor i cili ofrohet në përputhje me nevojat për studime të thelluara të çështjeve sociale në realitetin e shoqërisë shqiptare. Grada e doktorit synon ta përgatisë sociologun të punojë në mënyrë të pavarur si kërkues shkencor, si drejtues grupi studimor, si këshillues i avancuar, si pedagog, etj.
Koha e parashikuar për ndjekjen e një programi doktorature në fushën e sociologjisë është menduar të jetë minimumi 3 vjet. Kjo do të ndihmojë që studenti doktoral të zotërojë njohuritë, aftësitë për të bërë kërkime sociologjike dhe shkathtësitë që kërkon puna studimore në realitetin e shoqërise së sotme.
Studimet e doktoraturës janë konceptuar si studime që avancojnë arritjet e studimeve të nivelit të dytë në fushën e sociologjisë. Në përfundim të këtyre studimeve doktori i shkencave sociologjike mund të punojë si i pavarur ose mund të supervizojë a drejtojë dhe sociologë të tjerë. Programi i doktoraturës diferencohet në disa profile si sociologji e kulturës dhe e subkulturave, sociologji urbane, sociologji arsimi, sociologji komunikimi, sociologji familje, etj.
Qëllimi i programit të studimeve të doktoraturës është të nxisë doktorantët të përparojnë në kërkimet e tyre të një roli të shënuar në kërkimin shkencor dhe në trajnimet. Studentët e regjistruar në programin e doktoraturës në sociologji do të: zotërojnë një kapacitet për t’u përfshirë në kërkim shkencor të pavarur, në drejtimin e kërkimit shkencor dhe në vlerësimin e kërkimit shkencor; zotërojnë njohuritë dhe aftësitë për të trajtuar në këndvështrime të gjithanshme problematikën sociale; zotërojnë aftësi për të luajtur rol drejtues në përhapjen e gjetjeve nga studimet sociologjike.