(120 Kredite, 2 Vjet)
Programi Master i shkencave në “Psikologji Klinike” ka për mision përgatitjen e psikologëve me orientim klinik, të aftë për të ofruar shërbime të pasura dhe cilësore në përgjigje të nevojave të popullatës dhe në përputhje me kërkesat e qendrave, apo shërbimeve shëndetësore përkatëse.
Ky program ofron mundësinë për të adresuar nevojat dhe kompetencat bazë të çdo psikologu klinik, të cilat janë aftësia për të njohur gamën e gjerë të patologjive, aftësia për të kryer intervistim, vlerësim dhe diagnostikim klinik, për të hartuar formulim dhe konceptualizim të rastit klinik, për të hartuar plane trajtimi, si dhe për të ofruar këshillim psikologjik të fokusuar tek zgjidhja e problemit.
Programi i është ndërtuar në mënyrë të tillë që të mundësojë psikologët klinikë të zhvillojnë aftësi dhe shkathtësi specifike përmes të cilave të mund të përballen me një gamë të gjerë çështjesh klinike të lidhura me a) çrregullime të veçanta si trajtimi i traumave psikologjike, trajtimi i sjelljes deviante dhe çrregullimeve të personalitetit, terapitë e të folurit, b) forma të ndryshme trajtimi të tilla si terapia familjare, terapia e artit dhe e lojës, si dhe c) kompetenca të lidhura me rritjen e efiçencës profesionale dhe bashkëveprimi me profesionistë të tjerë në fushën e shëndetit mendor, si psh mjekët psikiatër, neurologë etj. Programi gjithashtu ofron dije të avancuara në fushën e kërkimit shkencor, duke i aftësuar studentët të njohin, kuptojnë dhe integrojnë në punën e tyre gjetjet e studimeve bashkëkohore në fushën e psikologjisë klinike, të ndërmarrin studime aktuale në kontekstin shqiptar dhe të transmetojnë këto gjetje në punën e tyre dhe në grupet e interesuara.
Të gjithë lëndët e Masterit Shkencor janë semestrale dhe janë të organizuara në planin mësimor në raportet 2 orë leksione /2 orë seminar. Organizimi i planit mësimor është bërë në bazë të sistemit të Bolonjës. Çdo vit akademik ka 60 kredite dhe gjithë cikli i studimeve të Masterit Shkencor “Psikolog Klinik” përmban 120 kredite.
Misioni i Masterit të shkencave në “Psikologji Klinike”:
- Transmetimin e dijeve të integruara me qëllim që të aftësojë studentët të ofrojnë shërbime bashkëkohore në fushën e psikologjisë klinike.
- Zhvillimin e aftësive për të punuar në ekipe multidisiplinare, apo për të bashkëpunuar me profesionistë të tjerë të shëndetit mendor, duke koordinuar dijet dhe ekspertizën në funksion të adresimit profesional dhe efektiv të problemeve të shëndetit mendor.
- Zhvillimin e aftësisë për të kuptuar dhe përdorur rezultatet e kërkimeve shkencore bashkëkohore në fushën e psikologjisë kllinike, si dhe për të hartuar dhe udhëhequr studime në fushë.
Masteri i Shkencave “Psikologji Shkollore” ka si objektiv të përgjithshëm që të formojë profesionistë kompetentë në fushën e psikologjisë shkollore, duke u mundësuar atyre që të fitojnë dije, aftësi për të vepruar dhe për të qenë, të domosdoshme në punën e tyre në praktikë dhe në studime më të të thella në aspektin akademik lidhur me këtë fushë.
Në mënyrë më precize, mund të përcaktohen këto objektiva specifikë:
- të përgatisë psikologun shkollor që të japë ndihmesën e tij në përballimin e nevojave kryesisht të nxënësve të moshës shkollore, por edhe të fëmijëve në sistemin parashkollor dhe në çerdhe;
- të përgatisë studentët për të referuar në sistemet përkatëse një çështje të caktuar;
- të përgatisë studentët për të kryer operacionet e vlerësimit dhe trajtimit të rasteve me vështirësi në fushën akademike dhe në sjellje; të përgatisë studentë për të demonstruar “praktikat më të mira” lidhur me vlerësimin dhe ndërhyrjen, gjithashtu edhe këshillimin; të dëmonstrojnë praktikat më të mira të vlerësimit dhe këshillimit në nivel shkolle dhe familje;
- të përgatisë studentët për të vlerësuar ecurinë e procesit të të nxënit dhe mësimdhënies;
- të përgatisë studentët të ndërtojnë strategji të përfshirjes reale të prindërve në edukimin e fëmijëve;
Forma e studimit në këtë master shkencor është me kohë të plotë. Lëndët e këtij niveli studimesh janë të organizuara në katër semestra, që realizohen përgjatë dy viteve akademike. Numri total i krediteve për të fituar këtë diplomë është 120 kredite. Mësimi realizohet mbasdite, pas orës 14.00 dhe është zakonisht i përmbledhur në dy/tre ditë.
Psikologu shkollor punësohet në shkolla publike dhe private të sistemit 9 vjeçar dhe atë të mesëm. Formimi i tij gjithashtu ndihmon ne kryerjen cilësore të punës në sistemin parashkollor si në kopshte private dhe publike si edhe në çerdhe private dhe publike.
Master i Shkencave në “Psikologji Organizacionale” thellon kompetencat në disa fusha të dijes e profesionit që lidhen me ekspertizën në menaxhimin dhe zhvillimin e burimeve njerëzore në organizatat e institucione publike dhe private.
Studentët aftësohen në përdorimin e instrumentave inovativë të menaxhimit të burimeve njerëzore në vendin e punës. Ky profil profesional të jep mundësinë e punësimit në një gamë të gjerë në fushën organizacionale, si përzgjedhjen e personelit, kualifikimi dhe trajnimin e personelit në kompani, institucione e agjensi konsulence. Përgjatë kësaj përvoje dy vjeçare studentët kanë mundësi të zhvillojnë aftësitë profesionale dhe përgjegjësitë individuale në harmoni me kërkesat organizatave të vendit të punës.
Përvetësimi i njohurive, shkathtësive dhe aftësive të cilat mundësojnë që psikologu organizacional të veprojë në shërbimet dhe zonat organizative të dedikuara për zhvillimin dhe menaxhimin e burimeve njerëzore. Ndihmon zhvillimin organizativ të personelit dhe të organizatës apo institucionit ku punon me role të përgjegjësisë në menaxhimin e projekteve dhe programeve në lidhje me rekrutimin e përzgjedhjen, zhvillimin, trajnimin, vlerësimin dhe planifikimin e karrierës, komunikimin dhe menaxhimin e imazhit.
- Të përgatisë specialistë të lartë dhe studiues në fushën e psikologjisë organizacionale.
- Të mbështesë organizatat dhe institucionet me specialistë të kualifikuar përsa i përket përzgjedhjes së stafit në varësi të vendit të punës.
- Të zhvillojë kompetencat që e lejojnë psikologun organizacional të trajnojë, të motivojë punonjësit, të vlerësojë performancën në punën e tyre.
Mësuesi i Shkencave Sociale për AML
Programi master i shkencave në në “Mësuesi të shkencave sociale” synon të përgatisë mësues të arsimit të mesëm të lartë të specializuar për mësimdhënien e lëndëve mësimore në shkencat sociale, i/e aftë për të ushtruar profesionin në mënyrë të efektshme dhe për të nxënë gjatë gjithë jetës.
Programi ka këto objektiva:
- Të ofrojë një formim teorik në lëndët mësimore të shkencave sociale për të cilat po përgatitet studenti
- Të formojë kompetenca për përmbushjen e roleve të ndryshme të mësuesit;
- Të zhvillojë aftësi të kërkimit shkencor në fushën e edukimit;
- Të zhvillojë aftësi për reflektim e zhvillim profesional.
Të gjithë lëndët e Masterit shkencor janë semestrale dhe janë të organizuara në planin mësimor në raportet 4 orë leksione /2 orë seminar, 3 orë leksione/ 2 orë seminare. Organizimi i planit mësimor është bërë në bazë të sistemit të Bolonjës. Çdo vit akademik ka 60 kredite dhe gjithë cikli i studimeve të Masterit Shkencor “Mësues i shkencave sociale” përmban 120 kredite.
Formimi Master Shkencor në “Politika dhe drejtim arsimi” ka si objektiv të përgjithshëm të formojë profesionistë kompetentë si udhëheqës dhe menaxherë efektivë të organizatave shkollore, në funksion të edukimit të nxënësve. Pjesëmarrësit do të marrin kompetenca të përcaktuara në bazë të kuadrit ligjor për menaxhimin dhe drejtimin e shkollës. Shkolla është nyje kyçe ku bashkohen të gjitha investimet për të përcaktuar cilësinë e arritjeve të nxënësve. Studentët do të zhvillojnë njohuritë dhe kompetencat profesionale që i shërbejnë efikasitetit personal dhe efektivitetit organizativ si drejtues në sistemin arsimor në vend.
Synimi i programit të studimit master në “Politika dhe drejtim arsimi”, është zhvillimi i shprehive profesionale të profesionit të mësuesit si drejtues në institucionet e arsimit në vend. Këto shprehi do të zhvillohen si rezultat i kombinimit të njohurive të marra në auditor me praktikën pedagogjike.
Zotëruesi i kësaj diplome mund të punësohet si drejtues në shkollat e arsimit bazë dhe të mesëm në vend. Drejtorët në detyrë dhe ata që e aspirojnë postin e drejtorit të institucionit arsimor, përmes plotësimit me sukses të programit të studimit master i shkencave sigurojnë aftësitë për drejtim në arsim.
Të gjitha lëndët e Masterit Shkencor janë semestrale dhe janë të organizuara në planin mësimor në raportet 4 orë leksione /2 orë seminar. Organizimi i planit mësimor është bërë në bazë të sistemit të Bolonjës. Çdo vit akademik ka 60 kredite dhe gjithë cikli i studimeve të Masterit Shkencor “Politika dhe drejtim arsimi” përmban 120 kredite.
- Të përgatisë specialistë të lartë dhe drejtues në fushën e arsimit.
- Të mbështesë kultivimin e vlerave dhe sistemeve vlerore të arsimit në Shqipëri.
(60 Kredite, 1 Vit)
Programi i studimit Master profesional në “Këshillim psikologjik” është program i ciklit të dytë me kohëzgjatje një vjeçare dhe që ofron 60 kredite. Programi synon thellimin e njohurive në dinamikat psikologjike të individit, grupit dhe familjes si dhe aftësimin e studentëve për të praktikuar këshillimin në kontekste dhe grupe të ndryshme interesi. Programi i studimit përmban lëndë me natyrë teorike dhe praktike të fokusuara tek praktika e këshillimit, si dhe lëndë me natyrë formuese të tilla si trajtimi psikologjik i sëmundjeve, disenjim kërkimi, psikofarmakologji, dhe praktikë profesionale.
Zotëruesi i kësaj diplome mund të punësohet në fushat dhe institucionet e mëposhtme, por nuk është i kufizuar vetëm në vendet e poshtë përmendura:
- Institucionet shtetëore dhe private të edukimit (çerdhe, kopshte, shkolla),
- institucionet e shërbimit parësor/dytësor/terciar,
- qendrat komunitare,
- organizata dhe klinika të ndryshme që ofrojnë shërbime psikologjike.
Në varësi të krediteve, lëndët në këtë program studimi janë strukturuar në dy semestra, të organizuara në raportet 3 orë leksione /1 orë seminar, 2 orë leksion/ 1 orë seminar, në përputhje me planin mësimor për këtë cikël studimesh.
- Në shkollat e arsimit bazë dhe në shkollat e mesme si psikolog këshillimi;
- Në zyrat e karrierës pranë shkollave të larta.
- Në institucionet publike në të cilat zhvillohen veprimtari informuese dhe këshilluese në lidhje me karrierën dhe mirëqenien psikologjike
- Në agjencitë dhe qendrat e punësimit publik apo privat.
- Në qendrat e këshillimit.
Që nga viti akademik 2009-2010 FSHS ofron programin e studimit “Master Profesional në Orientim Profesional”. Ky master aktualisht ofrohet me 60 kredite, 1 vit akademik.
Qëllimi i këtij masteri është të formojë profesionistët e orientimit profesional me kompetenca dhe aftësi në drejtim të informimit, orientimit dhë këshillimit për karrierën për kategori të ndryshme klientësh si: nxënës, të papunë, të punësuar dhe kategoritë e shtresave në nevojë. Gjatë vitit akademik 2018 – 2019 përmes projektit zviceran RISIAlbania, Fakultetet e Shkencave Sociale të Universitetit të Lozanës dhe Universitetit të Tiranës nënshkruan një memorandum mirëkuptimi. Ky bashkëpunim pati në fokus shndërrimin e Fakultetit të Shkencave Sociale në Tiranë në një qendër ekspertize duke përmirësuar programin Master dhe hulumtimin shkencor, si dhe duke zhvilluar mjete për këshilltarët e karrierës.
Fakulteti i Shkencave Sociale (FShS), Universiteti Tiranës (UT) është institucioni i vetëm në Shqipëri që ofron një program akademik për përgatitjen e këshilluesve të karrierës – Masteri profesional “Orientim Profesional”.
Në fund të vitit 2017 FShS hyri në bisedime me projektin “RisiAlbania”, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) që synon ofrimin e më shumë mundësive të punësimit për të rinjtë me një fokus të veçantë në zhvillimin e shërbimeve të karrierës në Shqipëri.
Qëllimi ishte nisja e një bashkëpunimi për përmirësimin e kurrikulës të programit master “Orientim Profesional”, për ta sjellë këtë master më afër nevojave të tregut të punës. Ky bashkëpunim u konkretizua me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit midis dy institucioneve me 19 Korrik 2018.
Kriteret për të hyrë në këtë master:
o Diplomë e sistemit të vjetër në psikologji, ekonomi, shkenca sociale, shkenca human
|
o Diplomë e Nivelit I në psikologji, shkenca të edukimit. ekonomi, shkenca sociale, shkenca humane.
|
o Diplomë e Nivelit II në psikologji dhe shkencat e edukimit, ekonomi, shkenca sociale, shkenca humane.
|
Studentët që zotërojnë aktualisht diplomën Master Profesional në Orientim Profesional janë të aftë:
- të ndihmojnë subjektet me informacionin mbi veten, karakteristikat personale, qëndrimet, interesat, pikat e forta dhe të dobta, njohjen e aftësive personale dhe profesionale; pra në menaxhimin e aftësive për karrierën;
- të japin informacione mbi botën e punës, mbi mundësitë e punësimit dhe të trajnimit;
- të ndërtojnë strategji të caktuara që i ndihmojnë të interesuarit të kokurrojnë me sukses në tregun e punës;
- t’u japin të interesuarve informacion për qendrat dhe agjencitë e punësimit; për vendet e lira të punës;
- të ofrojnë konsulencë individuale për zgjedhjen e programeve të studimit, për zgjedhjen e profesionit, të vendit të punës, të kurseve të trajnimit, për kalimin nga një profesion në tjeterin.
- Në shkollat e arsimit bazë dhe në shkollat e mesme për të dhënë lëndën/modulin orientimi në karrierë, për të bërë orientim dhe këshillim në karrierë.
- Në zyrat e karrierës pranë shkollave të larta.
- Në institucionet publike në të cilat zhvillohen veprimtari informuese dhe orientuese në mbështetjen e kategorive të ndyshme drejt punësimit.
- Në agjencitë dhe qendrat e punësimit publik apo privat.
- Në qendrat e këshillimit.
Përse duhet këshillimi karrierës:
Në arsimin bazë
|
Në arsimin e mesëm | Në tregun e punës
|
Edukimi për karrierën në arsimin bazë hedh bazat për zhvillimin e karrierës gjatë gjithë jetës. Përfshin njohuritë dhe kompetencat për vetëdijësim, për botën e punës, për marrjen e vendimeve. | Edukimi për karrierë në arsimin e mesëm, orientimi dhe këshillimi i mirë i pajis nxënësit me informacionin dhe përvojën e duhur, duke i ndihmuar ata të bëjnë zgjedhjen e fushës së studimit dhe të profesionit të përshtatshëm sipas aftësive, interesave dhe talentit, i orienton ata për botën e punës në një shoqëri, ekonomi dhe mjedis që është në ndryshim të vazhdueshëm. | Përmirëson marrjen e vendimeve për punësim.
Mundëson kombinimin e aftësive, interesave, kualifikimeve me vendet e mundshme të punës. Redukton kohëzgjatjen e punësimit. Minimizon varësinë e individëve nga sistemi i asistencës ekonomike. Redukton mospërputhjen ndërmjet kërkesës dhe ofertës.
|
Aktivitetet kryesore të një këshilluesi karriere:
- Aktivitete në shkolla për të ndihmuar nxënësit të qartësojnë qëllimet e karrierës, të kuptojnë botën e punës dhe të zhvillojnë aftësitë për të menaxhuar karrierën
- Këshillim personal, orientim ose këshillim për të asistuar në marrjen e vendimeve për studime, për kurse trajnimi, për trajnim të vazhduar, për të zgjedhur punën, për të ndryshuar punën dhe të të hyrë në forcën e punës
- Organizimi dhe përdorimi sistematik i anëtarëve të komunitetit si punëdhënësit, të diplomuarit, prindërit dhe kolegët për të dhënë këshilla dhe informim për studime dhe punësim
- Shërbimeve të shkruara, on-line për të dhënë informacionpër profesionet dhe vendet e punës, kurset e studimit, trajnimet për të ndihmuar individët për të bërë zgjedhje për karrierën
https://m.facebook.com/fshsut/videos/2474128959289254/?refsrc=deprecated&_rdr
https://m.facebook.com/fshsut/videos/546406406109910/?refsrc=deprecated&_rdr
Programi Master Profesional në Psikologji Ligjore është hartuar për të trajnuar studentët që të mund të bëhen profesionistë të pavarur të aftë për të punuar në mjedise të ndryshme brenda sistemit ligjor civil dhe penal, duke përfshirë popullatën e të rriturve, të adoleshentëve, të të miturve; asistimin e viktimave; këshillimi, institucionet e riedukimit etj. Të diplomuarit e këtij programi do të kenë një kualifikim të specializuar për të punuar në: Institucione të ndryshme si qëndra shërbimesh për të mitur dhe kategori të tjera në konflikt me ligjin, Qëndra dhe Institucione shërbimesh për palë të treta; Fondacione mbështetëse për gratë dhe fëmijët viktima të trafikimit, klinika ligjore, ekipe mbështetëse në strukturat e reja të Drejtësisë, ekspertë të pavarur dhe këshillues etj ; Institucionet e Ekzekutimit të Vendimit Penal si për të rritur ashtu edhe për të mitur; Drejtoria e përgjithshme e burgjeve; Gjykata të shkallëve të ndryshme civile, penale dhe administrative; Prokurori; Shërbimet Policore; Spitalet e burgjeve; Institucionet e shërbimit të provës; Institucionet e shërbimeve sociale; Si dhe në institucione dhe organizata të tjera që kanë si fokus të tyre cështje të sistemit të drejtësisë. Qëllimi i përgjithshëm i programit Master profesional në psikologji ligjore është të sigurojë një mjedis intelektual brenda të cilit studentët të mund të zhvillojnë një vlerësim më të plotë të fushave thelbësore të psikologjisë ligjore dhe të përmirësojnë aftësitë e tyre analitike dhe praktike. Programi synon t’i aftësojë studentët të zbatojnë njohuritë, metodat e teknikat shkencore psikologjike në mënyrë profesionale dhe etike dhe t’i përgatisë për praktikën profesionale si profesionist të pavarur në fushën e psikologjisë ligjore. Në këtë cikël të dytë studimesh studentët do marrin njohuri më të thelluara teorike në fushat e mëparshme të studimit gjatë ciklit të parë dhe do trajnohen me qëllim që të shkathtësohen në përdorimin e njohurive shkencore, teknikave e praktike që do u mundësojnë praktikimin e profesionit të psikologut ligjor si profesionist i pavarur në konteksin ligjor. Ky cikël është i organizuar në një vit akademik dhe përmban 60 kredite. Studentët që do të regjistrohen në këtë program studimi duhet të kenë përfunduar studimet universitare brenda dhe jashtë vendit për psikologji sipas sistemit të Bolonjës.
Pedagogji e Specializuar Sociale
Masteri Profesional “Pedagogji e Specializuar Sociale” ka si objektiv të përgjithshëm të formojë profesionistë kompetentë në fushën e mësimdhënies së specializuar, duke u mundësuar atyre që të fitojnë dije, aftësi për të vepruar dhe për të qenë të dobishëm në mbështetjen e nxënësve me nevoja të veçanta qofshin këta në shkolla të zakonshme apo në shkolla special..
Në mënyrë më precize, ky program studimi ka këto objektiva:
- të ofrojë një formim teorik të specializuar në fushën e pedagogjisë së specializuar, arsimit gjithëpërfshirës, vlerësimit, mbështetjes, trajtimit dhe edukimit të personave me nevoja të veçanta;
- të prezantojë zhvillimet e fundit përsa i përket punës direkte me individët me nevoja të veçanta;
- të formojë kompetenca për përmbushjen e rolit të edukatorit të specializuar / mësuesit ndihmës;
Forma e studimit në këtë Master Profesional është me kohë të plotë. Lëndët e këtij niveli studimesh janë të organizuara në dy semestra, që realizohen përgjatë një viti akademik. Numri total i krediteve për të fituar këtë diplomë është 60 kredite. Mësimi realizohet mbasdite, pas orës 14.00 dhe është zakonisht i zhvilluar në mënyrë intensive përgjatë dy apo tre ditëve.
Zotëruesi i kësaj diplome mund të punësohet në shkolla speciale si mësues, në shkollat e zakonshme ku ka nxënës me nevoja të veçanta si mësues ndihmës; në qendra ditore dhe qendra rezidenciale si terapist zhvillimi. Mund të punojë gjithashtu në qendra zhvillimi duke qenë pjesëtar i ekipeve multidisiplinare për vlerësimin dhe ofrimin e terapive mbështetëse për fëmijët me nevoja të veçanta, si edhe në institute/qendra kërkimore profesionale të fokusuar në fushën e aftësisë së kufizuar.