logo




Master Shkencor:

 

(120 Kredite, 2 Vjet)


 

Sociologji e Zhvillimeve Shoqërore

 

 

Programi i studimit “Master i Shkencave” në  “Sociologji e zhvillimeve shoqërore”

Lloji i studimeve Studime të ciklit të dytë në “Master i Shkencave” në “Sociologji e zhvillimeve shoqërore”
Niveli i studimeve niveli 7 i Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve
Kohëzgjatja e studimeve 2 (dy) vite akademike
Forma e studimeve Studime me kohë të plotë
Numri i krediteve ECTS 120 ECTS
Profili profesional i pritshëm Sociolog, researcher
Njësia akademike zbatuese Njësia kryesore: Fakulteti i Shkencave Sociale

Njësia bazë: Departamenti  i Sociologjisë

Institucioni i Arsimit të Lartë: Universiteti i Tiranës

 

1- Objektivat e Programit të studimit dhe Rezultatet e pritshme

Në këtë program konsiderohet studimi i faktorëve shoqërorë që ndikojnë në kurbën e zhvillimit të shoqërisë. Në këtë program studimi studiohen dhe analizohen nga pikëpamja sociologjike problemet e familjes, perspektiva e zhvillimeve urbane, shtyllat e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, dinamikat e zhvillimit të popullsisë së grupmoshave të ndryshme, sfidat e përfshirjes sociale, dinamikat e konfliktit shoqëror bashkëkohor, proceset demokratizuese dhe sistemet zgjedhorë, perspektivat ndërkulturore sociale dhe diversitetin në të gjitha format e tij. Oferta akademike e studimeve të ciklit të dytë “Master i shkencave” në “Sociologji e zhvillimeve shoqërore” ka për objektiv të formojë sociologë të rinj të pajisur me:

  • dije bashkëkohore të avancuara në teoritë dhe konceptet sociologjike, si dhe metodat e kërkimit;
  • aftësitë për të kuptuar ndryshimet e mëdha shoqërore jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon, si dhe në nivel global;
  • aftësitë për të aplikuar dijen e avancuar sociologjike ndaj problemeve sociale;
  • aftësitë e duhura në mënyrë që ata të jenë në gjendje të ndjekin karrierë në sektorin publik, privat, si dhe në sektorin jofitimprurës;
  • një themel të solid akademik, në mënyrë që ata të jenë të suksesshëm në ndjekjen e studimeve doktorale pasi ata të kenë mbaruar programin e masterit.

 

2-Qëllimi:

Qëllimi i këtij programi studimi është të aftësojë studentët me aftësi praktike dhe teorike të nevojshme për të trajtuar zhvillimet sociale bashkëkohore në nivle kombëtar e ndërkombëtar duke konsideruar diversitetin shoqëror dhe kulturor.

 

3-Veprimtaria formuese e programit të studimit:

Realizimi i programit të studimit, bazohet në planin mësimor të hartuar, i cili ndërthur disiplina të formimit të përgjithshëm me ato të formimit karakterizues (profesional); disiplina të përafërta plotësuese si dhe ato të natyrës praktike.

Studentët që do të marrin pjesë në këtë program studimi do të kenë njohuri të konsoliduara në fushën e kërkimit; të analizës kulturore të konflikteve; të zhvillimeve bashkëkohore shoqërore në institucione si familja, politika, feja, arsimi; të prirjeve të zhvillimeve të hapësirës rurale dhe urbane; të çështjeve të barazisë dhe pabarazive, përfshirjes dhe përjashtimit social; të çështjeve gjinore, të politikave sociale; të zhvillimeve më të fundit në fushën e drejtësisë tranzitore, etj.

Studentët në përfundim të studimeve do të jenë të aftë:

  • të njohin me kompetencë metodat dhe instrumentet e kërkimit sociologjik;
  • të jenë të aftë të konceptojnë, ndërtojnë dhe zbatojnë një projekt kërkimi;
  • të zotërojnë dije dhe njohuri të plota mbi teoritë dhe paradigmat bashkëkohore sociologjike;
  • të zhvillojnë analiza teorike dhe praktike të dukurive dhe problemeve sociale;
  • të jenë të aftë të shfaqin standarte të larta etike dhe formimi sociologjik për të zhvilluar me dinjitet aktivitetin e tyre në shoqëri;
  • të njohin problematikën e punës në grup dhe të zbatojnë me korrektësi afatet e punës;
  • të orientojnë karrierën e tyre si sociologë/studiues në shërbim të interesave më të larta të shoqërisë.

 

4-Mundësia për studime të mëtejshme

Të diplomuarit kanë mundësi për të avancuar në karrierë akademike dhe për të kryer studime të thelluara të ciklit të tretë në programe doktorale brenda dhe jashtë vendit në fushën e Sociologjisë ose fusha të përafërta studimore me të.

 

5-Mundësitë e punësimit

Ndjekja e programit të studimit “Master i shkencave” në “Sociologji e zhvillimeve shoqërore” ju mundëson të diplomuarve: 

  • punësim në në administratën shtetërore, si atë të nivelit lokal dhe atë qëndror,
  • punësim në organizata jo qeveritare kombëtare dhe ndërkombëtare,
  • punësim si drejtues kërkimi, analist politikash, vlerësues programesh, menaxherë programesh dhe projektesh,
  • menaxherë të burimeve njerëzore.
  • punësim si ekpert në studime empirike në sfera të ndryshme të organizuara nga institucione kombëtare, organizata ndërkombëtare dhe OJF
  • punësimin në shërbimet sociale si këshillues në hartim politikash, administrues projektesh kërkimore dhe komunitare, në administrimin e shërbimit shëndetësor dhe problematikave të tij, adresimi i familjeve dhe grupeve në nevojë.
  • karrierë në institucionet e edukimit formal si mësimdhënës në nivelin e arsimit të lartë, në shërbimet ndaj studentëve, etj.

 

Plani mësimor (kliko, këtu)

 


 

Drejtesi tranzitore

 

Broshura

Programi i studimit të ciklit të dytë “Master i shkencave” në “Drejtësi tranzitore”

 

Lloji i studimeve “Master i shkencave” në “Drejtësi tranzitore
Niveli i studimeve niveli 7 i Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve
Kohëzgjatja e studimeve 2 (dy) vite akademike
Forma e studimeve Studime me kohë të plotë
Numri i krediteve ECTS 120 ECTS
Profili profesional i pritshëm Studiues në fushën e Drejtësisë Tranzitore
Njësia akademike zbatuese Njësia kryesore: Fakulteti i Shkencave Sociale

Njësia bazë: Departamenti  i Sociologjisë

Institucioni i Arsimit të Lartë: Universiteti i Tiranës
Gjuha e ofrimit të programit Shqip/Anglisht

.

1.Objektiva 

Objektivat kryesorë të programit të Masterit Shkencor janë:

  • t’i pajisë studentët me dije të avancuara në fushën e të drejtave të njeriut nga këndvështrimi shoqëror gjatë proceseve tranzitore;
  • të nxisë mendimin dhe kërkimin kritik për të kuptuar ndryshimet e mëdha shoqërore dhe veçanërisht asaj shqiptare si trashëgimi e regjimit komunist dhe si nevojë e demokratizimit europian;
  • t’i përgatisë studentët me aftësitë e duhura në mënyrë që ata të jenë në gjendje të ndjekin karrierë në sektorin publik, privat, si dhe në sektorin jofitimprurës;
  • të pajisë studentët më një themel të fortë akademik, në mënyrë që ata të jenë të suksesshëm në ndjekjen e studimeve doktorale pasi ata të kenë mbaruar programin e masterit.

.

2.Qëllimi: 

Pas 30 vitesh në tranzicion detyra akademike, shoqërore dhe njerëzore është ballafaqimi me të kaluarën. Përballja me të kaluarën, ndarja e përgjegjësisë dhe dhënia e drejtësisë ndaj keqbërjeve në historinë e një kombi mbetet një proces i tensionuar dhe i pasigurt. Por, nga ana tjetër në fillim të viteve ‘80 nisi të artikulohej e të merrte formë një proces i ri, i institucionalizuar dhe profesionalizuar gradualisht në termin ‘drejtësi tranzitore’. Drejtësia tranzitore, siç e shohim të transformuar sot, është e lidhur me një sërë procesesh, duke përfshirë gjykimet penale, komisionet e të vërtetës, mekanizmat e mosmarrëveshjeve me bazë komunitare dhe dëmshpërblimet, dhe një sërë strukturash institucionale dhe regjimesh, duke përfshirë gjykatat, gjykatat ndërkombëtare dhe ligjin ndërkombëtar humanitar dhe penal. Por ajo është gjithashtu një fushë ndërdisiplinore e kërkimit shkencor, e cila ofron perspektiva nga shkenca politike, antropologjia, ligji, gjeografia, sociologjia dhe edukimi.

Drejtësia transitore trajtohet si proces në fushën e akademisë në formën e programeve bachelor, master dhe të doktoraturës. Në botë aktualisht, vetëm në programet master ofrohen 38 programe të drejtësisë transitore, të cilat e studiojnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë këtë proces, ose të lidhur me fushën e zgjidhjes së konfliktit, respektimit të të drejtave të njeriut, politikëbërjes, kërkimit shkencor etj.   

Në rastin e Shqipërisë ofrimi i një programi të tillë Master i Shkencave ndërdisiplinar shihet si një investim i bërë në kohën dhe momentin e duhur për shkak të: (i) historisë sonë politike dhe sociale në diktaturë dhe pas saj, (ii) tranzicionit të gjatë që ende po kalojmë, (iii) zhvillimeve në fushën e së drejtës, (iv) zhvillimeve të fundit të politikës, arsimit dhe kulturës në drejtim të drejtësisë transitore, (v) ngritjes së institucioneve që po angazhohen me trajtimin e të kaluarës sonë nën diktaturë.  Shqipëria sot ka nevojë për studiues dhe specialistë që të kenë edukimin e duhur në një fushë të tillë ndërdisiplinore, për të punuar dhe qenë profesionistët e ardhshëm që do të hulumtojnë, punojnë dhe angazhohen në këto institucione dhe ato të ndërkombëtare, të cilat do të merren me të kaluarën tonë. 

.

4.Mundësia për studime të mëtejshme 

Ky program studimor i nivelit të masterit shkencor (120 kredite) mundëson vijimin e karrierës në planin profesional dhe atë akademik, më konkretisht duke profilizuar formimin shkencor të studentit kundrejt studimeve doktorale.

.

3.Veprimtaria formuese e programit të studimit 

Programi i Ciklit të Dytë të Studimeve Master i Shkencave në Drejtësinë Transitore, ofruar nga Fakulteti i Shkencave Sociale, Departamenti i Sociologjisë, UT, është një program i ri që gërsheton arsimin akademik të nivelit të lartë dhe praktikën botërore të drejtësisë transitore, të drejtave të njeriut, historisë dhe sociologjisë. Ky Master është një nga programet e pakta në Shqipëri që përqëndrohet në forcimin e njohurive ndërdisiplinore dhe përgatitjen reale të studentëve për aktivitete të ardhshme profesionale ose akademike.

Përgatitja profesionale në këtë progam studimi është e integruar përveçse nëpërmjet disiplinave karakterizuese që mbajnë peshën më të madhe të programit, edhe me koncepte të disiplinave bazë siç janë Drejtësia Transitore dhe të Drejtat e Njeriut, dhe disiplina plotësuese siç janë lëndët me zgjedhje në fushat e sociologjisë, drejtësisë dhe historisë.

Programi Master i Shkencave në Drejtësi Tranzitore zgjat dy vite akademike dhe është i vlerësuar me 120 ECTS, bazuar në Nenin 75 të Ligjit nr. 80/2015, Për Arsimin e Lartë në Shqipëri. Ky program ka si mision t’i angazhojë studentët në një qasje ndërdisiplinore, në një proces që lidh hulumtimin e sociologisë, ligjit, historisë dhe të drejtave të njeriut.

.

5.Mundësitë e punësimit

  1. Institucione ndërkombëtare, në vend dhe jashtë, që trajtojnë çështje të drejtësisë transitore;
  2. Organizata të pavarura në vend, si psh. Avokati i Popullit, Qendra për Nisma Ligjore Falas, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ;
  3. Institucione kërkimore në fushën e historisë, studimeve të memories, si psh. Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, etj;
  4. Firma juridike që specializohen në drejtësi tranzitore;
  5. Profesione jo-juridike që kërkojnë ekspertizë në ligj dhe zgjidhje konfliktesh, përfshirë gazetari, këshillim për politika sociale;
  6. Këshilltar politik pranë qeverive në fushën e drejtësisë transitore, pranë ministrive të ndryshme, si ajo e jashtme, e mbrojtjes, etj;
  7. Studiues dhe kërkues i pavarur në fushën e drejtësisë transitore, sigurisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm;
  8. Universitet ose institucione te tjera të arsimit të lartë, si profesor në fushën e drejtësisë transitore.

.

Plani mësimor i programit të studimit: Master i Shkencave në “Drejtësi tranzitore” (kliko, këtu)

.

Study program: “Master of Science” in “Transitional Justice” (click here)

 



Master Profesional:

 

(60 Kredite, 1 Vit)


 

Administrimi Institucioneve Sociale në Sistemin e Drejtësisë

 

Në  ciklin e dytë Master profesional  “Administrim i institucioneve sociale në sistemin e drejtësisë”, viti i parë ka 91 studentë, ndërsa në vitin e dytë vazhdojnë këtë program studimi 54 studentë. Numuri total është 145 studentë. Organizimi i plani mesimor është bërë në bazë të sistemit të Bolonjës me 60 kredite.

Objektivat e këtij programi përfshijnë:

  • të zhvillojë tek studentët njohuri teorike dhe shprehi praktike si në fushën sociale ashtu edhe në atë juridike;
  • të pajisë studentët me aftësi per të njohur dhe zbatuar teoritë dhe metodat e kërkimit social;
  • të përgatisë studentët me aftësi per të njohur dhe kuptuar institucionet sociale dhe rolin e tyre në sistemin e drejtësisë vecanërisht të drejtësisë penale;
  • të pajisë studentët me aftësi për të njohur dhe zbatuar konceptet dhe teoritë bashkëkohore të administrimit në konteksin e institucioneve të sistemit të drejtësisë, aftësi për të njohur dhe kuptuar konteksin historik, social dhe juridik të sjelljes devijante, kriminalitetit dhe sanksioneve sociale dhe juridike që pasojnë ato;
  • të promovojë tek studentët të menduarit kritik mbi forcat shoqërore që çojnë në sjelljen kriminale;
  • të zhvillojë tek studentët aftësi për të ndërmarrë projekte kërkimore për përmirësimin dhe mirëadministrimin e institucioneve sociale në sistemin e drejtësisë;
  • të pajisë studentët me aftësitë e nevojshme në mënyrë që ata pasi të dipllomohen në këtë program, të kenë mundësi të punojnë si specialistë, analistë, trainerë, drejtues institucionesh, konsulentë, programues, etj, në institucione të tilla si: Gjykatat e të gjitha niveleve; Ministria e Drejtësisë, Arsimit, Punës dhe Çështjeve Sociale, etj. si dhe organe të qeverisjes vendore si Prokuroria, Policia e Shtetit dhe Policia Gjyqësore; Drejtoria e Burgjeve, Shërbimi i Provës, Shërbimi Përmbarimor; Organizata profesionale, të shoqërisë civile dhe media.

 

Plani mësimor (kliko, këtu)

 


 

Zgjidhje e Konflikteve me Ndërmjetësim

 

Programi i studimit të ciklit të dytë “Master Profesional” në “Zgjidhje e konflikteve me ndërmjetësim”

 

Lloji i studimeve Master Profesional “Zgjidhje e konflikteve me ndërmjetësim”

 

Niveli i studimeve niveli 7 i Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve
Kohëzgjatja e studimeve 1 (një) vit akademik
Forma e studimeve Studime me kohë të plotë
Numri i krediteve ECTS 60 ECTS
Profili profesional i pritshëm Ndërmjetës
Njësia akademike zbatuese Njësia kryesore: Fakulteti i Shkencave Sociale

Njësia bazë: Departamenti  i Sociologjisë

Institucioni i Arsimit të Lartë: Universiteti i Tiranës

 .

1.Objektivat e programit të studimit Master Profesional “Zgjidhje e konflikteve me ndërmjetësim”

 

Objektivi kryesor i këtij programi masteri është që studentët në përfundim të studimeve të zotërojnë njohuritë, aftësitë dhe qëndrimet më të përshtatshme për ndërhyrjen dhe praktikën e punës së ndërmjetësit në cdo nivel të sistemit shoqëror.

Në përfundim të programit të studimit studentët do të mund:

1- Të ndërtojnë skema analize dhe të veprimit strategjik, të cilat gjatë proceseve ndërmjetësuese do t’ju sigurojnë vetëdijshmërinë dhe ndjeshmërinë ndaj popullatave të ndryshme të njerëzve në mjedise të ndryshme.

2- Të konsiderojnë perspektiva alternative analize dhe praktike nga këndvështrime të ndryshme të formave të shfaqjes së problemit dhe zgjidhjes së tij.

3- Të aplikojnë modele, mjete dhe procese të analizës së konfliktit.

4- Të kuptojnë dinamikën e sistemit shoqëror dhe kompleksitetin e çështjeve të konfliktit dhe aktorëve të përfshirë në to.

5- Të zhvillojnë një praktikë reflektive të të mësuarit të profesionit të ndërmjetësit

6- Të punojnë për arritjen e rezultateve konstruktive nëpërmjet përdorimit të proceseve bashkëpunuese

7- Të përdorin teorinë për të orientuar kuptimin dhe të aplikojnë qasje pragmatike për zgjidhjen e konflikteve.

.

2.Qëllimi:

Masteri profesional “Zgjidhje e konflikteve me ndërmjetësim” ka si qëllim të orientojë studentët drejt formimit profesional si ndërmjetës, si një nga profesionet e rregulluara me ligj në Republikën e Shqipërisë (Ligji nr.10 385, datë 24.2.2011 “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”.)  

Ky program studimi është konceptuar si një mundësi për të orientuar karierrën dhe zhvillimin profesional të studentëve  të shkencave humane dhe sociale, si dhe për të gjithë ata profesionistë që dëshirojnë të riorientojnë karierrën.

Programi synon t’i aftësojë studentët që të zbatojnë njohuritë, metodat e teknikat shkencore të përdorura ndërkombëtarisht në mënyrë profesionale dhe etike dhe t’i përgatisë si profesionistë në fushën e ndërmjetësimit.

.

3.Veprimtaria formuese e programit të studimit:

Në këtë cikël të dytë studimesh studentët do marrin njohuri më të thelluara teorike në fushat e tipologjisë së konflikteve, kuptimin mbi konfliktin dhe rëndësinë e analizës së tij, metodave dhe praktikave në zgjidhjen e konfliktit, njohjen e përmasave të ndikimit sociokulturor në krijimin e bazave, shfaqjen dhe zhvillimin e konflikteve të profileve të ndryshme dhe adresimin e menaxhimit dhe zgjidhjes së tyre. Ky cikël është i organizuar në një vit akademik dhe përmban 60 kredite. Theksi i këtij programi mbetet tek zhvillimi i profesionistëve të cilët do të angazhohen ne ofrimin e shërbimeve cilësore ndaj palëve, agjensive, organizatave, insitucioneve të ndryshme publike dhe jo publike.

.

4.Mundësia për studime të mëtejshme

Pas përfundimit të studimeve të ciklit të dytë  Master Profesional “Zgjidhje e konflikteve me ndërmjetësim”, studentët mund t’i drejtohen tregut të punës ose mund të ndjekin programe të tjera studimi “Master i shkencave” ose “Master profesional”.

.

5.Mundësitë e punësimit

Profesionistët e fushës së menaxhimit të konflikteve mund të ushtrojnë profesionin e tyre në një treg të gjerë punësimi që lidhet me fushën e shërbimeve sociale dhe komunitare, me fushën ligjore, atë të biznesit, të edukimit, qeverisjes lokale, etj. Ata mund të punojnë si ndërmjetës, ekspertë në fushën e arbitrazhit dhe këshilltarë, pranë organizatave qeveritare dhe joqeveritare, si dhe të vetëpunësohen, pasi të liçensohen nga organet përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi.

.

Video promovuese

 

Plani mësimor i programit të studimit  “Master Profesional” në “Zgjidhje e konflikteve me ndërmjetësim” (kliko, këtu)

 


 

Sociologji Edukimi